Dr. sc. Fitim RIFATI
Instituti i Historisë – Prishtinë
Terrori serb ndaj shqiptarëve të Drenicës më 1914
Në luftimet e zhvilluara ndërmjet kryengritësve dhe forcave ushtarake serbe në fshatra të Drenicës, më 3 prill 1914, u plagosën tetë ushtarë serbë, gjersa gjatë luftimeve kryengritësit përdorën edhe bomba dore. Më 7 prill 1914, forca të shumta ushtarake të këmbësorisë, arsenal lufte – mitraloza dhe 4 topa fushorë nga Prishtina dhe Pazari i Ri, u nisën në drejtim të Komoranit të Drenicës, për të shuar lëvizjen kryengritëse në këtë trevë. Të njëjtën ditë, forca ushtarake, xhandarmëri dhe arsenal i tillë lufte u dërguan edhe në Deviç, Llaushë, Vitak e Runik. Me sa duket, shkalla e tensionit dhe luftimeve në Drenicë ishte e lartë, sepse me urdhër të Komandës Ushtarake nga Mitrovica në Drenicë u dërguan 300 rezervistë nga regjimente të këmbësorisë. Mirëpo, pothuajse të njëjtat forca ushtarake detyroheshin të riktheheshin sërish në kazerma për shkak të numrit të të vrarëve e të plagosurve në luftime me kryengritësit shqiptarë. Kështu, më 9 prill nga Lubaveci u dërguan me urgjencë në Mitrovicë 3 ushtarë të plagosur, kurse më 10 prill nga Komorani u dërguan 28 të plagosur, dy prej të cilëve ishin shqiptarë në shërbim të forcave ushtarake serbe.
Kësisoj, për shkak të situatës alarmante, në Rrethin e Prishtinës dhe Vushtrrisë u shpall gjendje shtetrrethimi. Rrjedhimisht, organet e administratës ushtarake urdhëruan dërgimin e forcave shtesë në Drenicë, nga 11 deri më 16 prill 1914. Komorani, Llausha, Vitaku, Abria, Polaci, Deviçi e Gllanasella, ishin vendet kryesore ku u dërguan trupa të reja të regjimenteve të këmbësorisë. Masat e ndërmarra ndaj shqiptarëve të Drenicës, për të arrestuar ata dhe plaçkitur pasuritë e tyre, përkundër ankesave e protestave të tyre, drejtuesit administrativë i konsideronin të “justifikueshme, sepse përfaqësojnë një hakmarrje të drejtë të shtypjes që duhej të duronte elementi serb në kohën e Turqisë (Perandorisë Osmane, F.R)”. Sipas një informacioni që diplomati britanik në Beograd, Dayrell Crackanthorpe, i dërgon ministrit të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Edward Grey, në gjysmën e parë të muajit prill 1914, për mizoritë serbe në Kosovë, ndër të tjerash konstatohet se: “Serbët kanë ndërmarrë masa jashtëzakonisht drastike, ndoshta edhe të panevojshme në ato rrethana, për fashitjen e revoltës, duke djegur shumë fshatra dhe në disa vende kanë ndodhur masakra të mëdha”.
Më 17 prill 1914, nga Pazari i Ri në Gllanasellë dhe Komoran, u dërguan 41 kalorës të trupave ushtarake serbe, kurse 4 topa fushorë u kthyen nga Komorani në Mitrovicë. Megjithëkëtë, Drenica mbetej qendër e kryengritjes, e cila e sfidonte pareshtur autoritetin e administratës ushtarake serbe në Kosovë. Sikurse nga Mitrovica, po ashtu nga Vushtrria, u dërguan në Drenicë njësite të rregullta ushtarake të këmbësorisë, të cilat kishin për qëllim shuarjen e rezistencës shqiptare.
Në luftimet e datës 23 prill 1914, në afërsi të Komoranit, të zhvilluara ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe një patrulle ushtarake serbe, mbetën të plagosur 2 shqiptarë dhe dy ushtarë serbë. Në shenjë hakmarrje, autoritetet ushtarake serbe dhe administrative në Mitrovicë, riaktivizuan grupet komite serbe, për të realizuar krime të reja ndaj popullsisë shqiptare në Drenicë. Më 27 prill 1914, rreth 200 komitë serbë u shpërndanë nëpër fshatrat Bajë, Kotorr dhe Radishevë. Rrjedhimisht, shqiptarët, nën pretekstin se mbanin armë të fshehura, plaçkiteshin dhe vriteshin brenda shtëpive të tyre prej grupeve komite serbe. Në aksionet e komitëve serbë u vranë edhe dy shqiptarë në Makërmal dhe, më 28 prill 1914, dy të tjerë në Açarevë. Të njëjtën ditë, në Açarevë gjatë një prite të organizuar nga një grup shqiptarësh, mbetën të vrarë një oficer dhe një ushtar të një patrulle serbe.
