Nga Keze Kozeta Zylo/
Në këtë ditë të veçantë të jetës tënde dhe të botës së letrave këtu në Diasporë ku na hodhi fati të gjithëve të uroj për së largu: Gëzuar 50 Vjetorin e Ditëlindjes dhe paç bekimin e Zotit përgjithmonë!/
Kur një poeti i lexon në vite poezinë e tij, ndërsa të ka goditur në shenjë qysh me poezinë e parë me gjuhën e së bukurës, medoemos që shenjimi i tij me kalimin e kohës do të jetë i një eksperti në konsolidimin e perceptimit poetik gjatë leximit dhe me një plotëni artistike të pafund.
Në këtë kontekst për goditjen në shenjë me të parën gjatë leximit e kam fjalën për poezinë “Kuajt”, nje poezi që u lexua me aq ëndje nga shumë shqiptarë para se të përmbysej komunizmi. Secili lexues gjente veten e vet, por sidomos ata të panënshtruarit e diktaturës që e lexonin nëpër burgje, ndërsa në qiellin e Lirisë po shfaqeshin Yje qe po i bënin “zap” shtypësit e Lirisë. Ja se ç’shkruan Poeti Dr.Marinaj në këtë poezi:
Kush qe kalë mbreti/ posti qe i lartë/ Kush qe kalë princeshe/ I bënë shalë të artë/ Kush qe kalë fshatari/ Pat samarë me kashtë/ Kush qe kalë i egër/ Tërë jetën fjeti jashtë/ Po qemë dhe mbetem kuaj/ para njeriut”!
Në këtë paragraf të shkruar më lart gjej rastin të përmend shkrimtarin me famë botërore, kandidatin për çmimin Nobel, Kadare, i cili duke lexuar poetin ndër të tjera thotë: “Në universin e tij poetik ka një harmoni të mrekullueshme midis shpirtësisë ballkanase më e vjetra e kontinentit dhe asaj planetare. Siç ndodh shpesh me poetët e vërtetë, kjo harmoni kalon nga jeta tek vepra poetike dhe anasjelltas”.
Djaloshi 19 vjeçar e kishte ndjerë në palcë të shpirtit në Brut të Malësisë së Madhe atë zymtësi dhe kanosje regjimi që po ndodhte në rininë e tij të hershme, e kishte parë në duart e rreshkura dhe tërë kallo blu mavi të nënës së tij të shtrenjte, e kishte parë në të çarat e tokës dhe gurët e kalldrëmeve punën sfilitëse të babait dhe gjithë të vuajturve, ndaj dhe është kjo harmoni perfekte poetike dhe jetësore në veprën e tij duke u arratisur përfundimisht për në botën e ëndrrave.
Poeti Marinaj pati një ngjitje shkallë shkallë në fushën e letrave jo vetëm shqipe, por dhe botërore. Maja e penës së tij i kaloi kufijtë e kohës, dhe kjo falë fatit që e solli në botën e qytetëruar, në botën e vlerave.
Ai me librin e tij “Lutje në ditën e tetë të javë” padyshim qe krijoi tempullin e letrave që e ngrejnë atë në nivelin e poetëve më të mire të kohës duke shkruar me një superestetikë të epërme dhe marramendje figurash artistike.
Me një dendësi mendimesh filozofike dhe nje gjuhë të kulluar shqipe, vetë vargu lirik i Marinaj ngre dallgë oqeanike që trondisin zemrat e lexuesve, por dhe bëhet llambushkë shpirti për të ndriçuar errësirën gjer në fund të tunelit.
Librat e tij poetike janë universale, ku spikatet artikulacioni origjinal i një profili poeti të rrallë.
Mendimi i thellë ravizon, pena e tij filtron gjithçka dhe ligjërisht hyn në hierarkinë e lartë të letrave i cili ka një çerek shekulli që merret me pozinë qytetare dhe moderne në botë.
Poeti është në lëvizje, ecën, fluturon, nuk di të ndalet me Pegasin e tij që të duket sikur ka zbritur nga një tjetër kozmos, nga një tjeter botë.
Në poezitë e tij kemi modelin e nje poeti tejet human, ku fjala e tij e bukur ka fuqi të ndritur, sugjestionuese, dhe herë herë e vështirë për të kapur kodet e procedimeve metaforike që depërtojnë aq thellë. Sidoqoftë fuqia sugjestionuese e poetit Marinaj lidhet me botën e Rilindasve shqiptarë dhe botën e shkrimtarëve të mëdhenj amerikanë, sa të duket se Umberto Eco është ulur këmbëkryq kur thotë se: “Librat bisedojnë me njeri tjetrin”.
Përpos kësaj autori i bën dhe humanistët e mëdhenj, heronjtë, njerëzit e thjeshtë që janë në botën tjetër të flasin dhe të na drejtojnë të ecim në udhën e Zotit si psh në poezinë për Nënë Terezën: “O Zot, sa vështirë/ jeta e saj/ i mbylli kllapat/ Prapëseprapë/, midis tyre ajo mbeti/, si një ekuacion/ i pazgjidhur deri në fund.
