-Bisedë me Dr.Valbona Karanxha/*
– Me dashuri për dijen: Nga bangat e fëmijërisë në auditoret e Yale University/
– Ambicja ime nuk është të angazhohem si zyrtare politike, por të lehtësoj me sa të kem mudësi proçeset demokratike në Shqipëri. Dr.Karanxha/
Dr. Valbona Karanxha ka lindur në Vlorë. Është Yale University research fellow për vitet 2009, 2014, 2015, 2016. Është autore e publikuar tri herë nga Yale University për kërkimet e saj në degët shoqërore si histori dhe letërsi e Amerikës Latine, histori e Amerikës në shekujt 20 – 21, Lëvizjen për të Drejtat Civile në vitet 1960, dhe gjithashtu Kushtetutën dhe Demokracinë Amerikane. Studimet dhe kërkimet e saj përqëndrohen në fusha të ndryshme si ato politike, udhëheqësi, organizata, të lidhura me zbatimin e politikave publike. Valbona Karanxha është gjithashtu autore e botuar në gjuhen shqipe.
Punon në sistemin e shkollave publike amerikane. Ka kryer Masterin në Arte në degën e Gjuhëve Romane (latine), në Southern Connecticut State University (2003 – 2007), dhe mban gradën Doktoreshë Shkencash në Udhëheqësi dhe Politika Publike, po nga Southern Connecticut State University (2009 – 2014).
-Le ta fillojmë me fëmijërinë tuaj, mbresa dhe kujtime të fëmijërisë, ku e keni kaluar atë?
-Kam lindur në Vlorë. Nga fëmijëria mbaj mënd qytetin e bukur të Vlorës, gjyshërit e mi të cilët më jepnin shumë dashuri sepse isha mbesa e madhe. Më kujtohen mbrëmjet e bukura nga Uji i Ftohtë kur shëtisnim natën vonë dhe shikonim dallgët tek përplaseshin në shkëmbinjte poshtë Belvederes. Ishte magjepsese, dhe një lumturi fëminore në pafundësi kur vraponim të kapnim autobusin e fundit nga Uji i Ftohtë për në Vlorë. Çerdhen e kam pasur midis portokalleve, paçka se nuk e mbaj mënd kur kam qënë në çerdhe, por kopshtin dhe shkollën “15 Tetori” i mbaj mend shumë mirë. Jam rritur me dashuri dhe përkujdesje nga të dy prinderit e mi të cilët kanë bërë ç’është e mundur të shkëlqeja në shkollë dhe të isha model. Mamanë e kam pasur mësuese, por babai ka qënë ai që më edukoi me ambicien dhe dëshirën për të mësuar, dhe për të qënë një nxënese e përjetshme me dashuri të pareshtur për dijen.
-Çfarë do të kujtonit nga shkolla në Shqipëri, dhe a mund të bëni krahasimin midis edukimit këtu dhe në Shqiperi në disa drejtime?
-Shkolla në Shqipëri, pavarësisht sistemit na ka mundësuar të krijojmë një bazë të fortë mbi të cilën ndërtuam profesionalizëm në karierën tonë si edukues të brezit të ri. Kjo nuk mund të mohohet. Dija është e vyer në të gjitha sistemet, dhe pavarësisht nga metodikat e ndjekura. Përsa i përket diferencës në metodikë, shkolla në Shqipëri ndiqte një metodë që unë e quaj “Behavioral theory”, dhe bazohet në atë që mësuesit mendojnë se është e rëndësishme të jepet si lëndë, ose brënda saj, ndërsa në Shtetet e Bashkuara mësimdhënia në përgjithsi bazohet në “Constructivist theory”. Kjo është metodë empirikale, ka të bëj me ndërtimin e dijes nga eksperiencat paraprake, të jetuara ose të mësuara. Ky sistem i përdorur në arsimin amerikan bazohet në teoritë e postuluara nga psikologët Vygotsky dhe Piaget, dhe nxit fëmijët ose studentët të arrijnë në konkluzionet e tyre nga praktikat dhe arsyetimi llogjik. Është metodikë frutdhënëse dhe pergatit studentin për kërkime shkencore të pavarura në të ardhmen, gjithashtu fokusohet në eksperimente dhe projekte.
-Kur erdhët në Amerikë, si arritët të keni këto rezultate të shkëlqyera në edukimimin post-universitar?