Më 29 prill 1914, komitët serbë bombarduan shtëpinë e hoxhës në fshatin Kuçicë. Rrjedhimisht, edhe vet Kryetari i Rrethit të Mitrovicës, Josif Studiq, ndërmori aksione për çarmatimin e shqiptarëve, por gjoja se nuk mori masa ndëshkimi. Në Sushtra (6 km në lindje të Kuçicës) u konfiskuan 8 pushkë, në Broboniq 14 pushkë, në Zhabar 4 pushkë dhe në Vaganicë 2 pushkë “mauzer”. Fshatra të Drenicës dhe viseve përreth, si: Açareva, Llausha, Klina, Vitaku, Runiku, Komorani, Suhogërlla, Kijeva etj., mbaheshin nën rrethim të hekurt nga batalionet ushtarake serbe, të cilat përforcoheshin pa ndërprerje me njësite të reja. Tërë ky terror bëhej për të nxitur edhe emigrimin e shqiptarëve dhe kolonizimin serbo-malazez të Kosovës, që ishte i domosdoshëm për shtratin e interesave të politikës shtetërore të Mbretërisë së Serbisë dhe Mbretërisë së Malit të Zi. Në këtë kontekst, nga nëntori i vitit 1912 deri në mars të vitit 1914, nëpërmjet portit të Selanikut në drejtim të Perandorisë Osmane, sipas burimeve serbe kishin emigruar 240.000 myslimanë të Gadishullit Ballkanik, shumica e të cilëve ishin shqiptarë.
Edhe gjatë muajit maj 1914 nuk u ndalën veprimet kryengritëse në Drenicë. Më 3 dhe 4 maj, në shpatet e malit të Çyçavicës, që ishte shndërruar në një çerdhe të rëndësishme për të mbajtur aktive lëvizjen kryengritëse, forca të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe kishin zhvilluar dy beteja të armatosura me kryengritësit shqiptarë në mes të fshatrave Likoshan, Gradicë dhe Gllanasellë. Bilanci i këtyre betejave ishte 10 të vrarë dhe po ashtu 10 të plagosur, një kryengritës i zënë rob, ndërsa të tjerët ishin arratisur. Kjo luftë e armatosur, që i shkaktonte vazhdimisht kokëçarje administratës serbe, e nxiti komandën e autoriteteve ushtarake të Qarkut të Kosovës, për të dërguar në Drenicë një batalion me dy topa, detyra e të cilit ishte kërkimi dhe kapja e kryengritësve dhe rrjedhimisht eliminimi i qëndresës së armatosur në këtë trevë.
Likuidimi i patrullës ushtarake serbe në Likoc
Për të shuar këtë lëvizje nga Gostivari në Drenicë u dërguan dy batalioni nga regjimente të këmbësorisë. Më 8 maj 1914, në Deviç u dërguan 15 karroca me shtretër ushtarakë. Në ditët e para të muajit maj, gjatë orëve të mbrëmjes, një grup i armatosur shqiptarësh sulmoi kampin ushtarak serb në Komoran. Gjatë luftimeve mbetën të vrarë një oficer (togeri Vukashin Mitiç) dhe shtatë ushtarë serbë. Po ashtu u plagosën katër vetë, të gjithë nga regjimente të këmbësorisë dhe xhandarmërisë. Nga radhët e grupit të shqiptarëve mbeti një i vrarë dhe një i plagosur. Më 12 maj 1914, një patrullë ushtarake serbe, e përbërë nga 6 ushtarë dhe 2 xhandarë, sulmoi në Likoc një grup të fortë e të armatosur shqiptarësh, që përbëhej nga 12 vetë. Grupi i armatosur i shqiptarëve përdori strategji të suksesshme, i cili, duke u tërhequr fillimisht dhe duke u shpërndarë në atë mënyrë, krijoi mundësi për të vrarë patrullën serbe, ushtarët dhe xhandarët e së cilës humbën në skutat e rrugët e Likocit. Kjo patrullë u likuidua tërësisht deri në pjesëtarin e saj të fundit. Megjithëkëtë, në Drenicë nuk u ndalën reprezaljet serbe ndaj shqiptarëve.
