1.Kishte disa ditë, që drejtoresha e kulturës, në Bashkinë e Dibrës, Zamira Gjeleshi lajmëroi se, në kryeqytetin tonë, do të ishin “Ditët e Dibrës”, në datat 8 e 9 prill 2017. Si vendi më i përshtatshëm, ishte zgjedhur “Pazari i Ri”, tashmë me një pamje më të bukur e më funksionale. Për veprimtaritë e larmishme dhe të bukura, që priteshin të organizoheshin aty, më lajmëroi Lindita Titka-Pasholli, mbesa e edukatores së paharruar dhe të talentuar të vajzave dibrane, Nazmie Pasholli-“Mësuese e merituar”. Prandaj, së bashku, ne shkuam atje dhe i ndoqëm, disa nga ato.
Sapo u futëm në anën e majtë të atij mjedisi të këndshëm, përpara na dolën dhjetëra dibranë, që i kishin sistemuar aq bukur, punimet e artizanatit, por dhe prodhimet bujqësore e blegtorale. Ato do t’i tregtonin për banorët kryeqytetas. Hijeshinë e tërë atij mjedisi të veçantë, ia shtonin vogëlushët dhe djemtë e vajzat e asaj krahine, të veshur me rroba shumëngjyrëshe popullore. Në mesin e tyre, instumentistë të talentuar u binin veglave popullore të atyre anëve. Kështu, vërtet, ata të krijonin kënaqësinë dhe ndjesinë e një feste të bukur.
Pak më tej, në ballë të sheshit, ishte një podium i posaçëm dhe i zbukuruar. Aty u ngjitën, me shpejtësi, këngëtarë e instrumentistë popullorë. Sakaq, sheshi shpërtheu në duartrokitje, kur këngët e tyre shoqëroheshin nga daullja, gajdia e çiftelia dhe instrumentë të tjerë të njohur, nga krahina e Dibrës e më gjerë.
Tërë këtë manifestim masiv, ndër të tjerët, po e shoqëronin edhe disa djem e vajza, gjithashtu me rroba të bukura popullore, të cilët ishin ulur rreth një sofre të stërmadhe. Ashtu, ata imitonin festat e gëzimet popullore të tyre, me shishet e pijeve dhe mezet përpara. Për të shprehur nostalgjinë e tij për vendlindjen, bashkë me ta, pra këmbëkryq e duke venë një qeleshe në kokë, zuri vend edhe diplomati shumë i njohur i karrierës dhe mik i kahershëm i imi, Sulejman Tomçini. Po, kështu, duke e imiuar atë, të njëjtën gjë bëra dhe unë. Sigurisht, në të dyja rastet, bashkë me festarët nga Dibra, ne bëmë fotografi, të cilat janë kujtim i rrallë për ne.
2.
Pasditja e djeshme e kësaj feste së dibranëve në kryeqytetin tonë, të cilët ia shtuan gjallërinë atij, për dy ditë radhazi, kishte të veçantën e saj. Ajo i kushtohej mësueses dhe edukatores së paharruar të vajzave të krahinës së Dibrës, Nazmie Pashollit, nderuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, me titullin e lartë, “Mësuese e merituar” dhe tri femrave të njohura të atyre anëve: Atletes Luiza Gega-kampione e Ballkanit, të resë Ambra Meda e Suela Lalës, arsimtare dhe veprimtare e njohur për të drejtat e njeriut.
Moderatore dhe drejtuese e tërë kësaj ceremonie ishte gazetarja Luna D.Methasani. Pata kënaqësinë dhe nderin që, i pari, t’i përshëndesja të pranishmit në shesh, me detyrën shoqërore sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë. Pastaj, përfaqësueses së Bashkisë Dibër, Z.Gjeleshi, i dorëzova dhuratë, librin tim të ri, “Kur flasin zemrat…”.Në faqet e tij kam shkruar, me nderim e mirënjohje edhe për veprimtaren e shquar të arsimit kombëtar shqiptar, Nazmie Pasholli.
Në vazhdim, e mori fjalën mbesa e saj, Lindita Titka-Pasholli. Ndër të tjera, ajo tha: “Fatmirësisht, me modesti më duhet të pranoj se edhe familja ime, më saktë, të parët e mi, kanë dhënë sadopak ndihmesën e tyre në trashgiminë historike-kulturore dhe arsimore, të krahinës e mbarë vendit tonë. Këtë gjë e dëshmon dhe vlerësimi i lartë, që ju po i bëni gjyshes sime, nga babai, Nazmie Pasholli. Ajo, tashmë, ka hyrë në historikun e arsimit dibran, mësuese e parë e shkollës së vajzave të Peshkopisë, çelur në vitin 1924. Ndërsa më pas ajo shërbeu me përkushtim, në Trebisht e Homesh…”.
Në mbarim të fjalës së Linditës, e cila u duartrokit nxehtësisht, iu dorëzua “Mirënjohja”, që ka dhënë Bashkia e qytetit të Dibrës. Në motivacionin përkatës, thuhet:”Nazmie Pashollit (pas vdekjes): Për kontributin dhe mbështetjen e pakursyer, në projektin për përparimin; misionare për integrimin, mbrojtjen e interesave të gruas shqiptare dhe promovimin e vlerave të Dibrës”.
Plot emocione u shoqërua nga të pranishmit, poezia e recituar nga Ilda Muka dhe që i kushtohej kësaj mësueseje veterane e të paharruar. Një poezi të bukur recitoi edhe Flavia Goleci. Pas tyre, u dëgjuan fjalët prekëse të vajzës Ambra Meda. Siç është e njohur, ajo u shpëtua nga kthetrat e vdekjes, në saje të mbështetjes së gjerë popullore shqiptare, me një operacion të rrallë, në Mynih të Gjermanisë dhe tani e gëzon jetën, si gjithë moshataret e tjera.
…Kur po largoheshim nga kjo ceremoni mjaft mbresëlënëse, unë e Lindita dhe dibranja e Universitetit të Arteve, Ateri Sakiqi, të “ngarkuar” plot me mbresa të bukura, vëreja me kujdes stërmbesën e Nazmie Pashollit, Sara Titkën, e cila na shoqëroi në tërë atë veprimtari. Ajo e mbante shtërnguar fort, ndër duar, atë “Mirënjohje”, që sot iu dha stërgjyshes së saj. Është pikërisht ajo vajzë shqiptare, e cila në vitin 2004 shkëmbeu letra me Presidentin e Amerikës, Xhorxh Bush. Atëherë, jetuan atje disa kohë, familjarisht. Sa mirë e domethënse është, kur breznitë e reja duan t’i njohin traditat dhe historitë e paraardhësve dhe të mësojnë e të përfitojnë, sa më shumë, prej tyre!
Tiranë, 9 prill 2017