PRESIDENTI HISTORIK I KOSOVËS, IBRAHIM RUGOVA PËRKUJTOHET NË 13 VJETOR/
-Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, i vlerësuar ideator dhe arkitekt i pavarësisë së Kosovës, Përkujtohet sot në 13 vjetorin e shuarjes/-Presidenti Thaçi: Sot bëjmë nderimet më të larta shtetërore për Presidentin Rugova/
-Kryeministri Haradinaj: Presidenti Rugova krijoi një doktrinë të një shtetit paqësor/
-Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova në 6 Shkurt 1998: Bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërhyjë në Kosovë para se të ndodhë konflikti, ndërsa reagimi si komb i shqiptarëve është normal dhe e drejtë e çdo populli të rrezikuar./
-Raportime të Janarit të para 13 viteve – 23 Janar 2006: GEORGE W. BUSH: HUMBJA E RUGOVES NE KETE KOHE VENDIMTARE, TRAGJIKE – Presidenti i SHBA i shkruan familjes së Rugovës dhe popullit të Kosovës – Zyra e SHBA-së në Prishtinë uli sot (e hënë) flamurin amerikan në gjysmështizë, në nderim të Presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, gjatë një ceremonie të shkurtër, të drejtuar nga Shefi i Misionit, Philip Goldberg/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 21 Janar 2019/ Përkujtohet sot në 13 vjetorin e shuarjes Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, i vlerësuar ideator dhe arkitekt i pavarësisë së Kosovës.
Në veprimtaritë përkujtimore në këtë vit të jubileut të 20 vjetorit të lirisë e 11 vjetorit të pavarësisë theksohet se në lëvizjen për liri e pavarësi Rugova u bë simbol i rezistencës me përkrahjen e popullit të Kosovës dhe të botës demokratike.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pasi bëri homazhe deklaroi: “Sot shënojmë 13 vjetorin e vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova, arkitektit, një prej arkitetëve të pluralizmit politik në Kosovë, njeriut të dialogut, të negociatave, të marrëveshjeve të brendshme po edhe në rrafshin ndërkombëtar, të angazhimeve unifikuese, të përpjekjeve maksimale për liri dhe pavarësi të Kosovës. Prandaj, sot bëjmë nderimet më të larta shtetërore si President i vendit dhe si bashkëpuntor i tij”.
Edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe te varri i ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në 13 vjetorin e vdekjes së tij.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, tha se sot, së bashku me kolegët e kabinetit qeveritar, kanë shkuar në nderim të veprës dhe jetës së ish-Presidentit Rugova, por njëkohësisht me respektin për traditën e të gjitha ato që institucionet e vendit i vazhdojnë për të mirën e qytetarëve, për të mirën e vendit.
Duke folur për rolin e ish-Presidentit Rugova në shtetndërtimin e Kosovës, kryeministri Haradinaj tha se historia do ta definojë në tërësi rolin e tij, por theksoi se është vërtetë një doktrinë e një shteti paqësor të cilën ai e ka krijuar.
“Vepra e jeta e tij lidhet me një Kosovë paqësore për të gjithë”, vlerësoi kryeministri Haradinaj.
Në 13 vjetorin e vdekjes së Presidentit historik Rugova, Kryesia e LDK-së me kryetarë të degëve dhe struktura të partisë paradite bënë homazhe dhe pastaj vizituan Familjen Rugova. Ndërsa, në mesditë Lidhja Demokratike e Kosovës organizon Akademi Përkujtimore.
Që para mëse tre dekadave, Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur. “Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkobëtar si fazë kalimtare”, theksonte e ritheksonte ai.
Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, në 23 dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila më shumë se parti politike lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.
Pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, që shpallte Kosovën Republikë, si dhe Referendumit për Pavarësi të fundshtatorit 1991, në 24 maj 1992 Rugova në zgjedhjet e para pluraliste nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh Presdiednt i Republikës së Kosovës, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.