Shqiptarë mbi qerre pranë kullës në një fshat të Drenicës
Komitët serbë, të armatosur në masë, urdhëronin popullsinë shqiptare të Drenicës për të emigruar, sepse qëndrimi i saj në Kosovë ishte i padëshirueshëm nga serbët lokalë, kolonë dhe administrata shtetërore. Mirëpo, shqiptarët nuk iu përgjigjën thirrjeve të tyre. Rrjedhimisht, shqiptarët arrestoheshin pa ndonjë arsye dhe më nuk ktheheshin në shtëpitë e tyre. Ndërmjet 11 dhe 16 majit në Gradicë u vranë 3 shqiptarë, kurse në Abri u arrestuan 10 shqiptarë, të cilët nën shoqërimin e rojeve i larguan nga fshati. Pothuajse çdo vendbanim shqiptar i Drenicës ishte i mbushur me komitë dhe xhandarë serbë, për fjetjen dhe ushqimin e të cilëve kujdeseshin komunat përkatëse, që kishin plaçkitur popullsinë shqiptare. Rrjedhimisht, në gjysmën e parë të muajit maj, sipas informacioneve që kishte në dispozicion administrata e Qarkut të Zveçanit, në territorin administrativ të tij po vepronin 89 kryengritës shqiptarë: prej tyre 59 në Rrethin e Drenicës, 20 në Rrethin e Vushtrrisë dhe 10 në Rrethin e Mitrovicës. Sipas tyre, ky numër ishte simbolik në krahasim me numrin e kryengritësve në vjeshtën e vitit 1913. Në arsyetimin e këtij numri të vogël, organet e administratës serbe në Qarkun e Zveçanit, konsideronin se shumica e kryengritësve shqiptarë ishin dorëzuar, pasi që atyre u ishte lejuar kthimi në fshatrat dhe shtëpitë e veta. Në bazë të regjistrimeve të autoriteteve ushtarake serbe në Kosovë, për pjesëtarët e grupeve kryengritëse sipas rretheve dhe komunave të Qarkut të Zveçanit në vitin 1914, pothuajse nga çdo fshat i Drenicës (Skënderajt) kishte të regjistruar kryengritës, të cilët në përgjithësi arrinin shifrën e 424 vetash. Nga fshati Bajë (Zejnel Çitaku, Hamza), Kotorr (Jusuf Ajrizi, Islam Kotari, Shaban Rama, Bajram Haziri, Hasan Keça dhe Sinan Keça, djemtë e Ajet Çaushit), Kostërc (Miftar Tafa), Kuçicë (Sherif Mahmuti, Halim Bilalli), Marinë (Hajdin Kuçica), Klladërnicë (Azem Kllodernica, Sejdi Latifi), Pemishtë-Padalishtë (Daut Rexhepi, Jusuf Musliu), Rezallë (Shaban Dërguti), Çitak (Mehmet Selimi, Murat Çitaku), Kuçicë (Sherif Mahmuti), Ticë (Bahtir Okol), Abri (Sefer Sylejmani, Halil Obria), Klinë (Sylë Sejda, Bislim Selimi), Rakinicë (Bislim Ferizi) etj.
Në anën tjetër, më 16 maj 1914, inspektori i policisë serbe, famëkeqi Mihailo Ceroviq, autorizoi 27 kolonë malazezë të zgjedhnin shtëpitë dhe tokat e shqiptarëve të arratisur dhe të uzurponin e përvetësonin ato. Në raportin e tij, J. Umlauf i shkruante Vjenës zyrtare: “Më 17 maj u paraqitën tek inspektori i policisë tre imamë dhe u lutën që kolonët malazezë t’i vendoste në fshatrat e banuara nga serbët, sepse nga këta kolonë që kanë pushkë e municion mauzeri nuk mund të pritet ndonjë gjë e mirë. Inspektori i policisë, Ceroviq, i qetësoi ata duke i siguruar se kolonët e armatosur duhet të kujdesen edhe për sigurimin e atyre që nuk janë myslimanë. Çdo lokalitet i banuar nga myslimanët do të ketë 10 nga këta kolonë. Dhe është e dëshirueshme që këtyre t’u lëshohet pak arë e punuar”.
