Një ditëlindje, edhe pse është ngjarje e gëzuar në jetën e çdonjerit, nuk përbën gjithmonë objekt shkrimi për gazetë, por kjo që do t’ju tregoj, shërbeu si shkas për një ngjarje që ia vlen të tregohet…./
Nga Dalip GRECA/
Ndërsa kisha shkuar të pushoja në fillim të Gushtit pak ditë në Long Beach në Nju Jork, një zile telefoni më përcolli një ftesë, pa solemnitet, pak enigmatike, pa të dhëna të detajuara.
– Marku po të telefonon, tha personi që nuk ia njoha zërin! Jemi 7-8 shokë, duam t’i bëjmë surprizë një shokut tonë që ka ditëlindjen.Ai nuk di gjë.Do të vish dhe ti ?…Merr kamerën dhe eja…do kënaqesh…
Zëri në celular herë vinte e herë shuhej. T-Mobile nuk kishte sinjal të mirë aty buzë Oqeanit…
– Po kush e ka ditëlindjen…? Si…? Nuk ju dëgjoj…
Ai matanë nuk u përgjigj…heshtje, më pas zëri u shua fare…
Ia ktheva zilen dhe e pyeta :
Po kush është personi që do të surprizoni?
– S’ka rëndësi. Pastaj është surprizë…Po, do ta njohësh…është shok i mirë! Do shkrihesh…ka humor….! Ke dhe Kristaqin aty (Papën)…
…Kisha dy ditë që isha kthyer nga pushimet, kur telefoni cingëriti…E kisha harruar fare ftesën…
– Marku jam, mos harro, sot në orën 5 e gjysëm-6.00 do të vijë një miku im që banon afër teje dhe do të marrë. Duhet të vini shpejt, në orën 7 pa pesë të jeni në Astoria tek Vicktory Garden Cafe’… Mos u vononi…ai nuk di gjë!
-Po kush është personi i ditëlindjes?
-Do ta mësosh….Kaq tha Marku dhe e mbylli….
Personi që erdhi të më merrte ishte Petrit Nika nga Shkodra. Banonte vetëm dy blloqe larg meje, por nuk ishim takuar asnjëherë më parë edhe pse ishim miq në Facebook.
Drejt e në temë Petriti:- Lexoji këto bejte shkodrane se i kam shkru shpejt e shpejt për atë personin që ka ditëlindjen.
U shkriva së qeshuri me humorin brilant, me vargje që rimonin herë kryqazi, e herë putheshin në rimë të njëpasnjëshme,… e njoha pa e takuar Rremën, qejfliun, shakaxhiun, njeriun punëtor, që e donin të gjithë.E njoha nga bejtet e Petritit. Po gjatë rrugës njoha dhe fqinjin tim, i cili kishte përshkuar një kalvar të vërtetë mërgimtari, që në vitin 1990, kur kaloi klandestin në shtetin fqinj në jug të Shqipërisë, për pesë vitet e vështira në Greqi, e derisa fati e solli në Amerikë.
… Edhe pse Petriti u përpoq të mbante fjalën që i kishte dhënë organizatorit të darkës surprizë,Markut, për të qenë në 7 pa 5 në restorant, trafiku i pragmbrëmjes , e pengoi. Marku merrte çdo 5 minuta në telefon. Po pse kaq vonë….Po nga i ratë? Pse nuk morët Treeborough bridge, por ç’deshët nga Whitestone bridge? Çfarë t’iu them…si ta gënjej Rremën….O, ç’më bëtë….!
– Bëj si të bësh, he burrë!- i përgjigjej Petriti.
Gjithësesi arritëm të hyjmë para Rremës në Restorant, ku na priste princesha e vogël Elisa Qehaja, vajza e Markut, që krahas shkollës amerikane studion në fundjavë në Shkollën Shqipe në Astoria, që drejtohet nga Krstaq Papa. Elisa, ka vendosë një ekspozitë të vogël me fotografi, ku Rrema-personazhi i kësaj mbrëmjeje është në plan të parë dhe ka piktuaruar një malsor me Flamurin kuq e zi, ndërkohë që përballë, është një kënd tjetër, ku i urohet ditëlindja Muharrem Kopanit, i cili pikërisht më 12 Gusht mbushte 68 vjeç.Elisa ka zënë fshehtazi një kënd dhe regjistron Rremën në të gjitha lëvizjet.
Në tavolinë kanë zënë vend: Anastasi nga Lukova, Petrit Nika nga Shkodra, Mark Qehaja nga Tropoja, Përparim Sula nga Puka, Inxhinier Hazbi Shehu nga Berati, Kristaq Papa nga Lushnja, dhe dy nipërit e Muharremit- Plaurenti dhe Eltoni…Vetëm burra….