Si gjithmonë, edhe në 4 mars 2002, duke u inauguruar në Parlamentin e Kosovës President i pas zgjedhjeve të para nacionale të pasluftës – në liri, Rugova shprehej: “Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”.
Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.
“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë Ibrahim Rugova në 6 tetor 2005, në takimin e parë me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.
Me Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, intervistën e parë ekskluzive e kam zhvilluar për Agjencinë shtëtërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë para afër 25 viteve, derisa bisedonim gjatë ditën e enjëte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës. Ishte atëherë kohë e rëndë e okupimit dhe dhunës serbe kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.
Në intervistë, Presidenti Rugova tek fliste atëherë si për ëndërra parashikonte ngjarjet që pasuan, theksonte se “kishte kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta dhe më pas të bisedohej me serbët për ardhmërinë e Kosovës”.
“Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë. Kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, theksonte Rugova.
Ai besonte se mbrojtja ndërkombëtare në Kosovë do të mbërrinte.
“Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë shqyrtohet, do të thotë është marrë në konsiderim, dhe shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim”, shprehej Presidenti Rugova.
Pyetjes se çfarë do të thotë politikë globale shqiptare dhe si mund të realizohet ajo në praktikë, në kushtet e ndarjes së shqiptarëve me shumë kufij, Presidenti Rugova iu përgjigj: “Kjo politikë do të shembë muret mes shqiptarëve”.
“Praktikisht mund të themi se politika globale shqiptare ka nisur të realizohet. Përkundër pengesave të shumta, që ka sidomos Kosova, sot kemi kontakte të ndryshme, bashkëpunim, qoftë në planin kulturor, në planin arsimor, në planin politik. E kam thënë disa herë, por vazhdimisht duhet të përsëriten gjërat, se për herë të parë ne shqiptarët po bashkëpunojmë në planin politik”, theksonte Presidenti historik i Kosovës.
“Në këtë politikë globale shqiptare respektohet vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës, pastaj i shqiptarëve në Maqedoni, i shqiptarëve në Mal të Zi e në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Do të thotë se kemi një vizion se ç’duhet të bëjmë në këtë drejtim. Dhe, mund të them se politika globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte”, shprehej ai.
Rugova vlerësonte se, “politikë globale është se sot Shqipëria më shumë se kurrë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në planin ndërkombëtar”. “Po ashtu, edhe Kosova me institucionet e saj, brenda dhe jashtë, e ndihmon Shqipërinë dhe në këtë plan ka një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe një marrëveshje, që nuk e kemi pasur më parë ne shqiptarët”, vijonte ai.
Në 11 tetor 1991, në Prishtinë, ishte miratuar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova. Deklarata kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare.
Presidenti Rugova në intervistën që zhvilloja vlerësonte se, “ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar” , se “opcioni i parë ishte një Kosovë e pavarur e neutrale”, dhe “që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër, të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale”.
Me Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova isha edhe në konferencat e shumëta për shtyp që mbante para, gjatë e pas luftës në Kosovë, ku bëja pyetje e merrja përgjigje, kam zhvilluar edhe intervista tjera ekskluzive për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, jam takuar edhe në raste të tjera…
NGA RAPORTIMI I 6 SHKURTIT 1998: PRESIDENTI RUGOVA KËRKON INTERVENIM NDËRKOMBËTAR PARA KONFLIKTIT NË KOSOVË DHE VLERËSON PRONONMCIMET SHQIPTAE PËR REAGIM SI KOMB
Bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërhyjë në Kosovë para se të ndodhë konflikti, ndërsa reagimi si komb i shqiptarëve është normal dhe e drejtë e çdo populli të rrezikuar.
Kështu tha Presidenti i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova në konferencën për shtyp të para 21 viteve – 6 Shkurt 1998 duke u përgjigjur në pyetjet që i bëja.
