Dr. Elmi Berisha/
Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA dhe të gazetës Dielli, Dom Ndue Gjergjit i shpreh nderimin më të thellë e respektin më të veçantë për punën pastorale, angazhimin patriotik, aktivizimin qytetar e kontributin e çmuar për komunitetin shqiptar në Detroit të Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E vlerësoj dhe njoh nga afër vlerat e kontributin e njeriut të bekuar të Zotit e të popullit, Dom Ndue Gjergjin që 3 dekada më parë. Përgjatë gjithë jetës së tij Dom Ndoja ka qenë model i thjeshtësisë, urtësisë, modestisë, mençurisë e mbi të gjitha paqes. Kontributi i tij do të respektohet gjithmonë prej komunitetit shqiptar. Ai ka meritë të veçantë në organizimin e shqiptarëve në Detroit, në ruajtjen e kulturës kombëtare, gjuhës shqipe, historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Amerikës. Dom Ndue Gjergji ishte shumë afër komunitetit, rritjes dhe zhvillimit të tij. Roli e kontributi i tij i gjithanshëm do të mbeten përgjithmonë në memorien e komunitetit tonë. Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA dhe Gazeta DIELLI do ti jenë falënderues bashkëpunimit të ngushtë e të sinqertë.
Dom Ndue Gjergji në gjithë veprimtarinë e tij ishte model i njeriut, model i shërbëtorit të Zotit e grigjës së Perëndisë. Me propozim të Vatrës, Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta e dekoroi Dom Ndue Gjergjin me Urdhërin e Lartë “Nënë Tereza” për shërbimin, përkushtimin dhe veprimtarinë e tij të shquar. Pesë dekada në shërbim të komunitetit shqiptar dhe Zotit të shenjtë, është nder, krenari dhe lavdi për secilin nga ne.
Nderim dhe mirënjohje për veprën, trashëgiminë dhe shërbimin që Dom Ndue Gjergji bëri për pesë dekada për të gjithë ne.