Dielli
Dr. Besim Muhadri i shoqëruar nga Dr.Hasan Ademaj solli në Vatër librin kushtuar dëshmorit të Kosovës Vezir Ademaj. Libri monografik “Vezir Ademaj – Hero i Kosovës” i kushtohet dëshmorit dhe heroit të Kosovës Vezir Ademaj, i cili ra heroikisht në luftë për lirinë e Kosovës, kundër forcave policore dhe ushtarake serbe, përkatësisht të Jugosllavisë së mbetur, që përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi. Vezir Ademaj nga Sheremataj i Gjakovës, që nga viti 1991 ishte detyruar të emigronte në Zvicër dhe atje, përpos punëve që bënte për të ndihmuar familjen në Kosovë, ai kishte arritur rezultate të lakmueshme në fushën e sporteve luftarake, duke arritur madje që të bëhej kampion zviceran dhe evropian në sportin e Kikboksit. Mirëpo, me rënien heroike të Adem Jasharit dhe të shpërthimit të luftës në Kosovë, ai lë kurbetin dhe në fund të Marsit të vitit 1998 kthehet në atdhe, duke iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kthimi i tij ishte sa simbolik aq edhe heroik dhe frymëzues për qindra e mijëra të rinjë të tjerë që i bashkoheshin radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vezir Ademaj, i cili sapo kishte mbushur 27 pranvera, bie heroikisht në fushë të betejës kundër forcave serbe e jugosllave më 25 korrik të vitit 1998, në betejen e Kallavajit, në mes Junikut dhe Dobroshit. Për aktin heroik të Vezir Ademajt, por edhe për jetën dhe veprimtarinë e këtij djaloshi sypatrembur që për lirinë e atdheut dha gjithçka pati nga vetja, vetëm e vetëm që brezat që do të vinin të jetonin të lirë. Në këtë libër 416 faqesh, janë përfshirë aspekte të rëndësishme jo vetëm të jetës dhe të veprimtarisë së deshmorit dhe heroit të lirisë së Kosovës, por edhe për aspekte që ndërlidhen me momente dhe akte relevante të historisë së Kososvës, pjesë e së cilës është edhe familja Ademaj nga Sheremetaj i Gjakovës, në të cilën lindi Veziri, por edhe shumë atdhetarë e veprimtarë të tjerë.