Ndërkohë që Muharremi hyn në lokal, pamja që i shfaqet e step, por vetëm për një çast. E kupton”lodrën” që i kanë organizuar dhe nën urimet”Gëzuar Ditëlindjen” takohet me secilin dhe i falenderon….
Petrit Nika nuk ka kohë për të humbur, kërkon t’ia marrë protagonizmin Markut, që bëhet gati të mbaj fjalimin hapës; dhe ia nsi me bejtën shkodrane…Rrema dëgjon dhe qeshet papushim. Të gjithë qeshim….Shumë e bukur bejta…
Nga ana e tij Marku nuk hoqi dorë nga fjalimi…por me gotë…:Gëzuar ditëlindjen Rremë!
Darka është shtruar në një dhomë të veçantë. Edhe pse ka klientë amerikanë në restorant,mbrëmja është nën pushtetin e e këngëve shqiptare. Privilegj për Rremën. Një mbrëmje e ngarkuar me humor e biseda shokësh. Secili tregon diçka nga njohja me Muharremin. Vetë Muharremi merr rolin e protagonistit dhe tregon copëza nga jeta 68 vjeçare. Jeta ka qenë e çuditshme me të; e ka ngjitur dhe e ka zbritur, e ka marrë përpara, dikur e ka përkëdhelur, e ka futur në sallone plot dritë e në skuta të errta, diku e ka përplasur, e diku e ka nxjerr në breg….derisa e solli këtu në këtë vend, ku demokracia dhe liria nuk janë sllogane. Por gjithësesi edhe për Rremën ka brenga….Njerëzit matanë Oqeanit….Malli mërgimtar…Por punët i shkojnë mirë. Bosi i tij kinez(Rrema punon në një ndërtesë, ku ka studio artistësh, piktorësh), e respekton dhe i beson më shumë se kujtëdo tjetër. Kur i vijnë vizitorë, përfshi dhe majorin e qytetit,a kongresmenë, të parin që i paraqet mysafirit, bosi prej Shangaji, është pikërisht Rrema…Edhe pse ka të tjerë me detyra më të rëndësishme se ai…
…Biseda është e ngarkuar me tregime e humor. Dikur vijnë në tavolinë pronari i restorantit me zonjën dhe e urojnë Muharremin për ditëlindjen. Një fotografi e përbashkët mbetet si kujtim i asaj mbërmje.
Shëndete për secilin, bejte, sonete, dhe koha fluturon…verë, raki shqiptare, dhe shumë urime.
-Miq, nuk ua shpërblej dot. Më keni futë në borxh. As njerëzit e mi më të afërt nuk mund të ma bënin kaq të lumtur këtë ditëlindje, thotë Muharremi, ndërkohë që Petriti ia “lag” fjalimin me humor, dhe kërkon ta ngrejë në valle.
Petriti është plot humor, Marku, organizatori i darkës, nuk e jep veten. Kristaqi flet pak. Anastasi pasi tregoi një gazmore nga koha e shkuar, kërkoi leje …; Përparimi-bashkrahinar i Rremës, hedh batutat dhe tërhiqet, Plaurenti dhe Eltoni, janë nën urdhërat e protagonistit, inxhinier Hazbiu, respektohet si balli i tavolinës-edhe pse është ulur në qendër… Rrema por nuk ka kohë të humbë, ngre dolli, pret gëzime, i kthen reston batuatave të humorit Petritit, dhe falenderon Markun….Kur vjen torta, ku është shënuar ditëlindja e 68-të, Petriti u ndërron vendin shifrave, 6-ta del pas 8-tës dhe lexohet 86!. Sërish gaz…Pastaj, një reng nga Petriti, dhe hunda e Rremës është zhytur në tortë….
DITËLINDJA SI SHKAS….DHE NJË HISTORI QË IA VLEN TË TREGOHET
Disa nga ne nuk njiheshin me njeri-tjetrin deri në momentin e takimit. Kjo Ditëlindje shërbeu si shkas për të mësuar më shumë. E shkrova që në fillim të këtyre radhëve se me Petritin, edhe pse jetonim shumë afër, ishim komshinj nuk e kishim takuar njeri-tjetrin.
Nëse Petriti ia bëri prortetin me bejte Muharremit, ky i fundit ia ktheu ndryshe kusurin… E nsi pak a shumë si fjalimi hyrës, u drejtua nga unë: – A e di se kë ke kojshi?
-Po, e mësova sonte, ia ktheva….
– Petriti është flori, zotni djalë. Ka familje të shkëlqyer. Fëmijët i ka në ballin e shkollave. Ka një kompani mermeri në Yonkers. Kur vijnë shqiptarët që janë mërgimtarë fillestar prej trojeve etnike, shkojnë e trokasin tek Petriti, dhe i kërkojnë që t’i punësojë. Dhe ai askënd nuk ka kthyer pas. Është bërë si Nënë Tereza per bamiresi. Edhe kur ata e rregullojnë stausin e tyre, pas dy vitesh a më shumë, kur gjejnë punë më të mira, ikin prej tij, ai nuk u zemrohet.
