








Sokol Paja/
New York, 16 nëntor 2025 – Famullia e Kishës “Zoja e Shkodrës” nën përkujdesjen e veçantë të Këshillit të Kishës dhe me pjesëmarrjen e organizatave e shoqatave patriotike, veprimtarëve të çështjes kombëtare e personaliteteve të shquara kombëtare të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, festuan 40 vjetorin e shugurimit meshtarak të Dom Pjetër Popajt, personalitet i shquar fetar e atdhetar. Prifti i parë shqiptaro-amerikan i shuguruar në Amerikë, Dom Pjetër Popaj, është pjesë thelbësore e historisë së komunitetit katolik me kontribut të jashtëzakonshëm fetar, kulturor e patriotik në dobi të komunitetit shqiptar dhe çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nën prezantimin dinjitoz të Ndrekë Tonajt, pas bekimit të drekës së nderimit, Dom Nikolin Përgjini, kujtoi me emocion kronikën te “Zëri i Amerikës” para 40 viteve për këtë shugurim të shenjtë që u festua sot, në një kohë që Dom Përgjini gjendej në internim në Shqipërinë komuniste. Një dokumentar historik mbi jetën dhe veprën e Dom Pjetër Popaj, përgatitur mjeshtërisht nga Dritan Haxhia dhe Bujar Alimani, shpalosi dimensionin madhështor të klerikut atdhetar me histori e gjurmë të pashlyeshme në komunitetin shqiptar në Amerikë. Monsinjor Angelo Masafra përcolli një mesazh të rëndësishëm duke u fokusuar te veprimtaria ungjillizuese e Dom Pjetër Popajt në New York, ndërsa Diakon Orsin Turmalaj falenderoi njerëzit më të rëndësishëm të rrugëtimit të jetës së shenjtë të Dom Pjetër Popajt si prelat i lartë i kishës katolike në veprimtarinë klerikale për fe dhe atdhe.
Ndrekë Tonaj, kryetari i Këshillit të Kishës “Zoja e Shkodrës” në fjalën e tij theksoi se jeta shembullore kishtare e Dom Pjetër Popaj, veprimtaria e shenjtë baritore, përfaqësimi dinjitoz në daljet publike e vizitat komunitare, organizimi i aktiviteteve kulturore e kombëtare, puna juaj edukative e patriotike me Qendrën Kulturore Nënë Tereza, i ka dhënë kombit shqiptar një shërbim të madh patriotik në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar, historisë kombëtare, traditave, gjuhës shqipe dhe kulturës së kombit tonë, tha ndër të tjera z.Tonaj.
Gazetari i shquar i “Zërit të Amerikës” z.Frank Shkreli në fjalën e tij u fokusua te roli i Dom Pjetër Popajt si klerik e patriot në komunitetin katolik në New York, përkushtimin dhe punën e tij të palodhur, ndikimin në jetën e besimtarëve, si promotor i të drejtave të njeriut dhe kauzave kombëtare. Historiani Gjon Ivezaj në fjalën e tij paraqiti jetën baritore dhe veprimtarinë intelektuale e komunitare të famullitarit Dom Pjetër Popaj si apostull i shqiptarizmit.
Gazetari Gjekë Gjonlekaj u ndal te formimi filozofik e teologjik i Dom Pjetër Popajt dhe mijëra meshë e ceremoniale katolike në shërbim të komunitetit katolik shqiptar në Amerikë. Kryetari i Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha në emër të të gjithë vatranëve e shqiptaro-amerikanëve dhe nderoi jetën e veprimtarinë fetare, patriotike, kulturore, komunitare dhe atdhetare të Dom Pjetër Popajt si zë i fortë dhe figurë e shquar e udhëheqëse në komunitetin shqiptar në Amerikë.
Shkrimtari Mëhill Velaj dhe Albert Popaj nipi i Dom Pjetër Popajt emocionuan të pranishmit me fjalët e tyre për njeriun e Zotit, Dom Pjetër Popajn, teksa Tom Paloka recitoi një poezi të ndjerë për famullitarin Popaj.
Udhëheqësi shpirtëror i Famullisë “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj në fjalën e mirënjohjes u ndal te puna e shkëlqyer e bashkëpunëtorëve të ngushtë e të gjithë këtyre viteve Ndrekë Tonaj, Mark Berishaj, Angjelina Nikën me “Rozafatin”, Dritan Frrok Kol Bibën, bujarinë dhe fisnikërinë e çdo besimtari dhe komunitetit shqiptar në New York.
Në shenjë nderimi e respekti nga Vatikani Papa Leoni XIV ka nderuar me BEKIMIN APOSTOLIK Dom Pjetër Popajn për shërbimin e tij të çmuar fetar për 40 vite, ndërsa edhe Këshilli i Kishës nderoi në mënyrë të veçantë Famullitarin Popaj. Mirënjohje përjetë Dom Pjetër për gjithçka i ke dhënë popullit tonë e kombit tonë. Ceremonia festive e nderimit vazhdoi deri vonë nën argëtimin e këngëtarëve: Gëzim Nika, Ermira Bushaj, Vjollca Luka, Xhovani dhe Alfred Popaj.