– Referim Republikës së Italisë/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Dje kryeministri i sapodekretuar z.Edi Rama zhvilloi mbledhjen e parë të qeverisë e cila zgjati disa minuta, ku u morën tri vendime, që u publikuan menjëherë në faqen ueb. Po i citoj tekstualisht : “Sot, në datë 15 shtator 2013, Kryeministri Edi Rama drejtoi mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave, në të cilën u morën këto vendime: 1. Zëvendësimin e portretit të Presidentit të Republikës në ceremonialin zyrtar me portretin e themeluesit të shtetit modern shqiptar, Ismail Qemalit; 2. Miratimin e Kodit Etik Ministror; 3. Ndalimin e importit të plehrave në Republikën e Shqipërisë”.
Po ndalem tek vendimi i parë i qeverisë i zëvendësimit të portretit të Presidentit të Republikës me atë të Atit të Pavarësisë. Në Kushtetutën e Republikës të Shqipërisë në Nenin 86 tek kapitulli „PRESIDENTI I REPUBLIKËS“, paragrafi 1 thuhet: „Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit.“ Pra është një figurë mbi partitë, e cila sqarohet edhe në paragrafët e mëposhtëm të Kushtetutës.
Në Nenin 87 të Kushtetutës të Shqipërisë në paragrafin 1. dhe 2. shkruhet: „1. Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh… 2. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi me një shumicë prej tri të pestave të të gjithë anëtarëve të tij.“
Kjo mënyrë zgjedhje, i krijon mundësinë çdo maxhorance që ka një përfaqësim me tri të pestat e parlamentit të zgjedhë një president sipas vullnetit të kryeministrit, pra krijohet shkas për abuzim të pushtetit, që prodhon një institucion kukull me pavarësi të cënuar. Meqë maxhoranca aktuale e ka pothuaj këtë përfaqësim dhe një nga objektivat e saj është ndërtimi i shtetit ligjor, kjo i jep shans qeverisë Rama që të hap një debat të gjërë për ndryshimin e Kushtetutës të Shqipërisë që zgjedhja e Presidentit të vijë me votë popullore.
Sipas Kushtetutës të Republikës të Shqipërisë, presidenti është Figura Nr.1 e shtetit shqiptar. Kryetari i Kuvendit është nr. 2 dhe Kryeministri nr.3. Ky pozicion nuk e dobëson rolin e premierit në një Republikë Parlamentare, pra de jure e de facto kryeministri i Shqipërisë është njeriu më i fuqishëm i vendit, por sipas protokollit shtetëror fotografia e kreut të shtetit duhet të qëndrojë e varur në zyrat publike.
Meqë kryeministri i Shqipërisë i referohet protokolleve të shteteve Perëndimore dhe bën shumë mirë, edhe unë po bëj të njëjtën gjë, po i referohem ueb-it të qeverisë italiane – të Këshillit të Ministrave të Republikës të Italisë – po e vendos edhe linkun që mund ta klikojë kush dëshiron.http://www.governo.it/Presidenza/ufficio_cerimoniale/cerimoniale/bandiera_esposizione.htmNë këtë ueb –Ufficio del Cerimoniale di Stato – Zyra e Ceremonive Shtetërore përcakton rregullat e përdorimit të flamurit tringjyrësh. Në paragrafin me titullin « Esposizione delle bandiere all’interno degli uffici pubblici » – « Ekspozimi i flamujve brënda zyrave publike » shkruhet si më poshtë : « Flamuri i Republikës dhe ai i Bashkimit Europian gjendet në zyrat e anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe Nënsekretarit të Shtetit; të titullarëve drejtues të drejtorive apo zyrave në administratën qendrore të Shtetit…, të titullarëve më të lartë të institucioneve të enteve publike në rrang kombëtar, të titullarëve më të lartë institucioneve të pavarura; të drejtuesave të institucioneve të drejtësisë; të drejtuesave në përfaqësitë diplomatike, në konsullatat dhe institucionet kulturore të Italisë jashtë vendit. »
Zyra e Ceremonive Shtetërore pranë Këshillit të Ministrave të Republikës të Italisë në të njëjtin paragraft ë ekspozimit të flamurit italian vazhdon si më poshtë:
« Negli stessi luoghi si espone anche il ritratto del Capo dello Stato. » – «Në të njëjtat vende gjithashtu vendoset edhe portreti i Kreut të Shtetit » Duke mbetur në vendin fqinj, si një vend demokratik që ia vlen shumë t’i referohemi. Më 2011 u kremtua 150 vjetori i Bashkimit të Italisë, me nderimet më të larta për Etërit e Italisë të bashkuar, Camillo Benso Cavour, Giuseppe Mazzini, Giuseppe Garibaldi, Vittorio Emanuele II°, por kjo s’do të thotë që portretet e këtyre burrave të ndritur të vendosen në vend të portretit të kreut të shtetit.
Ne jemi duke pritur nga Rama, dhe uroj që t’i mbajë premtimet, sepse kjo është në interesin e shqiptarëve dhe vendit, por z.Kryeministër duhet ta ketë të qartë se fitorja e 23 qershorit nuk ishte fitore e tij personale, por ishte një fitore prej dështimit dhe disfatës të pararendësit të tij.