
Mondi Rakaj/
Dje, në emër të Federatës Pan-shqiptare Vatra, zhvillova një takim me kandidatin për Senat në Shtetin e Michiganit, avokatin Renis Nushaj. Me Renisin diskutuam rreth Federatës Pan Shqiptare Vatra dhe degëve të saj nëpër shtetet e Amerikës dhe Kanada, por edhe për Vatrën në fillimet e saj. Avokat Nushaj ka zhvilluar një fushatë të shkëlqyer dhe frymëzuese në Michigan. Folëm për sfidat e fushatës në garën në shtetin e Michiganit. Renisi ishte kandidati që kishte arritur të mbledhë shumën më të madhe monetare deri tani në kampin demokrat.
I theksova z. Nushaj se është e domosdoshme që Shqiptarët të kenë përfaqësuesin e tyre në Shtetin e Michiganit, dhe jemi me fat që tani kemi 3 kandidatë që po garojnë në poste më të larta në shtetin e Michiganit: Suzana Shkreli për Secretary of State, Renis Nushaj për State Senate dhe Robert Lulgjuraj për US Congressman.
Është një fat i mirë që shqiptarët e Michiganit të mobilizohen masivisht dhe të votojnë kandidatët shqiptarë. Mbështetja e komunitetit shqiptar do të jetë përcaktuese për garat elektorale të bashkatdhetarëve tanë. Shqiptarët në politikën amerikane po forcojnë gjithnjë e më shumë pozitat dhe forcën e komunitetit në shoqërinë dhe institucionet amerikane. Suksesi shqiptar në Amerikë është sukses kombëtar.