• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lena Gjonaj Catalic-“Zonjat shqiptare” ne Nju Jork”

September 26, 2016 by dgreca

Lena Gjonaj Catalic dhe perkushtimi i saj ne Klinika Illyria në Nju Jork/

Nga Flora Nikolla/

lena_zagreda_05Tirane, 26 Shtator/ATSH-Flora Nikolla/.- Dashuria, kujdesi, përkushtimi i Lena Gjonaj Catalic, kishte nisur ne fakt shume kohe me pare  qe kur ajo erdhi shumë e re në Nju Jork, dhe në sajë të këmbënguljes , arriti të vazhdonte kurse dhe shkolla deri sa u diplomua  në  “Administrim Spitalor”. Lena thotë se e thirren qe ishte nder te parat qe do te krijonin nje Klinike per shqiptaret te cilen  e quajtën Klinika Illyria , pasi ky emër përfshinte të gjitha trevat ku jetonin shqiptarë dhe e ishte një emër gjithëpërfshirës. Klinika nisi të tërheqë pacientë shqipëfoles por dhe nga treva të Ballkanit si Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Madeqedonia, Bosnja . Klinika nisi funksionimin e saj fillimisht për fëmijë dhe në vitin 2006, në sajë të këmbënguljes së Lenës dhe për të rriturrit. Ka qënë kënaqësi për Lenën, që gjatë 20 viteve, ka parë ndryshime të mëdha tek punonjësit e spitalit Jakobi, ku ka kam ndihmuar si, mjeke, infermiere, teknike laboratori, punonjëse sociale, sekretare e këshilltare siguracionesh, etj. Klinika jo vetëm jepte kujdes shëndëtësor, por u bë qënder kulturore e komunitetit shqiptar, ku pacientët e familjet e tyre, merrnin këshilla për probleme të jetës në emigrim, si nga mbushja e formularëve për taksat, aplikime per insuranceat mjekësore, letra reference për të gjetur pune. Sot, të dy djemtë e Lenës , janë të shkolluar e të martuar me fëmijë. Sandri ka një kompani ndertimi, gruaja e tij mbaruar shkollën për Stalin e marketing dhe kanë dy vajza binjake, Sementha e Teffeny. Gjoni, ka rol drejtues në një kompani të madhe Agjensi Immobilare në Nju Jork. Ai është i martuar me Justinën, mësuese dhe kanë tre femijë. Kur doli në pension, djemtë i dhuruan një makinë. Ishte një surprizë shumë e bukur që e emocionoi shumë . Lena Gjonaj Catalic, eshte pjese e librit “Zonjat shqiptare” ne Nju Jork”, promovuar te shtunen e kaluar ne Symphoni Space ne Nju Jork,  ne nje mbremje te mrekullueshme , ne prani te Presidenti te Republikes, z. Bujar Nishani .

F.N : A mund të tregoni në këtë intervistë kohën dhe pse ju së bashku me familjen erdhët në Amerikë

L. C : Në Amerikë erdha në 12 Mars të vitit 1973, në moshën 20 vjeçare. Kisha një djalë 2 vjeç Sandrin dhe isha shtatëzanë me djalin e dytë, Gjonin i cili lindi në Amerikë. Jam lindur e rritur në Ulqin ku mbarova studimet në shkollën e mesme . Sipas zakonit, u martova e re, sapo mbarova shkollën në një familje me tradita shqiptare, bujare, e mikripritëse. Tek, familja e burrit, jetonim të gjithë bashkë, në një shtëpi të madhe buzë lumit Buna, shumë afër, Detit Adriatik. Kryesisht merreshim me rritjen e pemëve frutore dhe bujqësi. Nikolla, bashkëshorti im, merrej me matjen e ujit të Bunës , ndërsa në muajt e verës, i kushtoheshim turistëve që vinin në Ulqin kryesisht nga veriu i Evropës. Në vitet 60-të, udhëheqësi i ish Jugosllavisë, Tito lejoi qytetarët, te pajiseshin me pashaporta. Disa anëtarë të familjes, vendosën të provojnë emigracionin në Evropë dhe në Amerikë për një jetë më të mirë dhe me mundësi për shkollimi për fëmijët. Kështu, im shoq dhe unë, lamë Ulqinin dhe u shpërngulëm në Itali, ku jetuam 2 vjet në pritje të na aprovohej viza për në Amerikë, ku jetonin anëtarë të familjes.

lena_zagreda_02F.N : A ishte i vështirë fillimi i jetës në NY dhe si e kujtoni ju atë

L. C : Kur mbërritëm në Amerikë, më 12 Mars 1973, kisha djalin, Sandrin 2 vjeç dhe isha shtatëzanë me Gjonin, djalin e dytë. Kisha marrë me vehte , kunatën, motrën e burrit dhe nipin e burrit . Të dy i martova dhe u kujdesa si të ishin fëmijët e mi. Prindërit, nana Pashka , babë Kola, vëllai im Lazri me familjen, kishin vite në Amerikë, dhe na ndihmuan të stabilizoheshim. Lazri, punonte në ndërtesën Rock Feller Center, e cila sapo kishte mbaruar dhe ku kishte nevojë për punë. Nikolla nisi si punëtor në këtë qëndër, ku punoi deri sa doli në pension 40 vjet më vonë. Apartamentin e parë e kemi patur në Arthur Avenue. Nikolla kishte rrogë të mire, ai paguhej çdo të premte dhe ne na dukej çudi që me rrogën e tij , paguanim qiranë, përballonim shpenzimet e jetës së përditeshme dhe kursenim para mënjanë.