-Nuk ka qënë e lehtë të përballosh jetën, të punosh, të kontribuosh në familje, dhe të ndjekësh shkollën. Por unë kam dëshirë që të jem gjithmonë në avancim të njohurive të mia, jo vetëm ato që kam marrë në programet e Masterit dhe të Doktoraturës, por edhe në mënyrë individuale. Sot, unë ende ndjek studime dhe jam bashkëpuntore në shkencat shoqërore pranë Yale University. Këto studime më kanë mundësuar të krijoj një bagazh i cili më ndihmon si edukuese e brezit te ri. Dija nuk ka kufi, dhe sa më shumë lexoj aq më shumë dëshirë kam të zgjeroj njohuritë. Për këtë arsye, unë nuk shikoj asnjë shfaqje ose program në televizion. Koha ime e lirë mbas punës i përkushtohet studimit në fusha të ndryshme sidomos ato politike, psikologjike, dhe të ekonomisë politike.
-Ju jeni integruar intelektualisht në botën amerikane. Cilat janë disa nga vështirsitë tuaja dhe rrugët që ju arritët deri në ketë stad?
-Unë e konsideroj si një normalitet integrimin. Vështirësitë janë profesionale dhe varen nga fusha. Përshëmbull, po të isha në degë finance apo ekonomike do kisha veshtirësi të tjera. Personaliteti gjithashtu ka të bëjë në integrimin e sukseshëm shoqëror dhe atë profesional. Njeriu i vë vetes disa objektiva dhe perpiqet t’i arrij. Por në të njejten kohe, fleksibiliteti dhe përshtatja ndaj kulturës janë të domosdoshme, por kuptohet pa harruar rrënjet e tua dhe pa u asimiluar.
-Cili është studimi juaj shkencor, në universitetet që ju kanë ftuar në programet e ndryshme si studente, apo si arsimtare?
-Studimet e mia janë në fushat shoqërore dhe të edukimit. Perkatsisht, në Southern Connecticut State University kam punuar në fushën e Lidershipit dhe Politikave Publike. Studimi im ka qënë mbi impaktin që lidërshipi shkollor ka në implementimin e reformave dygjuhësore dhe çfarë rekomandimesh duhen bërë në fushën e politikave arsimore për të përmbushur nevojat e studentëve dygjuhësh mbas tranzicionit në klasë të rregullt.
-Në Yale University për vitin 2016 studimet e mia janë në Demokracinë Amerikane dhe Kushetutën e saj. Fokusi i kërkimit tim do jetë gjithashtu mbi statusin politik të Puerto Rico-s dhe implikimet në praktikë te demokracisë përfaqsuese. Në 2015, studimi im në Yale Univeristy u fokusua në Lëvizjen për të Drejtat Civile dhe pikërisht ne Identitetin Latin gjatë Lëvizjes për të Drejtat Civile Në 2014, po në Yale University studimi ishte në fushën e krijimtarisë nga imazhet. Fokusi ishte në simbolikën e imazheve në Historinë e Amerikës Latine.
-Në 2009 në Yale University, studimi im ishte në Letërsinë Botërore me fokus në Realizmin Magjik si rrymë e pasqyruar në “Tregimet e Eva Lunës” nga Isabelle Allende.
-Kohët e fundit ju keni botuar librin “Politikat dhe Strukturat e Rrethit të Ferrit”, do të vazhdoni të merreni me politike?
-Ambicja ime nuk është të angazhohem si zyrtare politike, por të lehtësoj me sa të kem mudësi proçeset demokratike në Shqipëri. Unë besoj se vëndi ka nevojë për politikanë të cilët do punojnë në favor të popullit, kombit dhe shtetit shqiptar. Deri tani ndryshimet “demokratike” që kanë ndodhur kanë qënë një përpjekje për të instaluar një sistem i cili do funksionoj në favor të një shtrese politikanësh të korruptuar. Kjo është në kundërshtim me çdo parim demokratik, prandaj, përderisa kjo klasë të jetë në pushtet unë do jem aktive në jetën politike të vendit.
-Ju jeni një kundërshtare e fortë e sistemit në Shqipëri, mendoni se do të ndikoni për ta ndryshuar atë sistem?
