
Nga Alfons GRISHAJ/
Mediat dhe opinioni kombëtar dhe ai ndërkombëtar u njohën me dorëheqjen e Kryeministrit Haradinaj. Pothuajse në mënyrë unanime ai u përshëndet nga mediat shqiptare, prononcimet në FB, portalet private etj… duke u quajtur “një hero”, një njeri me përgjegjësi dhe vetëdije të lartë, i cili sa herë ka “nevojë” Haga për investigime dhe pyetje ekstra… ai jep dorëheqje. Pikërisht këtu nis dhe zanafilla e kritikës time…
Oh what times! Oh what customs ! (Ciceroni)
Ramush Haradinaj, një luftëtar i thekur lirie, nuk duhet të binte në grackat e anti-shqiptarëve dhe “eminencave gri” që falen në Serbi. Tashmë ai e kishte përvojën dhe nuhatjen e politikanit të rritur në aksione dhe diplomaci. Populli i Dardanisë dhe Kuvendi saj i dha dhe një mandat tjetër për t’i shërbyer atdheut në mënyrë të zgjuar e rigoroze, për t’a nxjerrë nga kolapsi, korrupsioni dhe pazaret e ndyra të ish bashkëpunëtorëve të tij, të cilët bënin… dhe bëjnë akoma rolin e protagonistëve paqësorë dhe politikanëve profesionistë, por, që në fakt nuk janë asgjë tjetër veç ca servilë, dallkaukë dhe puthadorë të këmbanave të vjetra antikombëtare.
Haradinaj me veprimin e vet, dhe mbase dhe këshillat e këqija, i bëri një dëm të konsiderueshëm popullit të vet duke hapur portat e kështjellës për kalin trojan.
Lidhur me akuzën, Haradinaj ia dha mundësinë disa herë Gjykatës Hagës (për të cilën ruaj respekt, por që çuditërisht, ky Tribunal që guxon të thërrasë Haradinaj disa herë, nuk guxon të arrestojë një ushtar të vetëm amerikan që është i akuzuar si Haradinaj!), dhe “gjuetarëve të shtrigave” për të bërë investigimet e nevojshme të specializuara. Gjithashtu, ia dha dhe privilegjin armiqve të tij për fabrikimin e akuzave fallso. Dhe pse Karla Del Ponte, do e përkufizonte si kriminel lufte, dhe trysnia e mekanizmit dinak të qarqeve jomiqësore ishte e madhe, ai mori pafajësinë. Vuçiç, do e quante lëvizjen e fundit (dorëheqjen) të Haradinaj: “Mashtrim Politik!” Por prapa kuintave nuk ndajnë të njëjtin mendim udhëheqësit e qeverive europiane, të cilët e kanë përshëndetur për sy e faqe qëndrimin e Haradinaj, por që në fakt janë dashnorët e Vuçicit.
Duke e njohur këtë realitet të trishtë alternativ e subjektiv, armiku e quan “Mashtrim Politik”, kurse “miqtë” që bëjnë orgji me armikun e brohorasin?! Ky është kulmi i prostitucionit politik. Litari në dy skajet e humnerës ka qenë gjithnjë ura jonë për të kaluar në Europë. Flip-flapet e politikanëve europianë i kanë kushtuar shtrenjtë Shqipërisë. Nëse këto politikanë e quajnë vendimin e Hagës të padrejtë, përse nuk dalin hapur në mbrojtje të Haradinaj? Dihet botërisht dhe nga kalamajtë se për një akuzë që merr pafajsinë dy herë nuk mund të bëhen më investigime të tjera, sepse tregohet mungesë profesionalizmi dhe serioziteti. Në prag të kësaj thyerje, Gjykata e Hagës, do të merrte emrin, Mejhana e Krrabës. Kjo mungesë serioziteti e institucionit të Hagës, duhet të sillte si pasojë injorimin total të riakuzës nga Haradinaj, por ai nuk e bëri!
Mendoj se, koha e eksperimenteve dhe heroizmave ka mbaruar. Mekanizmi i zhvillimit të një shteti nuk është si mulliri, që mund ta ndalësh sa herë që bluhet mielli. Po e ndale mekanizmin e shtetit, pushon zhvillimi, ndalet ora dhe mbretëron kaosi. Ky burrë duhet ta dijë mirë këtë. Nuk bëhen eksperimente në një laborator pa lëndën kryesore dhe eproveta. Çdo eksperiment i tillë sjell dështim të shkallëzuar. Si mund ta lësh vendin tënd në amulli për të plotësuar kapriçot e të huajve? Ç’është kjo mendjelehtësi?! Sepse kështu i bie që sa herë t’i teket b… matrapazëve të huaj, ne duhet të ulim pantallonat dhe t’i themi: hajdeni o burra se këtu na keni!
Detyra ndaj atdheut është gjëja më e shenjtë që për asnjë moment nuk duhet të përzihet me pasionin dhe reaksionin personal, partiak, dhe pazaret e të huajve, sepse atëherë dalim të gabuar, për të mos thënë tradhëtojmë veteveten dhe kauzën e shenjtë ndaj atdheut. Përgjegjësia ndaj kombit dhe popullit tënd nuk është uni naiv, por thelbi i shtyllës imperative që buron nga ndërgjegja dhe përgjegjësia kombëtare, që, në asnjë rrethanë apo moment nuk mund të tjetërsohet në aksiomë politike personale. Këtë duhet ta dijë çdonjeri që hyn në politikë dhe që kërkon të udhëheqë popullin e vet drejt lirisë dhe prosperitetit.
Haradinaj gaboi! Gabimi i tij duhet t’i vlejë çdo shqiptari si mësim… që përpara se t’i shërbejë drejtësisë së shitur dhe urisë së verbër ndërkombëtare duhet t’i shërbejë me devocion dhe besnikëri detyrës së dhënë nga populli, pastaj të ushqejë oreksin e portave të dallaverëxhinjve që në shekuj na nënçmuan, biles na quajtën dhe “Njerëz me bisht”!
Sikur ne te ishim me të vërtetë pjesë e Europës dhe ajo të na donte aq fort… do na pranonte kështu siç jemi. Ateherë do ishim të detyruar të kryenim çdo obligim ligjor dhe moral. Po Europa kërkon të na imponojë standarte që fatkeqësisht dhe ajo vetë nuk i disponon realisht.
Vëzhguesit “inteligjentë” ksenomanë mund dhe të më vërsulën: “Hej lum miku, kohët kanë ndryshuar!”.
Unë u them atyre që koha është e njëjtë! Diplomacia vazhdon pikë për pikë skenarët e vjetër… dhe oreksi i qarqeve antishqiptare ka mbetur po i njëjti. Ka ndryshuar vetëm një realitet që e injorojmë ne vetë të parët: shqiptarët janë më të fortë, janë bërë mal! Një fjalë e urtë japoneze thotë: “ Mali nuk lëviz!” Pas kësaj thënie të urtë japoneze i bie që, kush të jetë i interesuar për malin, mirë se të vijë tek mali, në të kundërt… nuk flitet më për të tillë.