E pyeta se, duke pasur parasysh intensitetin e shpejtësinë e zhvillimeve të rrezikshme në Kosovë, a priten masa ta mjaftueshme e me kohë të bashkësisë ndërkombëtare për parandalimin e konfliktit, ndërsa Presidenti Rugova u përgegjegj:
“Ne kemi kërkuar që bashkësia ndërkombatare të intervenojë në Kosovë para se të ndodhin konfrontimet, e jo pasi të ndodhin, sepse do të bëhej vonë, dhe kemi bërë apel që të çmohet ajo që ka sakrifikuar populli i Kosovës për shumë vite që ta evitojë konfliktin. Masat parandaluese ndërkombëtare në radhë të parë duhet të jenë një presion shumë më i madh mbi Beogradin që ka përqëndruar forca të mëdh dhe kërcënon që edhe ushtarakisht ta godasë Kosovën”.
Në pyetjen tjetër që i bëra, se si i komenton deklaratat e politikanëve shqiptarë në Shqipëri, Maqëdoni, etj., për reagim si komb në rast konflikti në Kosovë, presidenti Rugova u përgjegj: “Është i natyrshëm dhe mëse normal ky qëndrim i Shqipërisë, përkundër vështirsëive që ka ajo sot. Shqiptarët janë të organizuar si shtet e si shoqëri edhe në Kosovë, edhe pse nën okupim. Edhe shqiptarët në Maqedoni kanë një organizim, që dita-ditës po përparon më shumë. Kemi tërhequr vërejtjen dhe të gjithëve u është bërë e ditur se po të fillojë diçka, më e keqja, në Kosovë, atëherë i gjithë rajoni do përfshihej, edhe Shqipëria, Maqedonia, Greqia, gjithësesi Serbia, Mali i Zi dhe vende të tjera. Prandaj, është një kujdes i shtuar i bashkësisë ndërkombëtare.”
Presidenti Rugova i bëri thirrje Beogradit që t’i kthehet dialogut me ndërmjetësim ndërkombëtar për Kosovën, që të mos e provokojë edhe më tej situatën dhe të ndërpresë dhunën. Ai tërhoqi vërejtjen edhe për seriozitetin e pohimeve se në Vojvodinë (krahinë në Serbi) regjimi serb po rekruton rezervistë për t’i dërguar në Kosovë…
Më pak se një muaj para se të kaloi në amshim njeriu që bëri epokë, Presidenti historik Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së, partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, regjistrova fjalët-mesazhin e tij, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 dhjetor 2005.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme.
Më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historic
Ibrahim Rugova u lind në 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, të komunës së Istogut, në një familje të madhe që kishte prejardhjen nga krahina e Rugovës.
Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova u shua në 21 janar 2006. Më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit të Kosovës.
“Presidenti Ibrahim Rugova ndërroi jetë”, bënte të ditur Presidenca e Kosovës në komunikatën e dërguar para 13 viteve, në 21 janar 2006, në mesditë.
“Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, prijësi i Kosovës në vitet e mëdha të procesit për pavarësi të vendit tonë, ndërroi jetë sot (e shtunë) në ora 11:38.
Presidenti Rugova ndërroi jetë në shtëpinë e vet në Prishtinë, duke pasur përreth familjen e tij, mjekun personal me stafin ndihmës nga vendi, si dhe mjekë amerikanë”, thuhej mes tjerash në komunikatën e Presidencës së Kosovës.
LAJME TE VITIT 2006:
GEORGE W. BUSH: HUMBJA E RUGOVES NE KETE KOHE VENDIMTARE, TRAGJIKE
-Presidenti i SHBA i shkruan familjes së Rugovës dhe popullit të Kosovës-
PRISHTINE, 23 Janar /ATSH Behlul Jashari/ – Zyra e Shtypit e SHBA-së në Prishtinë sapo ka shpërndarë për mediat letrën që Presidenti i SHBA-së George W. Bush i ka nisur familjes së Presidentit Rugova dhe gjithë popullit të Kosovës. Në letrën e nisur nga Shtëpia e Bardhë shkruhet: “Me pikëllim të thellë e mora lajmin për vdekjen e Kryetarit Ibrahim Rugova. Kryetari Rugova për shumë vite udhëhoqi fushatën për paqë dhe demokraci në Kosovë dhe fitoi respektin e botës për qëndrimin e tij parimor kundër dhunës.
