
Rafaela Prifti/
Një vaksinë e personalizuar kundër kancerit, e bazuar në teknologjinë mRNA, është e para e këtij lloj që kalon me sukses një provë klinike të fazës 3, duke hapur rrugën drejt miratimit të mundshëm nga FDA. Ndryshe nga trajtimet tradicionale që aplikojnë një qasje të njëjtë për të gjithë, kjo terapi inovative përshtatet specifikisht për çdo individ. Duke qenë se shkencëtarët e bëjnë kodimin e vaksinës për të shënjestruar qelizat specifike kancerogjene të pacientit, kjo i ofron sistemit imunitar një lloj GPS-i gjenetik për të identifikuar dhe asgjësuar tumorin. Në këtë studim kliniko-shkencor njoftohet se u përfshinë mbi 1,000 pacientë me melanomë në rrezik të lartë për rikthim të sëmundjes. Kjo u siguroi kërkuesve të dhëna të rëndësishme për integrimin e këtij model të ri në protokollin standard të kujdesit onkologjik.
Konkretisht, ky përparim është rezultat i bashkëpunimit midis gjigantëve farmaceutikë Merck dhe Moderna, të cilët raportuan rezultate premtuese për vaksinën eksperimentale me mRNA, e quajtur ‘intismeran’, pas përfundimit të fazës së tretë të testimeve klinike. Kjo terapi e personalizuar u krijua posaçërisht për pacientët me melanomë të rrezikut të lartë, të cilët i janë nënshtruar heqjes kirurgjikale të tumorit, dhe u dha në kombinim me ilaçin e imunoterapisë, Keytruda. Kombinimi pati shumë sukses duke ulur ndjeshëm rrezikun e rikthimit të kancerit ose përhapjes së tij në organe të tjera, krahasuar me pacientët që morën vetëm Keytruda. Duke qenë terapia e parë e personalizuar e kancerit, e bazuar në teknologjinë mRNA që kalon me sukses fazën finale të testimeve, ky moment ndryshon rregullat e mjekësisë onkologjike.
Terapia e re funksionon përmes sekuencimit gjenetik të tumorit unik të pacientit. Me anë të teknologjisë mRNA, formulimi e udhëzon sistemin imunitar të sulmojë deri në 34 marka të ndryshme të kancerit. Ndryshe nga vaksinat tradicionale parandaluese, kjo është një metodë kuruese me precizion të lartë, i përshtatur saktësisht me hartën qelizore të çdo individi. Falë profilit pozitiv të sigurisë dhe efekteve anësore minimale, shkencëtarët janë optimistë se ky zbulim mund të përdoret së shpejti edhe kundër llojeve të tjera agresive të sëmundjes, si kanceri i mushkërive, fshikëzës dhe pankreasit. Kompanitë Merck dhe Moderna pritet t’i paraqesin të dhënat e plota së shpejti në një konferencë mjekësore, ndërkohë që kanë njoftuar se po bashkëpunojnë me autoritetet rregullatorë për një miratim të përshpejtuar.
Burimet: Merck & Co. and Moderna (2026) Phase 3 INTerpath-001 Trial of Intismeran Autogene Plus KEYTRUDA