Arthur Avenue, në atë kohë, ishte një lagje ku jetonin kryesisht italianë, të vendosur në këtë zonë në fillim të shekullit të 20-të. Kudo flitej italisht, në rrugë, dyqane, në banesa ku jetonim. Kështu, e patëm të lehtë integrimin për arsye sepse komunikonim italisht me ta, e nuk e ndjenim mos dijen e gjuhës angleze. Mbaj mënd se Arthur Avenue në vitet 70’, ka qënë një lagje ku njerëzit njihnin njëri- tjetrin dhe kishin besim, duke qënë lagje shumë e sigurtë. Meqënëse ne ishim Katolikë nga feja, gjetëm mikëpritjen në Kishën e kësaj zone , e cila ndikoi pozitivisht në imtegrimin tonë. Kursi i parë përgatitor që bëra ishtë për Parukiere. Isha e lumtur që nisa menjëherë punë . Nëna më ndihmonte për djemtë e mi që ishin të vegjël. Punova disa vjet dhe kjo ishte ndihmë për gratë shqiptare, të cilave ju pëlqente rregullimi që ju bëja , sidomos vajzave kur martoshin . Më thërrisnin në shtëpi, t’ju rregulloja flokët dhe t’i bëja nuse. Ndonjë vajzë nuk ishte fort e bukur, por kur e rregulloja dukej shumë ndryshe . Shpesh , më pyesnin, po çfarë ju bën varzave që dalin nusë të mrekullueshme . Unë i rregulloja më gjithë shpirt , më pëlqente puna dhe sot kam merak të punojë me flokë dhe me fytyrë. Më vonë nisa të koordinoj punën me burrin tim. Kur punoja ditën ai punonte natën. Në këtë mënyrë, ishim gjithmonë pranë djemve tanë për t’u kujdesur për mbarëvajtjen dhe edukimin e tyre. Jo vetëm se punoja por nisa të mendoj për edukimin tim të metejshëm . Çdo ditë të shtunë e të dielë, shkoja në kurse në universitetet lokale për gjuhën angleze dhe kompjuter sepse synoja të punoja në sistemin administrativ.

F.N : Ju keni punuar ne spitalin Jakobi në Bronx , një spital ku kurohen shumë shqiptarë . A mund të na tregoni fillimin e punës tuaj ?

L. C : Mbasi aplikova shumë herë tek Jacobi, e vetmja mundësi që m’u dha ishte të punoja në mirëmbajtjen e spitalit, provizorisht, si zëvëndësuese, në Prill të vitit 78-të. Në atë kohë nuk flisja mirë anglisht, dhe kasha problem me leximin e gjuhës. Edukimin fillor e kisha bërë në shqip, tetëvjeçaren dhe gjimnazin në Serbo-Kroatisht. Për të folur dija italisht e pak frengjisht, por gjuha angleze nuk kishte asnjë ngjashmëri me këto gjuhë dhe ishte e vështirë pasi shkruhej ndryshe nga çfarë flitej. Një nga detyrat që kisha si mirëmbajtëse, ishte të mblidhja gazetat e vjetra e të përdorura. Gjithmonë mbaja ndonjë gazetë që më dukej interesante, sidomos gazetën Aquaria, gazetë që shkruante për yjet dhe çdo gjë që ndodhte me ta. Kur kisha pushimin e drekës, mundohesha t’i lexoja e të kuptoja diçka. Mbaj mend një infermiere, Mrs Singleton që më shikonte çdo ditë me gazetë në dorë. Një ditë, më thotë, përse nuk rregjistrohesh në shkollë për të ndjekur studimet e larta? M’u duk çudi dhe ju përgjigja: “Unë jam grua e martuar dhe kam dy djem për të rritur, shkolla bëhet në moshë të re ! Ajo mu përgjigj se në Amerikë shkohet në shkollë në çdo moshë, bile dhe në pleqëri, dhe kjo nuk është turp, por është normale! E kështu, sa herë më shikonte më pyeste: U rregjistrove? Çfarë pret ?