-Sistemi në Shqipëri është ndërtuar në baza klanore, partitë janë struktura klienteliste dhe kolapsi do jetë i paevitueshëm në se vazhdohet në këtë rrugë. Përpjekjet tona konsistojnë në nxjerrjen e sistemit nga kaosi në rrugë demokratike duke ndërgjegjsuar qytetarin e thjeshtë, dhe duke ofruar alternativa të tjera si alterniativën e ndarjes nga e keqja dhe ndërtimin e një shteti komb i cili do punojë për shqiptarët.
-Cilat janë projektet tuaja?
-Projektet e mia janë më tepër në fushën studimore. Në planin afat-shkurtër do vazhdoj të punoj në arsim. Më pëlqen lënda që jap (Histori dhe Civilizim i Amerikës Latine për studentë të cilët janë folës të lindur të Spanjishtes) dhe them se i shërbej një shtrese demografike në SHBA e cila ka nevojë për mbështetje gjuhësorë dhe kulturore. Në planin afatgjatë dua të kompletoj disa studime në shkencat shoqërore, por gjithmonë duke qëndruar në nivel akademik, dhe të vazhdoj të jem studjuese dhe autore e publikuar në fushën time.
-Sot çfarë është për ju Amerika?
-Amerika për mua është atdheu im i dytë, shtëpia ime. Është model shtetëror, demokratik të cilin unë e konsideroj si shembull të mirëfilltë për Shqipërinë dhe vende të tjera në rrugën e demokracisë. Pa dyshim është vënd i mundësive, i të qënit të lirë në kuptimin politik, ekonomik dhe personal.
– Ju keni vite në Amerikë, keni menduar se një ditë mund të ktheheni në Shqipëri dhe te sillni gjithë përvojën tuaj maksimale që morët në shtetin më demokratik të botës?
-Unë kam deshirë të punoj për njerëzimin kudo që ndodhem. Do më pëlqente të krijoja programe edukimi dhe teknologjie në vëndet në zhvillim, dhe jo vetëm në Shqipëri (po të më jepeshe mundësia më e afërt dhe të siguroj fonde të mjaftueshme). Mendoj se bota ka nevojë për individë të cilët kanë një vizion të qartë dhe investojnë përpjekjet e tyre në fushën e arsimit. Edukimi është arma më e fuqishme për të fituar lirinë e mendimit, pavarësinë ekonomike, dhe për t’i ardhur në ndihmë kombit tënd.
– Ju jeni përzgjedhur si personazh i librit “Zonjat Shiptare të Nju Jorkut” ideuar nga “Albanian Excellence”, libër që do të botohet për herë të parë për gratë e suksesshme pertej oqeanit, si ndiheni për këtë?
– Ndihem mjaft e privilegjuar dhe është nder për mua. Jam e bindur që shëmbujt e gruas të sukseshme shqiptare janë të panumërta dhe falënderoj inisiatorët e kësaj nisme. Jam mjaft mirënjohse për respektin. Ka gra shumë herë më të sukseshme se unë, por më bëhet qejfi që jam një pikë uji e vogël në oqeanin e arritjeve të grave tona. Jam mirënjohse për mundësinë, por në veçanti falënderoj Znj. Kozeta Zylo për rekomandimin.
– Cili mendoni se duhet të jetë imazhi i gruas shqiptare në shekullin e XXI?
-Shoqëria shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë nuk ka një imazh, apo konsideratë pozitive për gruan dhe figurën e saj. Kjo ka të bëjë me kulturën e përgjithshme. Por kuptohet, ky cilësim nuk është absolut. Ka raste pozitive për imazhin e femrës sonë dhe për ato që janë të sukseshme sidomos në fushat akademike, ose edhe femrat të cilat janë nëna të përkushtuara dhe model.Me ndryshimet demokratike, femrës sonë ju paraqitën modele të gabuara, sipërfaqsorja u vu mbi cilësoren. Kjo po vazhdon të bëhet me fanatizëm nga mediat tona të cilat i kushtojnë vëmëndje simbolizmit seksual duke ushtruar një presion psikologjik ndaj femrës tonë dhe vajzave tona të reja. Pa u ndalur shumë në këtë problem i cili do kujdes të vëmëndshëm, them se edukimi prindëror, dhe kultivimi i dijes duhet të jetë shoqëruesi i formimit të femrës sonë. Imazhi i femrës sonë duhet të restaurohet dhe na takon të gjithve të japim kontributin tonë.
-Ju faleminderit e nderuar Dr.Karanxha!
Personazh në librin “Zonjat Shqiptare në New York”
New York, 2016
* Bisedoi Keze Kozeta Zylo/