Masakra serbe ndaj 48 shqiptarëve të Drenicës
Ndërkohë, lëvizje trupash nga Komorani në Abri, si dy vende ku qëndronin kampe, stacione ushtarake serbe dhe administrata komunale, pati edhe gjatë fundit të muajit maj. Më 26 maj 1914, në Lubavec marshoi një batalion i këmbësorisë, i cili vepronte në Lubavec, Llaushë dhe Vitak, ndërsa një batalion i regjimentit të këmbësorisë dhe 4 mitraloza ndodheshin në Abri. Në Komoran dhe Prishtinë, më 1 qershor 1914, ndodheshin dy batalione të regjimentit të këmbësorisë, katër topa malorë dhe një regjiment i kalorësisë. Kësisoj, më 26 maj 1914, pranë Cerovikut (20 km në jug të Llaushës), me sa duket afër Komoranit dhe Gllogocit, u zhvillua një përleshje e armatosur ndërmjet shqiptarëve dhe forcave ushtarake serbe, në të cilën u vranë tre ushtarë serbë. Ditën e nesërme, sipas referatit të J. Umlauf, më 27 maj 1914, “barinjtë e fshatrave Çikatovë, Abri, Polac dhe Llaushë zbuluan kufomat e 48 shqiptarëve të gjymtuar, të vrarë jashtë qytetit”. Ky terror dhe krimet serbe në Drenicë, janë argumente të rëndësishme që provojnë shkallën e shqetësimit të organeve administrative në këtë trevë dhe reprezaljet që ato ndërmorën ndaj shqiptarëve, për të eliminuar përpjekjet e tyre që sfidonin autoritetin e Mbretërisë së Serbisë dhe pikësynimin e saj për tjetërsimin e identitetit kombëtar dhe kulturor të Kosovës.
Dhuna serbe ndaj shqiptarëve
Organet e administratës serbe i tendosi jashtëzakonisht lëvizja e qëndresës së armatosur në Drenicë, prandaj nuk ndaleshin së zbatuari metoda dhe mjete të ndryshme për shthurjen e saj. Kryetari i Rrethit të Mitrovicës, Gjorgje Matiq, në mesin e metodave efektive për shuarjen e kësaj lëvizje, konsideronte në mënyrë të veçantë se ky problem i madh mund të zgjidhej “në mënyrë të përhershme vetëm duke zhvendosur ose internuar familjet e kryengritësve”. Ideja e tij mori formë konkrete kur në gjysmën e parë të muajit maj, Ministrisë së Punëve të Brendshme të Mbretërisë së Serbisë, i propozoi zhvendosjen e familjeve të kryengritësve nga shtëpitë e tyre dhe pas kësaj në këto shtëpi të vendoseshin familje të vogla kolone serbe nga fshatrat e Rrethit të Mitrovicës. Këto familje do të luanin rol të rëndësishëm në mbështetjen e administratës serbe në Drenicë. Në këtë kontekst, propozimi i tij përfshinte edhe mirëqenien e këtyre familjeve, të cilave duhej t’u jepej e drejta e shfrytëzimit dhe punimit të tokës shtetërore. Rrjedhimisht, kur të realizohej edhe ky hap, pastaj niste procesi i kolonizimit serb të Drenicës. Ky plan i Kryetarit serb u diskutua seriozisht në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në Drenicë janë vendosur familje kolone serbe, por praktikisht ky plan nuk është realizuar në masë specifike, për shkak se procesi i kolonizimit nuk mund të realizohej me hapa të shpejtë. Ndërkohë, edhe rrethanat politike në Mbretërinë e Serbisë pas Atentatit të Sarajevës (28 qershor 1914), ndikuan në relativizimin e politikave të brendshme në kurriz të viseve shqiptare.