Një dite u ula të bisedoj me tim shoq, për t’i treguar se kisha interes të vazhdoja shkollën dhe si kisha folur me infermieren në punë. I erdhi çudi e me tha: po ti e ke mbaruar gjimnazin, tani e ke punën e mirë, çfarë të duhet më shkolla? Unë e vazhdova shkollen dhe nuk i tregova askujt . Në momentin që Spitali hapi kurse specializimi për njohuri në kompjuter dhe sistemin e kartelave mjekësore, u regjistrova në Kolegj, për të vazhduar këtë dege që tani quhet “Administrim Spitalor”. Nuk e harroj momentin kur mora diplomën, e për më tepër si fluturova nga gëzimi kur nuk i besoja vetes. Nikolla, burri im, bëri gosti dhe thirri të gjithë familjen. Nëna ime u gëzua shumë dhe i rrodhën lotë kur më tha, jam e kënaqur bija ime që vazhdove shkollën, se e kam patur merak në zemër që të martuam të re.

F.N : Cilat janë tiparet që ju dallojnë në punën tuaj ?

L. C : Fillova punë si sekretare në Shërbimin e Pediatrisë në spital. Puna ime ishte rregjistrimi i pacientit në kompjuter dhe përgatitija e kartelës nga ana demografike e siguracionit mjekësor përpara se mjeku të shihte pacientin.

Në këtë shërbim Pediatrik, vinin shpesh nëna shqiptare me femijët e tyre, kryesisht nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Bosnja etj,që kishin pak kohë që kishin emigruar në Shtetet e Bashkuara. Ata vinin tek unë kur kishin nevojë për t’u vizituar e për t’i drejtuar për proçesin e vizitës në spital. Shteti Amerikan kishte një program WIC për të ndihmuar nënat e reja me femijë të cilat jo vetëm nuk dinin gjë për këtë program, por kishin një lloj hezitimi të shkonin për të marrë ndihma si psh “qumësht pluhur për bebe” djath, e produkte të tjera të lejuara. Unë i doja shumë fëmijet, por kur vinin nënat shqiptare, biseda zhvillohej jo vetëm në regjistrimin e të dhënave demografike, por edhe në marrje e dhënie këshillash për rritjen e fëmijëve. Ato më tregonin shqetëtsimet e tyre, më kërkonin ndihmë si të aplikonin për punë, si të gjenin shkolla për të mësuar gjuhën. Atëherë komuniteti shqiptar ishte i vogël , nuk kishte qëndra të komunitetit ku njeriu të merrte informacion të plotë. Nuk kishte internet, gazeta shqip dhe kështu informacioni ishte shumë i kufizuar.

Shpesh mblidhja në grupe dy a tre nëna dhe ju flisja për ndihmat e NY, për nënat me fëmijë dhe që nuk ishte turp të rregjistroheshe. Mbushja e formateve, ishte proces shumë i vështirë për shumë nëna të cilat nuk kishin edukimin e duhur të shkruanin emrin e tyre. Unë i ndihmoja në mbushjen e formularëve dhe aplikacioneve për programet e ushqimit të fëmijës, pa të cilat këto nëna nuk do të arrinin kurrë të merrnin ndihmën e duhur që ju takonte! E ndieja veten krenare e të gëzuar kur fillova t’i shikoja që nisëm të shkonin në zyrat e ndihmave e sidomos kur filluan këto nena të ndihmonin shoqet, motrat e kushërirat e tyre në këtë sistem të komplikuar të rrjetit spitalor.

Nga që isha e vetmja sekretare që flisja shqip e sërbokroatisht, shpesh herë më ndodhte që nënat më kërkonin të shkoja në dhomën kur vinte rradha t’i vizitonte mjeku. Kështu mjekët pediatër më bënë pjesë të vizitës së tyre me pacientin. Shpesh nuk mundesha të haja darkë në punë sepse u shtua shumë kërkesa për të përkthyer. Aq shumë u mësuan nënat me mua saqë vinin e mi thonin ankesat për fëmijet, pa u parë akoma tek mjeku. Duhet të isha e kujdeseshme dhe mundohesha që punën si sekretare ta beja me kujdes dhe pun si përkthyese e si ndihmëse për nënat që e bëja vullnetarisht, të mos binin ndesh me njëra –tjetrën.

 

F.N : Një ditë , themeluesi i Klinikës Illyria e cila u ndërtua brenda spitalit Jakobi, ju propozoi hapjen e një qëndre për refugjatët kosovare të mbas luftës. Cilat do ishin paskëtaj marrëdhëniet tuaja më klinikën Illyria ?

L. C : Në vitin 1997 më thirrën ne drejtori, e me thanë se nje mjek amerikan do të hapë një qënder për kujdesin e refugjateve kosovare mbas luftes, kryesisht familje të sjella nga Kosova nëpërmjet Bazes amerikane nga Fort Dikxs. Klinika nisi funksionimin e saj vetëm për fëmijë , e më vonë në vitin 2006 dhe për të rriturit e mbarëvajtjen e klinikës shqiptare.

Në vitin 1999, Klinika mori formë dhe funksion të plotë. Ne vendosëm ta quajmë, Klinika Illyria, sepse ky emër përfshinte të gjitha trevat ku kanë jetuar popullsi shqiptare dhe ishte emër gjithëpërfsjirës. Kjo klinikë nisi të tërheqë jo vetëm pacientë shqipëfoles por dhe nga treva nga Ballkani si Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Madeqedonia, Bosnja. Një popullësi e sapoardhur nga këto zona filluan të gjejnë vetveten dhe jo vetëm sherbim të mirë mjekesor, por dhe suportin shoqëror e një ndihmë që ju duhej .

