

Nga Ramazan Çeka
Të jesh profesionist në punën që bën është njëlloj si të jesh një idhull në sytë e atyre që besojnë në aftësitë e tua, por kur profesioni lidhet drejtpërdrejt me shëndetin, je akoma më shumë i predispozuar që ta fitosh këtë besim si një shërimtar hyjnor, tek i cili komuniteti dhe pacientët, binden se do gjejnë patjetër shërimin mjekësor dhe shpirtëror.
I tillë ishte edhe rasti i Dr. Bari Cekës nga fshati Millë i Ulqinit, të cilin e njoha falë reputacionit që kishte tek bashkëatdhetarët shqiptarë në Amerikë, falë besimit që kishin ata tek ky mjek e njeri i mrekullueshëm, që të shërbente jo vetëm më dijet e tia profesionale, por edhe me fjalën e ngrohtë që i buronte nga zemra.
Një nevojë emergjente shëndetësore, që pata ato ditë të qëndrimit tim në New York- Amerikë, si pasojë e një problemi gati kritik për jetën time, bëri që unë të njihja nga afër këtë doktor të aftë e kaq vëllazëror.
I përkushtuar i tëri pas punëve të programuara për të cilat kisha shkuar atje, edhe pse isha në atë gjëndje shëndetsore, sërish doja të shfrytëzoja çdo minutë për të realizuar me përpikmëri agjendën që kishim planifikuar si staf, në mënyrë që të mos të isha unë shkaku për dështimin e saj, derisa në një moment mu duk sikur koha ime u ndal.
Në të vërtetë, më herët, miku im z.Naser Nika, menaxher i “Albi’s Party”, i cili ndihmon jo vetëm artistët këngëtarë në koncertet që organizon herë pas here në Amerikë, por edhe ata që kanë nevojë për kontroll mjeksor, që normalisht planifikohen për një kohë të gjatë, por falë shoqërisë dhe miqësisë që Naser Nika ka me doktor Ceken vizita bëhet e mundur brenda ditës.
Kështu edhe mua më kishte rezervuar një vizitë me dr. Bari Cekën, të cilën për shkak të angazhimeve e humba. Dhe, më keq akoma, mbas asaj dite nuk guxoja të kërkoja një vizitë të dytë, ngaqë më vinte zor pasi e humba për shkak të tejzgjatjes së xhirimeve të disa intervistave për dokumentarin televiziv që po realizonim, por edhe për faktin se trafiku në Manhattan ishte super i ngarkuar, gjë që për ne ishte diçka e panjohur, por kurrsesi nga mungesa e korrektësisë sime.
Megjithatë rëndimi i gjendjes sime vuri në lëvizje përsëri z.Naser Nika për të kërkuar një tjetër pronotim, urgjent kësaj rradhe, në bashkëpunim me miqt e mi krajanë e veçanërisht Kryetarin e Shoqatës “Kraja” z.Mirsad Kovaçi, i cili më dërgoi në klinikën e doktorit, para të cilit edhe pse krejt i pafuqishëm fizikisht, më rëndonte ajo ndjesia e të qënit si në faj.
Çuditërisht në takimin me të, edhe pse për herë të parë, më ngjau sikur njiheshim prej kohësh, pasi edhe biseda me të pranishmit kaloi në një afrimitet gati familjar, aq marrëdhënje të mira reciproke kishte krijuar me bashkatdhetarët ky doktor profesionist, vlerat e të cilit peshonin më rëndë se fiziku i tij.
Më ka mbetur në mëndje intuita, aftësia dhe saktësia e tij në të kuptuarit e gjëndjes sime shëndetsore, aq sa, sapo më pa më pyeti: “A nuk e don më veten tënde”? ose, si të thuash: “A e ke veten tepër”?… çka më la të kuptoj se gjëndja ime ishte vërtetë kritike.
Ishte një vizitë mjeksore që nxori në pah aftësitë profesionale të një doktori unik në fushën e tij, jo vetëm në Amerikë por edhe në botë, do të thoja, pasi e gjithë vizita ishte e fokusuar në pyetje – përgjigje, pak vëzhgim me prekje e dëgjim me stetoskop…Dhe më pas, një ekzaminim i menjëhershëm me përpikmëri i gjëndjes sime shëndetsore, me shkak e me pasojë, për të cilën dr. Bahri Ceka lëshoi me firmën e tij edhe recetën e barnave që do i kthenin shëndetit tim normalitetin.
Një gjilpërë paraprake për forcim imuniteti më dha fuqi t’i bashkohem bisedës së të pranishmëve sa me të qeshur iu ktheva: Doktor, praktika jote e punës lë pa punë gjysmën e Shkodrës, se për një recetë doktorët të detyrojnë të bësh një mori analizash: si gjak, urinë, ekografi, skaner, rezonacë, e sa, e sa ekzaminime të tjera, vetëm e vetëm me përfitu, ose me përvetsu “dije” nga halli që të ka zënë.
Biseda u kthye në të qeshur, por po aty mësova se Dr. Bari Ceka kishte mbi 20 vite punë në Mjeksinë Interne, Intensive dhe atë Kardiovaskulare ku përgjatë këtyre viteve kishte fituar shumë çmime prestigjioze si mjek i dalluar në SHBA, me motivacione të virtyteve më të larta humane, i cilësuar si personi që i kishte qëndruar pranë si askush tjetër çdo shqipfolësi me probleme shëndetsore në Amerikë.
Ai me kontributin e tij personal ishte donator i shumave të mëdha monetare të dhëna për blerjen e një sërë pajisjesh tepër të nevojshme për shtëpinë e shëndetit publik në Katërkollë të Ulqinit.
Me porositë e Doktorit dhe dashamirsinë e tij ndjeva se shëndeti im nisi të përmirësohej dukshëm, sikur po më shëronte me fjalë. Ndoshta ky është sekreti i një shëronjësi me zemër të madhe; që të shëron me fjalë zemre, ndjesi të cilën e përjetova edhe unë falë kësaj eksperience të paharruar me patriotin shqiptaro – amerikan dr. Bari Ceka, me humanin që të shëronte me dorën dhe fjalën e tij, si një profet që i rri mbi kokë me përkujdesje e dashuri njerëzve që kanë nevojë për të, prandaj edhe unë po me fjalë zemre i uroj suksese e mbarësi në punën dhe jetën e tij.
Dhjetor 2021