14 marsi, Dita e Verës, një feste popullore, i rikthen kryeqytetit festimet . Ministria e Kulturës, Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, në bashkëpunim me bizneset kanë hartuar një kalendar të pasur veprimtarish në Ditën e Verës.
Në bashkëpunim me institucionet artistike, bizneset, etj, Tirana do të krijojë disa sheshe, lulishte dhe kënde arti, ku qytetarët e Tiranës do të kenë rastin të ndjekin përgjatë ditës aktivitete të ndryshme për të gjitha grupmoshat. Veprimtari të ndryshme artistike do të organizohen nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, Cirku Kombëtar i Tiranës, Teatri Kombëtar i Kukullave, Orkestra Rinore, Liceu Artistik “Jordan Misja”, grupet e muzikës alternative, këngëtarët e muzikës popullore, etj.
Në ambientin përpara Galerisë Kombëtare do të kompozohet “Qyteti i Artit”, i rrethuar me piktura të nxënësve të shkollave të ndryshme të kryeqytetit dhe me koncert harqesh nga Orkestra Rinore e nxënësve të Liceut Artistik “Jordan Misja”, pa harruar edhe parakalimin përgjatë bulevardit të arlekinëve dhe këmbajkave të Cirkut.
Festimet në Ditën e Verës do të nisin në orën 10.00-14.00.