Prof. Milazim Krasniqi/
Emocionaliteti i skajshëm, si element thelbësor i Post-Vërtetës (Post-truthit) po dominon në reagimet e tifozerive të shteteve që po garojnë në kampionatin evropian të futbollit. Madje edhe prirja e dikurshme për dhunë, ia ka lënë vendin reagimit emocional. Interesant po më duket sidomos reagimi i fortë emocional te fëmijët-tifozë. Edhe ata po reagojnë me grimasa e gjeste, si të burrave të fortë. Këto gjenerata fëmijësh po rriten e po edukohen brenda dominimit të Post-Vërtetës, si në media, si një familje, si në shkollë. Tifozët i rritur i ka karakterizuar gjithnjë prirja për të mos e respektuar të vërtetën. Qasja e tyre është që vetëm “tanët” janë të mirë dhe e kanë gjithmonë mirë, ndërsa kundërshtarët gjithmonë janë të këqij dhe e kanë gabim gjithmonë. (Jo rastësisht në fillimet e krizës në ish Jugosllavi, tifozeritë e futbollit janë përdorë për ta ndezur fitilin e konflikteve.) Tifozët e kanë praktikuar post-truthin para se ai të zbulohej! Por, participimi i dukshëm i fëmijëve në këtë skemë të reaguari, më duket si rrjedhim logjik i formimit të tyre në frymën e post-truthit, e jo imitim i tifozëve të rritur. Bile kam parë skena ku ata reagojnë emocionalisht para se të reagojnë tifozët e rritur. Dhe më fort se sa të rriturit. Me gjasë, ato reagime të tyre janë produkt i formimit brenda post-truthit. Nëse është ashtu, ka mundësi që ata atë prirje të reagimit emocional iracional ta bartin edhe jashtë stadiumeve, e jo si tifozët klasikë, që ato reagime emocionale iracionale zakonisht i lënë brenda stadiumeve.