Me rritjen e numrit të pacienteve , mbas një viti, filloi të punoje dhe Dr. Shandley e cila vazhdon të jetë mjeke në Klinikën tonë dhe sot e kësaj dite. Ajo gëzon respekt e dashuri nga të gjithë pacientët. Megjithatë shqetësimi im ishte se, megjithëse këta fëmijëve në moshë të njomë e deri në adoleshencë morën ndihmë mjekësore e shoqërore, linte për të dëshiruar kujdesi për prindërit e tyre, të cilet jo vetëm nuk shkonin rregullisht tek mjeku ,por kur shkonin përsëri ktheheshin tek klinika shqiptare për t’u “siguruar” se u ishte dhënë drejtimi i duhur.

Unë insistoja që krahas mjekëve pediatër, të kishte dhe mjekë të familjes të cilët mundet t’u përgjigjeshin kërkesave të prindërve . Kështu, në vitin 2006 , Klinika Illyria, nisi të vizitojë edhe të rritur. Në klinikë nisi punë një mjeke amerikane , filloi punë mjekja shqiptare që sapo kish mbaruar specializimin, Evia Nano. Klinika u bë me katër mjekë dhe numri i pacientëve u rrit për ditë, për arsye sepse ishte shqipfolëse. I gjithë stafi Illyria, dhe për pacientët ishte ndihmë e madhe që flitej gjuha amtare. Klinika jo vetëm jepte kujdes shëndëtësor, por u bë qënder kulturore e komunitetit shqiptar, ku pacientët e familjet e tyre merrnin këshilla e orientime për shumë probleme të jetës në emigrim, nga mbushja e formave për taksat apo aplikime per insuranceat mjekësore, apo letra reference për të gjetur pune. Kam kënaqësi të them se gjatë 20 viteve të fundit kam parë ndryshime të mëdha tek punonjësit e spitalit, ku mund të them se në vitet 90-të mund te ishim ndoshta 2 ose 3 veta që punonim e tashmë janë rreth 100 punonjës në spital. Unë kam ndihmuar në të gjitha fushat si, mjeke, infermiere, teknike laboratori, punonjës sociale, sekretare e këshilltare siguracionesh, etj. Gjëja më e bukur ështe se shumica e këtyre punonjësve kanë qënë e janë pacientët që kanë qënë e janë pacientë të klinikës Illyria.

F.N : Në shumë vitë punë te kjo klinikë … cilat ishin raportet tuaja me pacientët shqiptarë ? A keni ndonjë ndodhi të cilën mund ta tregoni në këtë intervistë ?

L. C: Një rast që më vjen ndërmend, ka qënë me një paciente të sapoardhur nga fshatrat e Kosoves. Ajo ishte 13 vjeç dhe erdhi me prindërit e saj shumë të alarmuar se i kishin thënë se vajza kishte kancer dhe se duhej që të bëntë chemotherapy. Po ata jo vetëm që nuk e kuptonin mirë se çfarë ishte, por kishin frike se mos vajza ju bëhej më keq në se do t’i nënshtrohej regjimit të kurës për kancer. Unë i shoqërova në disa mbledhje familjare që bëri spitali që do jepte Chemio therapy në Manhattan, Spitali Columbia Presbyterian. Ishim rreth 12 vetë në mbledhje, e unë isha e tensionuar sepse po përktheja diçka që kishte të bënte me jetën e një fëmije, por nga ana tjetër, kisha prindër të cilët kishin një kuptim të kufizuar të sëmundjes e metodave që do përdoreshin për këtë sëmundje. Gjithashtu nëna e vajzes, insistonte që fëmija të bëhej operacion e t’i hiqej krejt sëmundja. Mjekët mundoheshin të shpjegonin se sa e rëndësishme ishtë të bëhej Chemio, ndërkohë që prindërit nuk firmosnin për kurën.

Në atë moment u mora leje mjekëve që ishin në mbledhje; u thashe se në se kishte mundësi të flisja vetëm për vetëm me nënën e fëmijës për disa minuta. Në fund të bisedës, nënë e fëmijes më tha: fëmija im është si të ishte fëmija yt . Nëse ti më thua se do kishe bërë të njëjtën gjë për fëmijën tënd, atëherë unë do të bëj “çka më thotë Lena”. Kështu u mbyll mbledhja. Pas 10 vjetësh, kjo vajzë ka mbaruar universitetin, e shpesh here vinte me nënën e saj, për të më përshendetur në zyrë! Pacientët kanë jo vetëm respekt por besim të plotë në ndihmën që ua japim me gjithë shpirt! Per mua dhe mijëra pacientë që janë vizituar tek ne, Illyria gëzon respekt të veçantë!

F.N : A ju mungon tani Illyria ?

