
Nga Mimoza Dajçi/
Roli i OJQ-ve, Organizatave dhe shoqërisë civile si, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Rrjeti i Grave të Kosovës, dhe organizata të tjera lokale kanë luajtur një rol kyç në mbrojtje të të mbijetuarve të luftës në Kosovë, duke ofruar mbështetje psikologjike, juridike dhe mjekësore për gratë, fëmijët e të moshuarit. Shumë nga të mbijetuarat e luftës në Kosovë kanë pasur e vazhdojnë të kenë pasoja të rënda fizike dhe psikologjike, depresion, ankth dhe probleme me shëndetin riprodhues. Por siç dihet pas luftës, viktimat u përballën me një tabu të madhe shoqërore, çka shpesh çoi në izolim, përjashtim nga familja ose hezitim për të kërkuar ndihmë.
Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore për njohjen zyrtare të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Në vitit 2018 u krijua Komisioni Qeveritar për Verifikimin dhe Njohjen e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, i cili u mundëson të mbijetuarve të aplikojnë për të marrë një pension mujor dhe përfitime të tjera ligjore. Por sot konkretisht do të ndalem tek bashkëpunimi i mirë që gratë shqiptare në SHBA kanë me Shoqatën “Krimet e Luftës Gjakova 98-99”, organizatë që kontribuon me përkushtim në dokumentimin, ruajtjen dhe promovimin e së vërtetës mbi krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, të cilat në kuadër të veprimtarisë së tyre kanë realizuar dy dokumentarë të një rëndësie të veçantë historike dhe shoqërore.
Organizata “Krimet e Luftës në Gjakova 98’99” drejtohet nga Znj. Shkëndije Hoda, e cila ka qenë vetë pjesëmarrëse në luftë dhe është një ndër gratë simbol të rezistencës, sakrificës dhe angazhimit për lirinë e Kosovës. Gjatë viteve të luftës, ajo iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) duke shërbyer me përkushtim si ushtare dhe duke dhënë kontribut të drejtëpërdrejtë në përjekjet për çlirimin e vendit.
Pas përfundimit të luftës, Shkëndije Hoda vazhdoi misionin e saj në shërbim të shtetit, duke qenë pjesë e strukturave të Sigurisë si oficere në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) në këtë detyrë ajo punoi me përgjegjësi dhe profesionalizëm, në ndërtimin e institucioneve të para të sigurisë në Kosovën e pasluftës.
Me inisiativën direkt të saj, kjo organizatë ka realizuar dy dokumentarë të rëndësishëm që flasin për evidentimin krimeve të luftës, ruajtjen e së vërtetës historike dhe për forcimin e ndërgjegjes shoqërore për rëndësinë e drejtësisë dhe kujtesës kolektive.
Dokumentari me titull “112 Dhimbje dhe Krenari” i kushtohet 112 fëmijëve të vrarë gjatë luftës në komunën e Gjakovës. Komunë të cilën pata mundësi ta vizitoj së bashku me babain tim (nip i familjes Boletini), sapo në Kosovë hynë forcat e NATO-s.
Toka ishte akoma e nxehtë me plagë lufte e erë baruti, shtëpi të djegura e të shkatërruara nga artileria serbe. Njerëz që kërkonin familjarët e tyre të vrarë e të zhdukur. Forcat militare serbe kishin përqëndruar akoma përforcimet e tyre përgjatë godinave kryesore të Gjakovës. Nuk ishte situatë e lehtë për të qarkulluar, por si gazetare me status internacional dhe ndihmën e oficerëve të NATO-s, munda të shikoj e përjetoj nga afër pasojat e luftës, krimet dhe dramën e madhe që përjetuan motrat, fëmijët e vëllezërit tanë gjatë asaj lufte makabre në Kosovë.
Dokumentari tjetër me titull “Dhimbje që Heshtin” trajton plagët e rënda të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke sjellë rrëfime, dëshmi dhe mesazhe të fuqishme për drejtësi, dinjitet dhe kujtesë.
Përsa i përket ndërgjegjësimit publik dhe zërave të të Mbijetuarave të luftës në Kosovë, më duhet të flas për Vasfije Krasniqi-Goodman, një nga figurat më emblematike, e cila doli publikisht për të treguar historinë e saj, duke thyer heshtjen e duke u bërë zëri i mijëra grave të tjera. Si dhe Shyhrete Tahiri-Sylejmani, një tjetër e mbijetuar që doli publikisht dhe kërkoi drejtësi, duke ndihmuar në largimin e stigmës.
Gjatë luftës në Kosovë 1998–1999, dhuna seksuale u përdor në mënyrë sistematike nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe si një armë e qëllimshme e luftës, me synim terrorizimin, poshtërimin dhe shkatërrimin e strukturës sociale të popullsisë shqiptare.
Numri i viktimave, kryesisht gra e vajza, por edhe burra, vlerësohet se rreth 20,000 persona (kryesisht gra e vajza, por edhe burra) i janë nënshtruar dhunës seksuale gjatë konfliktit. Por për shkak të stigmës së thellë shoqërore, frikës dhe traumës, shumë raste kanë mbetur të paraportuara.
Pavarësisht dëshmive të shumta, numri i personave të dënuar nga gjykatat vendore apo ndërkombëtare për krime të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë po përballet me sfidat e drejtësisë, pasi mungesa e ndëshkimit mbetet jashtëzakonisht e ulët.
Mungesa e dënimit të kryerësve të veprave mbetet një nga plagët më të mëdha jo vetëm për të mbijetuarat, por për gjithë shoqërinë. Por realizimi i dokumentareve, dokumentimi i krimeve të luftës është një tregues që i shërben evidentimit të krimeve kryer nga makineria serbe gjatë luftës në Kosovë dhe shpresojmë që së shpejti edhe dokumentarët realizuar nga Shoqata “Krimet e Luftës Gjakova 98-99”, të shfaqen edhe për auditorin shqiptaro – amerikan në New York, kudo në SHBA, Shqipëri e më gjerë.