Vrasje, çarmatim e mizori ndaj shqiptarëve
Organet ushtarake serbe u treguan të ashpra edhe ndaj shqiptarëve që ishin arrestuar me akuzën për sensibilizim dhe nxitje të kryengritjes kundër pushtetit serb. Kështu, me këtë akuzë, 6 shqiptarë që ishin arrestuar në fshatin Gradicë, u transferuan dhe më pas u ekzekutuan në Deviç, pa zbatuar një procedurë paraprake gjyqësore. Në këtë kontekst, duke qenë kategorike të luftonin dhe likuidonin çdo pjesëtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, organet serbe realizuan edhe një vrasje. Sipas informacioneve të J. Umlauf “një kryengritës që në vjeshtën e vitit 1913 ishte arratisur në Shqipëri, u kthye në fshatin e tij me qëllim të fuste kontrabandë (pa u hetuar nga organet ushtarake dhe policore serbe, F.R) në Shqipëri gruan e tij të re. I sulmuar nga xhandarët, ai ra i vdekur pasi edhe ai vrau një nga agresorët”. Ndërsa gruan e këtij kryengritësi fati e detyroi ta lidhte në bashkëjetesë të paligjshme me kryetarin e komunës së Deviçit.
Në dhjetëditëshin e parë të muajit qershor të vitit 1914, organet e administratës ushtarake serbe bënë zbarkimin e armëve dhe transferimin e trupave, të cilat përfshinin edhe territorin e Drenicës. Njëkohësisht, serbët lokalë dhe kolonë morën pjesë në aktivitete që kishin të bënin me stërvitjen e tyre për të qitur me armë. Ushtrimet në fjalë u realizuan në Mitrovicë me rastin e festës së Pashkëve Ortodokse. Po ashtu, zona e Drenicës u përball edhe me arrestime, siç ndodhi në fshatin Vitak, ku u arrestua një 25 vjeçar, pa asnjë dokument personal, për gjoja veprimtari spiunazhi në shërbim të konsullatës austro-hungareze në Mitrovicë. I arrestuari, i shoqëruar nga trupa ushtarake, u dërgua për masa të mëtejme në Shkup. Në fillim të qershorit 1914, autoritetet administrative serbe i njoftonin shqiptarët myslimanë që të pajiseshin me certifikata emigrimi dhe të largoheshin brenda tri ditëve nga Drenica dhe Kosova, sepse më vonë nuk lëshoheshin leje të tilla prej tyre. Edhe në fund të muajit qershor në Drenicë u dërguan kompani këmbësorie për të përforcuar forcat e tjera ushtarake, ndërsa nga fshati Bajë komisioni i çarmatimit solli në Mitrovicë 12 pushkë mauzer osman të konfiskuara tek shqiptarët. Në Klinë, më 12 dhe 13 qershor 1914, dy shqiptarë pasi u keqtrajtuan më pas u plaçkitën nga komitët serbë. Ndërsa më 14 qershor, prej një patrulle ushtarake serbe u plaçkit e tërë shtëpia e Keço Ajet Çaushit, i cili ndodhej i arratisur në Shqipëri.
Përfundimi
Në bazë të burimeve dhe materialeve të mësipërme, nënkuptohet se Drenica pothuajse përgjatë një viti (korrik 1913 – qershor 1914) ishte maksimalisht aktive në kuadër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, për çlirimin e Kosovës nga pushtimi dhe aneksimi serb e malazez dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Përmes organizimit të luftës së armatosur, e cila u zhvillua me metoda e strategji të befasishme dhe në grupe numerikisht të vogla (30 vetë) e të mëdha (2.000 vetë), varësisht nga terreni gjeografik i veprimit, shqiptarët e Drenicës nuk e lanë asnjëherë të qetë administratën pushtuese, duke e goditur e sfiduar atë në të gjithë segmentet e saj të sigurisë (ushtarakë e policorë) e të administratës. Kjo forcë shqiptare, që njëkohësisht u kujdes për mbrojtjen e shqiptarëve nga shtypja serbe, u persekutua vijimisht nga organet e administratës serbe, u luftua me të gjitha metodat e mjetet, por nuk arriti të shuhej plotësisht, pavarësisht masakrave, terrorit e krimeve që ushtroheshin ndaj familjeve të kryengritësve, ndaj popullsisë së pafajshme dhe ndaj çdo vendbanimi të Drenicës. Në këtë kontekst, në vitet 1913-1914, Drenica përfaqëson një rol dhe kontribut të veçantë në kuadër të tentativave të popullit shqiptar të Kosovës për çlirim e bashkim kombëtar, i cili me qëndresën dhe luftën e armatosur ka përçuar një mesazh tek Fuqitë e Mëdha dhe monarkitë serbo-malazeze, se vendimet për cenimin territorial të Shqipërisë dhe ndarjen e shqiptarëve, ishin të padrejta dhe të papranueshme.
(Fund)