L. C : Në Janar të vitit 2015 pata probleme shëndetësore dhe mbas dy operacioneve të vështira mu desh të shkëputesha nga puna. Më mungon shumë puna në klinikë, pacientët dhe kolegët e punës. Megjithatë me shpirt e zemër jam në Klinikën Illyria, dhe mbaj kontakt shumë të shpeshtë me stafin e mjekët e klinikës Illyria më mungon shumë, se kam vuajtur shumë që kur u themelua klinika. Ka qënë përgjeqësi e madhe, si në fillim kur e krijuam veç për të vegjëlit dhe më shumë pergjegjësi , kur u krijua për të rriturit. Shpesh, kur mendoj për atë kohë kur u krijua klinika them: sa shumë energji që paskemi patur nga i madhi Zot . Një njeri që duhet t’u japë pëgjigje ,një njeri që duhet t’u japë përgjigje edhe 30 familjeve në ditë, shërbim mjekësor si, ndihmë jetësore . Po ashtu , grave shqiptare që ju shërbeva plot dashuri, respekt pa marr para sysh, kush janë cilës fe i përkasin , kujt vendi , të gjitha për mua ishin të njëjta .

F.N : Ju jeni një nënë e suksesshme, sepse edhe fëmijët tuaj janë të tillë, djali juaj ka një biznes të vetin …

L. C: Të dy djemtë e mi janë të shkolluar e janë të martuar me fëmijë. Sandri ka kompaninë e tij të ndertimit, gruaja ka bërë shkollën për Stalin e marketing dhe kanë dy vajza binjake, Sementha e Teffeny. Gjoni, është djali im i cili ka rol drejtues në një kompani të madhe Agjensi Immobilare në Nju Jork. Ai është i martuar me Justinën që është mësuese dhe ka tre femijë. Kenny, Nichels, Gjianna . Djemtë e mi kanë një marrëveshje kulturore mes njëri-tjetrit , kështu që gjithmonë kanë respekt për familjen . Kur dola në pension, djemtë e mi, Sandri e Gjoni, më dhuruan një makinë para derës së shtëpisë. Ishte një surprizë shumë e bukur që më emocionoi shumë . Kisha shpëtuar nga një operacion i rëndë dhe kur u operova, djemtë e nuset , nipat e mbesat, ma mbushën dhomën me lule . Djemtë e mi janë shumë respektueshëm dhe i ndihmojnë shumë njerëzit, duke ju dhënë punë dhe çdo gjë për jetesë. Jam krenare për arritjet e tyre.

F.N : Cilat janë marrëdhëniet që keni sot me vendlindjen tuaj ?

L. C : Me vendlindjen time Ulqinin, kam mbajtur lidhje të afërta. Kur isha në marrëdhënie pune, pushimet verore i kaloja në Ulqin, jo vetëm për t’u çmallur me njerëzit e vendlindjen por për t’i mësuar fëmijet e mi me gjuhën, zakonet e dashuri për vendlindjen e të parëve. Tani që kam dalë në pension, me Nikollën kemi ngritur shtëpi në trojet tona, ku kalojmë një pjesë të mirë të vitit. Shpesh na vizitojnë fëmijët nga Amerika, nipër e mbesa, gjatë muajve të verës. Për ne si prindër e gjyshër, është kënaqësi e madhe që i kemi mësuar fëmijët, me respekt e dashuri e dhëmbshuri për Atdheun.

F.N : Cili mendoni se duhet të jetë imazhi i gruas shqiptare në shekullin e XXI ?

L. C : Këto vite e breza që kam kaluar, jam dëshmitare e një ndryshimi themelor, në gruan shqiptare. Arsimimi dhe emancipimi i brezave të lindur e rritur në Amerikë, krahasimisht me gratë emigrante te cilat vijnë nga zona të thella të Ballkanit , të cilat hasin vështirësi më të mëdha kur vijnë si emigrante sepse shpesh në këto zona ruhen traditat e vjetra, e gratë janë më pak të shkolluara, nuk flasin gjuhën, nuk janë në marrëdhënie pune, E ndiej se për këtë pjesë të popullsisë, të sapo ardhur, ka një rrugë të gjatë të akultururimit e të integrimit në shoqërinë perendimore Amerikane.

Gratë shqiptare janë shumë të afërta me familje, ato vendosin para vetes familjen e nevojat e familjes para vetes , gratë shqiptare janë ndryshe nga gratë e tjera . Gruaja shqiptare ka traditë, nder kujdesin ndaj fëmijëve deri në martesë, gruaja shqiptare nuk i thotë djalit ose vajzës , ik tani se ke mbushur 18 vjeç. Këto e bëjnë gruan shqiptare shumë ndryshe se gratë e tjera . Këtu mendoj se hyn në punë formimi i qendrave kulturore dhe edukuese te pajisura me punonjëse sociale e ndihmëse të komunitetit.