Marrë nga libri “Lutje ne ditën e tetë të javës” f.100
Heroin Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun e sjellë madhërisht në pak vargje duke thënë gjithçka me një mendim të ngjeshur poetik dhe me një figuracion që duket sikur qëndron shqiponjë në gjoks të flamurit dhe ja se si: “Gojëzat e zhbëra nga zhguni i zi/ Qe ia kishte bërë Vojsava/ i mjaftuan, jo vetëm/ të gjente/rrugën e kthimit/ por dhe të qëndiste/ një shqiponjë të zezë në gjoks/para se ta transplatonte/ përfundimisht atë/ në dy anët e flamurit të kuq/. Marrë nga libri “Lutje në ditën e tetë të javës” f.101
Deshifrimi i kësaj poezie medoemos kërkon njohje të thellë për figurën kombëtare, Heroin kombëtar, sidomos për brezat e rinj, sidomos për të kundërshtuar zhbërësit e historisë, të cilët në antitezë me bukuritë mahnitëse të poezisë së Marinaj sjellin veç një shpurë ndjesish të zeza që duan të injektojnë si drogë në shpirtrat e lexuesve…
Nuk ka poet që nuk i këndon vendlindjes se tij, s’ka poet që nuk gjen frymëzim nga foleza e lindjes, por jo çdo poezi e tyre mbahet mend siç mbahet mend përshembull poezia e rilindasit të madh Filip Shirokës për Shkodrën si:
“Udha e mbarë, se erdh prendvera/ shko dallëndyshe tue fluturue/ prej Misirit n’dhena tjera/ fusha e male tue kërkue/ n’Shqypni shko, pra, fluturim/ shko në Shkodër, n’qytet tim!… Kur lexon Shiroken, medoemos të kujtohet pasardhësi i tij i devotshëm, poeti Marinaj me poezinë Shkodrës: “Jo, mos i mbyll dritaret e kësaj mbrëmje/Ndjenjat e mia në qiellin tënd vetëtijnë/ Si zogj të hutuar që shtegtojnë plot dhembje/ “Shkodër!”, “Shkodër!”, cicërojnë”.
Thelbi estetik i vargut poetik të jep një ndjesi të vecantë veçanërisht për lexuesin e kulturuar që e njeh hollë letërsinë.
Dr.Marinaj sjellë dukuri të reja semantike në ligjërimin e tij poetik, në ligjërimin e pazakontë, çka tregon talentin e tij brilant dhe punën këmbëngulëse për ta njohur në palcë letërsinë dhe teorinë e saj.
Poeti Marinaj është emblemë e poezisë së Diasporës dhe më gjerë. Poezitë e tij kanë thuktësinë e një mjeshtri rrëfimtar, e një mjeshtri të poezisë që sjellë aq hollë kënaqesitë estetike të leximit.
Poezia e tij është në shërbim të humanizmit, të patriotizmit, të dashurisë hyjnore, të Atdheut, të fluturimit poetik, është vlerë e paçmuar e identitetit kombëtar.
Temat e ndryshme që rrok poeti në librat e tij janë gati të një poeti hyjni që Zoti e ka dërguar me misionin e bukur të fjalës për të sjelle Paqe në tokë, për të sjellë atë ndjenjë kaq të bukur që botës së çakërdisur më së shumti i mungon. Në se shumë lexuesve në botë, do t’u rekomandohej leximi i disa poezive kulme të autorit medoemos nuk do të kishim kaq shumë terrore dhe frikëra ndër popuj të qytetëruar apo në zhvillim… Poeti për fjalën dashuri, për shpirtin e tij sa qielli i pastër, murroset si tek balada e murimit të Rozafës.
Ai murros brenda vetes si tek poezia “Rrefimi i Rozafes” fjalën vrasje që sjellë kob e zi si : Nën pretekstin se të gjithë patën të drejtë/ edhe unë murosa brenda vetes fjalën “vrasje.”
Kushdo që e ka lexuar dhe e lexon poetin Marinaj, apo ka pasur fatin ta ketë njohur direkt, medoemos që ai bëhet krejtësisht i besueshëm, sepse ai është jo vetëm një predikues i fjalës së bukur, i artit, i humanizmit, i letërsisë, por dhe ai është dhe me vepra konkrete. Një shpirt kaq human poeti dhe njeriu bën që vetëm ai mund të krijojë rrymën letrare filozofike protonizmin, që njihet në qarqet intelektuale letrare në Amerikë, një rrymë që mbështetet në energjinë pozitive, për të cliruar vetëm energji që e ndihmojnë njeriun për të menduar dhe vepruar pozitivisht duke eleminuar negativitetin, duke eleminuar ngarkesat negative që mjerisht ndodhin shpesh midis nesh.
Marinaj jo vetëm që krijon dhe i sjellë artit botëror një krijimtari të përkryer, por ai arriti të jetë dhe një ligjërues profesionist në auditoret e universitetit amerikan i cili dëgjohet me endje të vecantë.
Poeti me botë të pasur shpirtërore, qytetare ka sjellë vargun e sofistikuar, poezia dhe gjithë vepra e tij është një sfidë e kohës, për të cilën unë guxoj të them dhe jam e sigurtë se një ditë vepra e tij do te jete krahas nobelistëve, sepse krijimtaria e tij ka një përsosmëri estetike, një nivel të lartë harmonie të të shprehurit, dhe botës së letrave i sjellë ringjalljen…
Poezia e tij sjellë një përvojë të jashtëzakonshme praktike dhe shpirtërore, ka sjellë përvojën midis dhunës dhe lirisë, midis demokracisë dhe diktaturës, midis skëterrës dhe dritës, midis kandilit dhe dritës, midis kalit të princeshës dhe kalit me kashtë që flinte “jashtë”…
Poezia e tij është siç shkruan shkrimtarja më e famshme moderniste botërore Virginia Woolf si: “Every secret of a writer’s soul, every experience of his life, every quality of his mind, is written large in his works”, që do të thote në shqip:
“Çdo Sekret i shpirtit te një shkrimtari, çdo përvojë e jetës së tij, çdo cilësi e mendjes së tij, është shkruar me shkronja të mëdha në veprat e tij . ”
Poezia është e bekuar nga duart e nënës se poetit që e ka shenjt, dhe duket sikur thurret me shtizat e trikove që punonin duartë e saj të arta, nënës që e donte aq shumë, i cili ne poezinë kushtuar Asaj shkruan: Lexoj duart e nënës që fytyra ime të ketë vlerë/ Gjithcka në vija të holla/ ose brazda të thella/ Mozaikë hallesh/ duartë e saj prej shenjti/ portë ku vaporët e vuajtjeve/ ndalen për të kaluar natën/.
Nga poezia: “Duart e nënës”, f.82.
Ai gjen muzë perëndeshën e frymëzimit me cicërimat ndjellëse të zogjve në lisat e Brrutit nga është origjina e poetit, me dritat marramendëse dhe hapësirën e pafund të demokracisë ku u rrit dhe u bë burrë poeti, dhe frymon në perjetësi me bardhësinë dhe gjerësinë e zemrës së tij e cila pulson me ritmin e vargut që mbushet me gjak të pastër Gjekë Marinaj.
Si lexuese ndjej në shpirt dhe ripohoj vlerësimin që i ka bërë Wole Soyinka, fitues i Cmimit Nobël në letërsi, në vitin 1986 i cili thotë: “Kur miku im, Prof.Jerry Kuye, më tha se kishte zbuluar një poet të vecantë nga të gjithë poetët që ai kishte lexuar më parë, mendova se poezitë (që m’i la për t’u hedhur një sy) do të ishin të shkruara me numra apo simbole abstrakte e jo me shkronja. Vetëm pasi i lexova ato, të cilat mbanin për autor poetin Gjekë Marinaj, e kuptova se ku ishte fjala. Nëse Marinaj vazhdon të shkruajë kështu, ka gjasa se një ditë jo të largët, e gjithë bota letrare do e kuptojë domethënien e fjalëve vlerësuese te Prof. Kuye-s për Gjekën.”
Herë herë si poetë të rrallë në botë që ju lexohet poezia me aq ëndje dhe që duken si profet, edhe poeti yne shqiptar Gjekë Marinaj të duket si një profet, ai thjesht është një shërbestar plot kulturë i poezisë që di t’ju shërbejë poetikisht duke filluar nga njerëzit e thjeshtë dhe deri tek piktorët e famshëm botërorë si në poezinë: Jeta do soset me vonë” kushtuar Vinsent Van Gongut. Dhe ja se si:
“Koha e fëmijëzuar fut këmbët e vockla/ në këpucët e tua të enjtura arti/ Dhe si endacake vete të matë veten/ me lartësinë midis dy poleve të globit/ Jeta do soset më vonë/ sepse koha ka shtangur para “Lulediellit” tënd.
Mjeshtri i poezisë Gjekë Marinaj i ka kaluar kufijtë, Ai ecën lirshëm nëpër botë me librat poetike aq të lexuar dhe vlerësuar ndërkohë të duket se është një Van Gog i poezisë i cili ishte një nga themeluesit e pikturës moderne. Gjekë Marinaj mbetet një shërbestar i jashtëzakonshëm i poezisë sepse lexuesi herë shtanget magjishem para vargut te tij poetik dhe herë kërkon të arrijë fluturimin e Kalit në fluturimin pegasian të shërbestarit të poezise Dr.Gjekë Marinaj.
7 korrik, 2015
Staten Island, New York