Deklarata e Kryeministrit: Arrita një rekord të ri, 145 minuta not në Dhërmi! Gati për beteja të reja…!/
TIRANË- Kryeministri në detyrë Sali Berisha ka arritur një rekord të ri personal në not. Lajmi bëhet i ditur nga vetë ai përmes faqes së Facebook, ku nuk ka ngurur të postojë edhe foto gjatë notit.
Teksa shprehet se është gati për beteja të reja, Berisha shton se ka notuar sot në Dhërmi për plot 145 minuta, 5 minuta më shumë se një vit më parë.
Një vit më parë kryeministri notoi për 140 minuta, rekord ky i thyer këtë vit. Edhe pse vitet e tjera rekordet në not i ka parë si një ogur të mirë edhe për karrierën politike, edhe këtë vit, pavarësisht se ka humbur zgjedhjet, Berisha shprehet optimist, kur thotë “Gati për beteja të reja”.
“Sot në Dhërmi bëra një check up në natyrë! Një rekord i ri u arrit. 145 minuta not të të gjitha stileve. Gati për beteja të reja, të fuqishme që na presin”, komenton Berisha.
Në një njoftim të zëdhënëses së tij Erla Mëhilli sqarohet se kryeministri së bashku me familjen, nipërit dhe mbesat ka zgjedhur edhe këtë vit të pushojë për disa ditë në Dhërmi.
“Ai vendosi një rekord të ri personal, duke notuar pandërprerë dhe duke përshkuar disa herë distancën deri tek Bovat, në plot 145 minuta. Pushimet në Dhërmi gjatë muajit gusht, për Kryeministrin Berisha, janë kthyer në një ritual pothuajse të përvitshëm”, theksohet më tej.(Kortezi:Balkanweb)