Filed Under: Emigracion Tagged With: "Zonjat Shqiptare në Nju Jork", Flora Nikolla

Dr. Valbona Karanxha, një nga “Zonjat Shqiptare në Nju Jork”

March 14, 2016 by dgreca

-Bisedë me Dr.Valbona Karanxha/*

– Me dashuri për dijen: Nga bangat e fëmijërisë në auditoret e Yale University/

– Ambicja ime nuk është të angazhohem si zyrtare politike, por të lehtësoj me sa të kem mudësi proçeset demokratike në Shqipëri. Dr.Karanxha/

Dr. Valbona Karanxha ka lindur në Vlorë. Është Yale University research fellow për vitet 2009, 2014, 2015, 2016. Është autore e publikuar tri herë nga Yale University për kërkimet e saj në degët shoqërore si histori dhe letërsi e Amerikës Latine, histori e Amerikës në shekujt 20 – 21, Lëvizjen për të Drejtat Civile në vitet 1960, dhe gjithashtu Kushtetutën dhe Demokracinë Amerikane. Studimet dhe kërkimet e saj përqëndrohen në fusha të ndryshme si ato politike, udhëheqësi, organizata, të lidhura me zbatimin e politikave publike. Valbona Karanxha është gjithashtu autore e botuar në gjuhen shqipe.

Punon në sistemin e shkollave publike amerikane. Ka kryer Masterin në Arte në degën e Gjuhëve Romane (latine), në Southern Connecticut State University (2003 – 2007), dhe mban gradën Doktoreshë Shkencash në Udhëheqësi dhe Politika Publike, po nga Southern Connecticut State University (2009 – 2014).

-Le ta fillojmë me fëmijërinë tuaj, mbresa dhe kujtime të fëmijërisë, ku e keni kaluar atë?

-Kam lindur në Vlorë. Nga fëmijëria mbaj mënd qytetin e bukur të Vlorës, gjyshërit e mi të cilët më jepnin shumë dashuri sepse isha mbesa e madhe. Më kujtohen mbrëmjet e bukura nga Uji i Ftohtë kur shëtisnim natën vonë dhe shikonim dallgët tek përplaseshin në shkëmbinjte poshtë Belvederes. Ishte magjepsese, dhe një lumturi fëminore në pafundësi kur vraponim të kapnim autobusin e fundit nga Uji i Ftohtë për në Vlorë. Çerdhen e kam pasur midis portokalleve, paçka se nuk e mbaj mënd kur kam qënë në çerdhe, por kopshtin dhe shkollën “15 Tetori” i mbaj mend shumë mirë. Jam rritur me dashuri dhe përkujdesje nga të dy prinderit e mi të cilët kanë bërë ç’është e mundur të shkëlqeja në shkollë dhe të isha model. Mamanë e kam pasur mësuese, por babai ka qënë ai që më edukoi me ambicien dhe dëshirën për të mësuar, dhe për të qënë një nxënese e përjetshme me dashuri të pareshtur për dijen.

-Çfarë do të kujtonit nga shkolla në Shqipëri, dhe a mund të bëni krahasimin midis edukimit këtu dhe në Shqiperi në disa drejtime?

-Shkolla në Shqipëri, pavarësisht sistemit na ka mundësuar të krijojmë një bazë të fortë mbi të cilën ndërtuam profesionalizëm në karierën tonë si edukues të brezit të ri. Kjo nuk mund të mohohet. Dija është e vyer në të gjitha sistemet, dhe pavarësisht nga metodikat e ndjekura. Përsa i përket diferencës në metodikë, shkolla në Shqipëri ndiqte një metodë që unë e quaj “Behavioral theory”, dhe bazohet në atë që mësuesit mendojnë se është e rëndësishme të jepet si lëndë, ose brënda saj, ndërsa në Shtetet e Bashkuara mësimdhënia në përgjithsi bazohet në “Constructivist theory”. Kjo është metodë empirikale, ka të bëj me ndërtimin e dijes nga eksperiencat paraprake, të jetuara ose të mësuara. Ky sistem i përdorur në arsimin amerikan bazohet në teoritë e postuluara nga psikologët Vygotsky dhe Piaget, dhe nxit fëmijët ose studentët të arrijnë në konkluzionet e tyre nga praktikat dhe arsyetimi llogjik. Është metodikë frutdhënëse dhe pergatit studentin për kërkime shkencore të pavarura në të ardhmen, gjithashtu fokusohet në eksperimente dhe projekte.

-Kur erdhët në Amerikë, si arritët të keni këto rezultate të shkëlqyera në edukimimin post-universitar?

-Nuk ka qënë e lehtë të përballosh jetën, të punosh, të kontribuosh në familje, dhe të ndjekësh shkollën. Por unë kam dëshirë që të jem gjithmonë në avancim të njohurive të mia, jo vetëm ato që kam marrë në programet e Masterit dhe të Doktoraturës, por edhe në mënyrë individuale. Sot, unë ende ndjek studime dhe jam bashkëpuntore në shkencat shoqërore pranë Yale University. Këto studime më kanë mundësuar të krijoj një bagazh i cili më ndihmon si edukuese e brezit te ri. Dija nuk ka kufi, dhe sa më shumë lexoj aq më shumë dëshirë kam të zgjeroj njohuritë. Për këtë arsye, unë nuk shikoj asnjë shfaqje ose program në televizion. Koha ime e lirë mbas punës i përkushtohet studimit në fusha të ndryshme sidomos ato politike, psikologjike, dhe të ekonomisë politike.