Shtetet e Bashkuara kanë humbur një mik të vërtetë. Gjatë viteve të konfliktit, Ibrahim Rugova ishte zëri i arsyes dhe maturisë që i ndihmoi popullit të Kosovës për të vënë bazat për një të ardhme paqësore. Humbja e këtij zëri, në këtë kohë vendimtare, është posaçërisht tragjike për Kosovën. Më lejoni t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të punuar me gjithë njerëzit e Kosovës për ndërtimin e një ardhmërie që është stabile, demokratike dhe përparimtare.
Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, unë dhe Laura i shprehim ngushëllimet tona familjes së Kryetarit Rugova dhe gjithë popullit të Kosovës”.
PRISHTINË, FLAMURI AMERIKAN ULET NË GJYSMË SHTIZË
PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Zyra e SHBA-së në Prishtinë uli sot (e hënë) flamurin amerikan në gjysmështizë, në nderim të Presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, gjatë një ceremonie të shkurtër, të drejtuar nga Shefi i Misionit, Philip Goldberg.
Në fjalën që mbajti me këtë rast, z.Goldberg tha se me ndarjen nga jeta të Presidentit Rugova, Kosova ka humbur një udhëheqës të madh, por edhe SHBA humbi një mik të madh e të përkushtuar.
“Në botë nuk ka shumë udhëheqës apo popuj, të cilët kanë aq shumë dashuri dhe respekt për Shtetet e Bashkuara, siç pati Presidenti Rugova dhe siç ka populli i Kosovës. Dhe, për shkak të respektit për të, për miqësinë e tij me Shtetet e Bashkuara dhe respektit për popullin e Kosovës, unë e ndjej se është me vend që edhe ne të ulim flamurin amerikan në gjysmështizë gjatë periudhës së zisë”, tha z. Goldberg.
“Kjo ka një domethënie të madhe për ne dhe jam i sigurtë se do të ketë edhe për popullin e Kosovës”, theksoi ai, ndërsa komandanti i njësisë së Marinës së SHBA-së uli flamurin amerikan në gjysmë shtize.
Shefi i Misionit Goldberg solli dhe kujtimet e tij të 18 muajve të fundit, nga koha kur ai drejton Zyrën Amerikane në Prishtinë, si dhe të takimit të parë me Presidentitn Rugova, para njëmbëdhjetë vitesh, në Uashington.
“Veç asaj që ai bëri si udhëheqës – dhe me të vërtetë si një simbol i Kosovës për botën – unë e njoha atë edhe si një njeri shumë të këndshëm dhe të përzemërt”, tha shefi i Misionit të SHBA-së në Prishtinë, duke propozuar një minutë heshtje në nderim të Presidentit Rugova.
/klod/pas/
AEROPORTI I PRISHTINËS DO NDIHMOHET EDHE NGA PISTA TE TJERA FQINJE
PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Aeroportit të Prishtinës do t’i vijnë në ndihmë edhe disa aeroporte fqinjë, pasi ky i vetëm nuk mund t’i përballojë fluturimet e shumta speciale të delegacioneve që do marrin pjesë në varrimin e Presidentit Ibrahim Rugova.
Zyrtarë të këtij aeroporti thanë sot (e hënë) se kanë shumë kërkesa për ulje dhe se për shkak të kapaciteteve të kufizuara, shumë fluturime do drejtohen për në aeroportin e Shkupit, në Maqedoni. Sipas të njëjtave burime, do shikohen mundësitë që për këtë qëllim të shfrytëzohet edhe një pistë tjetër uljeje afër Gjakovës.
/pas/
GAZETA RILINDJA E 27 JANARIT 2006: BOTA NDEROI PRESIDENTIN HISTORIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS, IBRAHIM RUGOVA
Para 13 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës, Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha, ka raportuar se, më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik të Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit.
Gazeta Rilindja në botimin special, në kryelajmin lart krahas logos-emrit shkruante: 500.000 NJERËZ – MË SE 500.000 NJERËZ NËPËR RRUGËT DHE SHESHET E PRISHTINËS, NË SALLËN “1 TETORI”, TE VARREZAT E DËSHMORËVE E HERONJËVE TË KOMBIT NË LAGJEN VELANIA NË BREGUN E DIELLIT I SHPREHËN NDERIMET MË TË LARTA KOMBËTARE E NDËRKOMBËTARE PRESIDENTIT HISTORIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA.
Kryetitulli i ballinës në gazetën Rilindja ishte BOTA NDEROI e nëntitulli NDERIMET MË TË LARTA KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE.
Në ballinën e gazetës Rilindja paralajmëroheshin tre intervista ekskluzive të gjata që ribotoheshin në faqet e brendshme, e që i kisha zhvilluar me Presidentin historik Ibrahim Rugova në kohën e lëvizjes e luftës së Kosovës për liri, pavarësi e demokraci dhe pas luftës në Kosovën e lirë: PRESIDENTI RUGOVA PARASHIKOI DHE KRIJOI TË ARDHMEN E KOSOVËS DHE TË SHQIPTARËVE. TRI INTERVISTA EKSKLUZIVE, E PARA PARA 12 VJETËVE.
Fotoja e vetme në ballinën e gazetës Rilindja ishte pamja nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, para Kuvendit e Qeverisë, ku tash është sheshi me emrin e shtatoren e Presidentit të parë e historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Në atë pamje-fotografi, në plan të parë ishte një pano-bilbord-kornizë ngjyrë ari me portretin e Presidentit historik me Flamurin e Dardanisë në anën e djathtë, nën të cilën ishte shkruar: Dr. IBRAHIM RUGOVA President i Kosovës (1944 – 2006).
- IBRAHIM RUGOVA PRESIDENT HISTORIK I PAVARËSISË SË KOSOVËS PËRGJITHMONË, shkruante me shkronja të mëdha gazeta Rilindja nën fotografi dhe me këtë përmbyllej imazhi i faqes së parë.
Në mëngjesin e 27 janarit 2006 kam raportuar kështu për atë se çka shkruante shtypi i Kosovës për ngjarjen e një dite më parë:
SHTYPI I PRISHTINËS: MBI 500.000 NJERËZ NDERUAN RUGOVËN
Gazetat e Prishtinës sot (27 janar 2006) shkruajnë gjerësisht për nderimet e larta kombëtare e ndërkombëtare dhe për praninë më të madhe diplomatike në historinë e vendit në varrimin e djeshëm të Presidentit Rugova.
“Mbi 500. 000 njerëz kanë marrë pjesë në nderimet më të larta kombëtare e ndërkombëtare në ceremoninë e varimimit të Presidentit Rugova”, sipas gazetës tradicionale të Kosovës “Rilinda”, që sot në një numër special ka kryetitullin “Bota nderoi”.
Eksluzive te “Rilindja” tri intervista të Presidentit Rugova në periudha të ndryshme, e para para 12 vjetëve dhënë ATSH-së: “Presidenti Rugova parashikoi dhe ndërtoi të ardhmen e Kosovës dhe të shqiptarëve”.
“Koha ime po vjen”, është kryetitulli i shoqruar me një foto të madhe të Presidentit Rugova në gazetën më të re të Kosovës “Iliria Post” në numrin e saj të parë sot. “Kur flet loti s’ka vend fjala” është një nga titujt e tjerë të kësaj gazete, që boton deklarata të përsonaliteteve kombëtare e ndërkombëtare që vlerësojnë Presidentin Rugova.
“Kosova dhe bota i dhanë lamtumirën e fundit Presidentit të Pavarësisë, Dr. Ibrahim Rugova”, shkruan në ballinë gazeta “Zëri”. Një titull tjetër është nga një deklaratë e Havier Solanës: “Jam i mahnitur me dinjitetin e popullit të Kosovës në këto ditë të zisë dhe të pikëllimit”. “Perëndimi kërkon nga kosovarët që të bashkohen për të përmbushur boshllëkun pas vekjes së Rugovas”, është titulli nga deklarata e nënsekretarit amerian Nikollas Berns.
“Lamtumirë President, Rugova përcillet me Flamurin e Himnin e tij”, është titulli kryesor n gazetën “Kosova sot”.
“Kosova u nda nga Presidenti i parë i saj Ibrahim Rugova. Lamtumirë”, është kryetitulli në gazetën “Lajm ekskluzive”. Gazeta njofton se në varrimin e Rugovës ishin 36 delegacione shtetrërore me rreth 200 anëtarë.
“Lamtumirë President”, është kryeartikulli i gazetës “Koha ditore”. Kjo gazetë paralajmëron: “Ahtisari sot në Bruksel, të marten takohen ministrant e Grupit të Kontaktit”. “SHBA fton shqiptarët që t’i refuzojnë ata që i rreken dhunës”, është një titull tjetër në “Koha ditore”.
“Prehu i qetë në dheun e Kosovës, Dradanisë antike, President Rugova”, është titulli kryesor në gazetën “Bota sot”. “Presidenti i Kosovës i tregoi botës, që nganjëherë diti të jetë indiferente, për vuajtjet e Kosovës”, është një titull tjetër i gazetës, që citon fjalën e Kryeadministratorit Petersen në ceremoninë mortore.
“Presidentit Rugova iu dha lamtumira e fundit”, është kryeartikulli i gazetës “Epoka e re” nga ceremonia e varrimit, e cila gazetë thekson edhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë dhe përfaqësuesëve nga shumë vende të botës.
“Pacifisti nderohet nga ushtarët”, është titulli qëndror i gazetës “Express”. “Kosovarët i dhanë nderimet e fundit presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, një ceremoni tejet e organizuar dhe me praninë më të madhe diplomatike në historinë e vendit”, shkruan gazeta “Express”.
NGA BIOGRAFIA
1944
Më 2 dhjetor u lind Ibrahim Rugova në fshatin Cerrcë, të komunës së Istogut, në një familje të madhe që kishte prejardhjen nga krahina e Rugovës, apo siç njihej në ato anë, në familjen e Sadri Elezit. Familja është e njohur për tradita kombëtare dhe për qëndresë të pareshtur kundër pushtuesve. Familja i takon fisit Kelmendi, nënfisi Lajçi, e vendosur në fshatin Malaj të Rugovës, ku edhe sot i ka pronat e saj.
Sadri Elezi në historinë shqiptare njihet si pjesëmarrës, përfaqësues i trevës së Rugovës në tubimet e besëlidhjeve shqiptare te Verrat e Llukës dhe të Besëlidhjes së Pejës, “Besa -Besë”, të tribunit popullor, Haxhi Zekës. Gjatë asaj kohe të kryengritjeve të mëdha shqiptare kundër sundimit të Turqisë, Sadri Elezi ka qenë krah i djathtë i Haxhi Zekës dhe në betejat e shqiptarëve kundër ushtrisë turke 1908-1912, disa herë ka qenë i plagosur. Sadri Elezi ka pasur plagë, nga të cilat edhe ka vdekur dhe varri i tij është buzë minares së Xhamisë së vjetër të Istogut.
Dyndjet e kësaj familjeje në Rrafsh të Dukagjinit pasojnë pas njohjes së Sadri Elezit me tribunin e Pejës, Haxhi Zeka. Së pari familja vendoset ndërmjet dy luftërave botërore në Gllaviçicë të Pejës, pastaj në Bajicë fshat buzë Drinit të Bardhë te Banja e Istogut, dhe së fundit në Cerrcë, ku është edhe sot. Por shumë pasardhës të saj jetojnë edhe në Prishtinë dhe në shumë shtete të Evropës, më së shumti në Gjermani, Austri, Luksemburg, Zvicër dhe Itali.