
NGA ALFONS GRISHAJ/
Një ditëlindje… shndrit një ditë…/
Si një yll ndërplanetar,/
Aureolë nga Perënditë,/
Aromë Hyjneshe, nektar./
Mblodhi Zoti gjith’ cilësitë,/
Pa kursim, plot dashuri,/
Shkriu talentin dhe ndjesitë /
Për të krijuar një perri! /
Vitet përsërisin veten /
Lulëzon një urim!/
Ujit dashuria jetën:/
Është misteri vetë burim!/

ELEGJI PËR POEZINË DHE KANGËN
Sa shumë poetë n’ nji vend t’vogël
Tanë t’ mëdhaj e kurrkush gogël…
Tanë të fortë tue thye çdo tjegull
Rimë foljore kanë kryerregull.
Hosana…! Vrik mistrecët n’tallava,
Muzik pa kryp, “Sherbet…bakllava!”
Bejta bajate, histori dylberësh…
Lakuriq’ me za nga duar berberësh.
Nonji poetuc merret dhe me Krishtin!
Metafor micash qi losin me bishtin,
Humor pushtash e ngërç faqezi,
Turpit krijues i thonë: “poezi!”
I raftë pika letrave e poezisë!
Deka artit vjen prej kakërdhisë,
Tue i marr frymën rimës së përkor
Tue vra ritmin… damarët muzikor!
Qajnë Vaçe, Myfarete e Frederiku…
Vdiq kanga, pendkrijusi e liriku.
E pra, kjo elegji për “poetnit e mëdhaj”…
Qi e çuen poezinë e muzikën n’ vaj.
MINJVE
Dikur në qeli… lagështirë, minj.
Fatkeq, polic, hafije trularë,
Në terr të zi, pa dritë e qirinj,
Zgjodha miun si mik të pandarë.
E pyes një ditë: “Si të duket njeriu?”
Pa çuar kok’n nga tasi foli si përçart:
“Njeriu në qeli shkrihet si qiriu,
Ndërsa unë në hapshane bëj art.”
Në liri… panevoj’… minj me dy këmbë
Që askund s’ishin me miun e qelisë,
Të pabesë, pis, shkurre e gjëmbë
Q’ vjellin vner mbi shpinë t’ vegjëlisë.
Si grabofç hakaten, her kobarë…
Po të jet nevoja shesin dhe nderin,
Për një kockë lehin si zagarë
Gjaku i djallit, dashnor me Çerberin!