-Ju jeni integruar intelektualisht në botën amerikane. Cilat janë disa nga vështirsitë tuaja dhe rrugët që ju arritët deri në ketë stad?

-Unë e konsideroj si një normalitet integrimin. Vështirësitë janë profesionale dhe varen nga fusha. Përshëmbull, po të isha në degë finance apo ekonomike do kisha veshtirësi të tjera. Personaliteti gjithashtu ka të bëjë në integrimin e sukseshëm shoqëror dhe atë profesional. Njeriu i vë vetes disa objektiva dhe perpiqet t’i arrij. Por në të njejten kohe, fleksibiliteti dhe përshtatja ndaj kulturës janë të domosdoshme, por kuptohet pa harruar rrënjet e tua dhe pa u asimiluar.

-Cili është studimi juaj shkencor, në universitetet që ju kanë ftuar në programet e ndryshme si studente, apo si arsimtare?

-Studimet e mia janë në fushat shoqërore dhe të edukimit. Perkatsisht, në Southern Connecticut State University kam punuar në fushën e Lidershipit dhe Politikave Publike. Studimi im ka qënë mbi impaktin që lidërshipi shkollor ka në implementimin e reformave dygjuhësore dhe çfarë rekomandimesh duhen bërë në fushën e politikave arsimore për të përmbushur nevojat e studentëve dygjuhësh mbas tranzicionit në klasë të rregullt.

-Në Yale University për vitin 2016 studimet e mia janë në Demokracinë Amerikane dhe Kushetutën e saj. Fokusi i kërkimit tim do jetë gjithashtu mbi statusin politik të Puerto Rico-s dhe implikimet në praktikë te demokracisë përfaqsuese. Në 2015, studimi im në Yale Univeristy u fokusua në Lëvizjen për të Drejtat Civile dhe pikërisht ne Identitetin Latin gjatë Lëvizjes për të Drejtat Civile Në 2014, po në Yale University studimi ishte në fushën e krijimtarisë nga imazhet. Fokusi ishte në simbolikën e imazheve në Historinë e Amerikës Latine.

-Në 2009 në Yale University, studimi im ishte në Letërsinë Botërore me fokus në Realizmin Magjik si rrymë e pasqyruar në “Tregimet e Eva Lunës” nga Isabelle Allende.

-Kohët e fundit ju keni botuar librin “Politikat dhe Strukturat e Rrethit të Ferrit”, do të vazhdoni të merreni me politike?

-Ambicja ime nuk është të angazhohem si zyrtare politike, por të lehtësoj me sa të kem mudësi proçeset demokratike në Shqipëri. Unë besoj se vëndi ka nevojë për politikanë të cilët do punojnë në favor të popullit, kombit dhe shtetit shqiptar. Deri tani ndryshimet “demokratike” që kanë ndodhur kanë qënë një përpjekje për të instaluar një sistem i cili do funksionoj në favor të një shtrese politikanësh të korruptuar. Kjo është në kundërshtim me çdo parim demokratik, prandaj, përderisa kjo klasë të jetë në pushtet unë do jem aktive në jetën politike të vendit.

-Ju jeni një kundërshtare e fortë e sistemit në Shqipëri, mendoni se do të ndikoni për ta ndryshuar atë sistem?

-Sistemi në Shqipëri është ndërtuar në baza klanore, partitë janë struktura klienteliste dhe kolapsi do jetë i paevitueshëm në se vazhdohet në këtë rrugë. Përpjekjet tona konsistojnë në nxjerrjen e sistemit nga kaosi në rrugë demokratike duke ndërgjegjsuar qytetarin e thjeshtë, dhe duke ofruar alternativa të tjera si alterniativën e ndarjes nga e keqja dhe ndërtimin e një shteti komb i cili do punojë për shqiptarët.

-Cilat janë projektet tuaja?

-Projektet e mia janë më tepër në fushën studimore. Në planin afat-shkurtër do vazhdoj të punoj në arsim. Më pëlqen lënda që jap (Histori dhe Civilizim i Amerikës Latine për studentë të cilët janë folës të lindur të Spanjishtes) dhe them se i shërbej një shtrese demografike në SHBA e cila ka nevojë për mbështetje gjuhësorë dhe kulturore. Në planin afatgjatë dua të kompletoj disa studime në shkencat shoqërore, por gjithmonë duke qëndruar në nivel akademik, dhe të vazhdoj të jem studjuese dhe autore e publikuar në fushën time.

-Sot çfarë është për ju Amerika?