Pasi hesht pak,ia nsi sërish rrëfimin: kjo që ju tregova s’është gjë, përpara një akti njerëzor që ka kryer ai me një bashkatdhetarin tonë.
Muharremi kërkon që vetë Petriti ta vazhdojë tregimin. Ai duket në mëdyshje, por këmbëngulja e të gjithëve, edhe lutja ime, e bënë që të na tregojë me detaje.
Historia është e dhimbshme. E harrojmë humorin. Braktisim edhe gotat dhe ushqimin. Përpijmë rrëfimin e Petritit. Ngjarja ka ndodhur pak vite më parë. Personin për të cilin po tregonte e kisha parë edhe vetë rrugëve si homeless, por nuk e dija se ishte shqiptar. Petriti kishte dëgjuar se një bashkëvendas i tij konsiderohej i humbur prej 9 vitesh. Familja,që ai e njihte,po e kërkonte. Në emisionet e Radio-Tiranës përcillej kërkesa, por askush s’përgjigjej. Djaloshi kishte qenë i shkëlqyer në mësime në vendlindje, por nuk ia kishin nxjerrë të drejtën e studimit. I ishte thyer zemra.Dikur, i qe mbushë mendja të arratisej. Pat kaluar kufirin në ish Jugosllavi, e më pas kishte përfunduar në Amerikë. Kishte punuar fort dhe nuk kishte dalë keq. Pak para mënjanë.Por dikur e ia plasën zemrën njerëz të njohur dhe zhgënjehet. Humbet financiarisht,humbet besimin e shpresën, por humbet edhe mendjen. Bredh rrugëve. Flokët e gjatë, mjekra deri në poshtë gjoksit, endet rrugëve të Nju Jorkut,shpesh pa një strehë ku të fusë kokën… njerëzit i largohen.
Herë herë ushqehej në kazanët e plehrave. Piëkrisht në një moment të tillë e gjenë Petriti, i cili ia njihte familjen dhe e kishte dëgjuar apelin e tyre.
I thërret në emër. Ai stepet, por nuk vrapon për të ikur.
– Jam Petriti, i prazantohet, ti F….je?
-Po, …
– Sonte do të vish në shtëpinë time! Do të mbajë me fëmijët e mi, do të lahesh, do të pastrohesh, do të ushqehesh, do të gjej punë, braktise këtë jetë rrugësh…. Për fat, ai ishte bindur. Dhe Petriti e kishte çuar në shtëpi, e kishte pastruar, e kishte ushqyer dhe dalëngadalë e kishte kthyer në normalitet. E mori dhe në punë në kompaninë e vet, e pagoi njësoj si punëtorët e tjerë, pavarësisht sa punë bënte….dhe e përgatiti për muaj të tërë për kthimin në shtëpi.Para se t’i propozonte kthimin e lidhi në telefon me familjen. Nisi të fryjë era e ngrohtë e dashurisë familjare. Sytë i morën ndriçimin njerëzor, që prej 9 vitesh ish shuar…..
Një ditë prej ditësh i propozon:- F…unë do të shkoj në Shkodër për Krishtlindje, a vjen dhe ti me mua?
Ai kishte heshtur për pak çaste, pastaj kishte tundur kokën në shenjë miratimi…, por Petritit i dolën punë në kompani. Si t’ia bënte? Ia thotë me kujdes mendimin:-Po sikur ta pres unë biletën, a mund të udhëtosh vetëm për në Shkodër?
– Po, ia kishte kthyer ai…
Vepro i shpejt Petriti, e gjeti biletën brenda ditës dhe të nesërmen e përcolli në aeroport dhe e nisi drejt Shqipërisë….ja kështu, shpëtoi një jetë ky Petrit Nika….Tani, sa herë shkon në vendlindje, e takon edhe atë….
Petriti mbushet me frymë sikur të kishte shkarkuar një barrë të rëndë prej vetes….
Flamur Shabani says
Disa nga pjesemarresit ne ditelindje i njoh edhe une dhe vleresoj kulturen e tyre dhe etiken shoqerore.Ty,i nderuar Dalip,te pergezoj per shkrimin realist e me ngjyra humori,duke e bere ate me te kendshem per lexuesit e me te asimilueshem per te nxjerre ne dukje virtytet me te mira te shqitareve,sidomos ne perkrahjen dhe solidaritetin kur ndodhen larg atdheut.Mikut tuaj ,Muharremit ,i uroj jete te gjate dhe perhere mes miqsh te mire si ju.