




Sokol Paja
Foto: Nazim Salihu & Dritan Haxhia
New York, 17 Nëntor 2024 – Famullitari i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në New York Dom Pjetër Popaj celebroi 39 vite shërbim e përkushtim ndaj Zotit, atdheut e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një personalitet fetar e atdhetar, lider i jashtëzakonshëm shpirtëror, vizionar, patriot e punëtor i palodhur dëshmon punën e shkëlqyer të Kishës Katolike në Amerikë si dëshmi e fuqishme identitare kombëtare për mbarë kombin shqiptar. Me binomin e shenjtë për fe dhe atdhe, veprimtaria fetare, atdhetare e komunitare e Kishës Katolike e udhëhequr nga Dom Pjetër Popaj e Qendra Kulturore “Nënë Tereza” janë shndërruar në një institucion të shenjtë atdhetar në ruajtjen e fesë, historisë, kulturës, gjuhës shqipe, traditave e vlerave më të çmuara të kombit shqiptar në mërgatën e Amerikës. Djakon Orsin Turmalaj foli rreth veprimtarisë së shquar fetaro-atdhetare të Dom Pjetër Popaj duke emocionuar të pranishmit me rrugëtimin e meshtarisë në 39 vite jetë. Në meshën e shenjtë sot ishte pjesëmarrëse speciale ish- kryetarja e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë zonja Jozefina Topalli bashkë me familjen e saj dhe të shoqëruar nga editori i Diellit. Në fjalën e saj ajo përgëzoi famullitarin e Kishës Katolike Zoja e Shkodrës Dom Pjetër Popaj në misionin e tij të shenjtë, për përkushtimin dhe dedikimin dhe e vlerësoi për punën e jashtëzakonshme si udhëheqës shpirtëror në shërbim të Zotit e komunitetit shqiptar në New York. Zonja Topalli u shpreh se te Kisha Zoja e Shkodrës duket sikur Zoti është bashkuar me shpirtin shqiptar, me lutjet e tyre për ditë më të bukura në jetën e tyre dhe të vendlindjes së tyre. “Kjo kishë, kjo meshë e shenjtë, ky takim me ju sot është si një strehë, një kënaqësi shpirtërore e jashtëzakonshme. Besimi në Zot i ka ndihmuar njerëzit për të tejkaluar betejat e sfidat personale e po ashtu edhe kombin në sfidat e betejat e veta” tha ndër të tjera zonja Jozefina Topalli në takimin e përzëmërt e vëllazëror me bashkatdhetarët shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Drejtuesit e Këshillit të Kishës Zoja e Shkodrës me kryetar Ndrekë Tonaj dhe komuniteti shqiptar në New York e më gjërë i rezervoi një pritje të shkëlqyer shqiptares së veçantë Jozefina Topallit, personifikim i vlerave më të çmuara familjare, patriotike atdhetare e kombëtare shqiptare.