-Amerika për mua është atdheu im i dytë, shtëpia ime. Është model shtetëror, demokratik të cilin unë e konsideroj si shembull të mirëfilltë për Shqipërinë dhe vende të tjera në rrugën e demokracisë. Pa dyshim është vënd i mundësive, i të qënit të lirë në kuptimin politik, ekonomik dhe personal.

– Ju keni vite në Amerikë, keni menduar se një ditë mund të ktheheni në Shqipëri dhe te sillni gjithë përvojën tuaj maksimale që morët në shtetin më demokratik të botës?

-Unë kam deshirë të punoj për njerëzimin kudo që ndodhem. Do më pëlqente të krijoja programe edukimi dhe teknologjie në vëndet në zhvillim, dhe jo vetëm në Shqipëri (po të më jepeshe mundësia më e afërt dhe të siguroj fonde të mjaftueshme). Mendoj se bota ka nevojë për individë të cilët kanë një vizion të qartë dhe investojnë përpjekjet e tyre në fushën e arsimit. Edukimi është arma më e fuqishme për të fituar lirinë e mendimit, pavarësinë ekonomike, dhe për t’i ardhur në ndihmë kombit tënd.

– Ju jeni përzgjedhur si personazh i librit “Zonjat Shiptare të Nju Jorkut” ideuar nga “Albanian Excellence”, libër që do të botohet për herë të parë për gratë e suksesshme pertej oqeanit, si ndiheni për këtë?

– Ndihem mjaft e privilegjuar dhe është nder për mua. Jam e bindur që shëmbujt e gruas të sukseshme shqiptare janë të panumërta dhe falënderoj inisiatorët e kësaj nisme. Jam mjaft mirënjohse për respektin. Ka gra shumë herë më të sukseshme se unë, por më bëhet qejfi që jam një pikë uji e vogël në oqeanin e arritjeve të grave tona. Jam mirënjohse për mundësinë, por në veçanti falënderoj Znj. Kozeta Zylo për rekomandimin.

– Cili mendoni se duhet të jetë imazhi i gruas shqiptare në shekullin e XXI?

-Shoqëria shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë nuk ka një imazh, apo konsideratë pozitive për gruan dhe figurën e saj. Kjo ka të bëjë me kulturën e përgjithshme. Por kuptohet, ky cilësim nuk është absolut. Ka raste pozitive për imazhin e femrës sonë dhe për ato që janë të sukseshme sidomos në fushat akademike, ose edhe femrat të cilat janë nëna të përkushtuara dhe model.Me ndryshimet demokratike, femrës sonë ju paraqitën modele të gabuara, sipërfaqsorja u vu mbi cilësoren. Kjo po vazhdon të bëhet me fanatizëm nga mediat tona të cilat i kushtojnë vëmëndje simbolizmit seksual duke ushtruar një presion psikologjik ndaj femrës tonë dhe vajzave tona të reja. Pa u ndalur shumë në këtë problem i cili do kujdes të vëmëndshëm, them se edukimi prindëror, dhe kultivimi i dijes duhet të jetë shoqëruesi i formimit të femrës sonë. Imazhi i femrës sonë duhet të restaurohet dhe na takon të gjithve të japim kontributin tonë.

-Ju faleminderit e nderuar Dr.Karanxha!

Personazh në librin “Zonjat Shqiptare në New York”

New York, 2016

* Bisedoi Keze Kozeta Zylo/

 

Filed Under: Interviste Tagged With: "Zonjat Shqiptare në Nju Jork", Dr. Valbona Karanxha, Keze Kozeta Zylo, një nga

Artikujt e fundit

  • Aleksandër Xhuvani drejtor dhe autori i teksteve në Normalen e Elbasanit
  • Shqiptarët në New York kryen homazhe në nderim të heroit të Kosovës Afrim Bunjaku
  • NY Vigil Tribute to Officer Bunjaku
  • 150 VJETORI I LINDJES SË HASAN PRISHTINËS, NJË NGJARJE QË TEJKALON KUFIJTË KOHORË E HAPËSINORË
  • KALENDAR Kur Papa Pali III merrte nën juridiksion papal, Urdhrin e Jezuitëve
  • SHKOLLA SHQIPE E MICHIGANIT, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE NË AMERIKË
  • Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier
  • Shtatori është dhembja dhe krenaria jonë, kujtimi për masakrën e Deliajve në Abri
  • KLARA  KODRA,  STUDIUESE  E  LETËRSISË  ARBËRESHE
  • Pyetje
  • Shqipëria po shitet, shqiptarët  rrijnë e vështrojnë
  • SERBIA – PROBLEM I BALLKANIT DHE JO ZGJIDHJE E TIJ
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1912) / FALË MARK KAKARRIQIT ARRITËM TË INTERVISTONIM NË QYTETIN TONË ISMAIL BEJ QEMALIN, PARA SE KY I FUNDIT TË NISEJ PËR TË SHPALLUR PAVARËSINË E SHQIPËRISË
  • Afrim Bunjaku, in memoriam…
  • Shkollat Shqipe Alba Life në NY e hapën vitin e ri akademik 2023-2024 me fidanishten e parë të saj në Staten Island

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT