
Dr. Dorian Koçi/
Sot, ndërsa festojmë shëndetin, reflektoj për një histori të fuqishme, e cila është shndërruar në një fantazi poetike nga historia e lashtë — trashëgimia e Mbretit Gent të Ilirisë (mbretëroi 181-168 p.e.s).
Mbret i fundit Ilir, Gent u kap rob dhe romakët e detyronin të parakalonte nën Harkun e Triumfit në Romë pas humbjes së tij. Megjithatë, përkundër rënies së tij, trashëgimia e tij dhe emri i tij ka qëndruar përmes shekujve.
Gentiana lutea, lule e shërimit që mori emrin nga ai, njihet për vetitë e saj mjekësore: lufton infeksionet e mëlçisë, ënjtjet, dhe përdoret edhe në përgatitjen e likereve. Një simbol që shëndeti dhe shërimi mund të kalojnë përtej perandorive më të mëdha.
Le të kujtojmë se triumfi i vërtetë gjendet në kontributet tona për mirëqenien dhe trashëgiminë e njerëzve.
Triumfi i Mbretit Gent të Ilirëve
Qytetarët romakë,
në vitin 168 para Krishtit,
të mbledhur në zemrën e qytetit të përjetshëm,
po shijonin spektaklin e radhës,
të ofruar me krenari nga Konsulli Kasius Longinus.
Nën hijen e Harkut të Triumfit,
të ndërtuar me ngut,
për të festuar një fitore të freskët,
po parakalonte, i lidhur dhe me hapa të rëndë,
Mbret Gentius — i fundit nga Ilirët krenarë,
ajo popullsi e egër që kurrë s’e pranoi
Adriatikun si det të huaj.
Ata qeshnin, talleshin,
me ushtrinë e mundur,
me sytë e përhumbur
dhe dëshirat e mpakura të robërve
që po shkonin drejt skllavërisë.
“Shiko! Shiko si duken ata që mendonin veten për të egër!
Shiko si ul kokën mbreti i tyre para madhështisë sonë!”
Buzët e tyre ngrinin në kënaqësi të egër,
gazi jehonte në forumet e qytetit,
pa ditur se, kur mëlçia e tyre do të dhembte
nga kupat pafund të verës së Ferlenit,
kur trupat do të digjeshin nga orgjitë pa fund,
do të kërkonin shërim
në lulen e mbretit — Gentiana.
Një ironi hyjnore — fati i njeriut!
Ai që menduan se kishte humbur,
do të ringjallej në çdo kurim,
emri i tij do të jetonte në çdo bar shërues.
Mbret Genti, edhe i lidhur atë ditë,
po fitonte pavdekësinë.
E ata që qeshnin nën diellin e artë të Romës,
nuk do të përmendeshin kurrë më…
Foto 1: Hija e Mbretit Gent në Gubbio, Itali
Foto 2: Monedha e Mbretit Gent