
KRISTAQ BALLI/
Gjon Mili nuk i përket vetëm shpërthimeve të dritës stroboskopike, novacioneve dhe zhvillimeve teknike, teknologjike e artistike në këtë fushë fotografimi.
Ai që e ka zhbiruar, gjurmuar, studiuar e zbuluar gjerë e thellë edhe në zhanret e tjera, mund të pohojë e vërtetojë me bindje të plotë se mjeshtri ynë është gjithashtu një prej fotografëve portretistë më të mëdhenj e më të famshëm jo vetëm në Amerikë, por edhe më gjerë. Kërkimet në këtë gjini fotoartistike janë në të vërtetë zbulime në thellësi të një deti koralor, plot perla të çmuara…Vetë Gjon Mili, në këtë aspekt është treguar modest, kur na ka treguar për to në kujtimet e veta, por, në fakt ai vetëm sa të kureshton, të nxit e të fton që të eksplorosh për ato që ai nuk i ka thënë. Madhështia, amaneti i heshtur të befason nga thjeshtësia e tij.
“Duket se gjithë jetën unë kam lexuar portrete…”1)
Nga ana tjetër Zhan Pol Sartri konfirmonte se “… Mili ju kap të gjallë…si peshku në rrjetë…Nqs ai (Gj.Mili – K.B.) ju bën ju një pjesë të koleksionit të tij… ai do t’ju ketë studiuar, ai do t’ju ketë njohur plotësisht.”2)
Në pinakotekën e tij të portreteve gjejmë qindra portrete të këndvështrimeve, teknikave e teknologjive të larmishme të personaliteteve të shquara amerikane e botërore në të gjitha fushat e artit, sportit, shkencës, historisë, politikës, modelingut, showbizit, etj. Një veçori autentike e këtyre fotove është fakti që veç aspektit estetik, fizik, psikologjik e inspirues të realizimit të tyre, me këto personazhe atë e lidhte zakonisht një ngjarje që kish lënë mbresa, një njohje e veçantë e çastit, një histori artistike a humane, një situatë humori, afërsie, apo zhbirimi psikologjik dhe, në të tilla raste, Gjon Mili e kishte “gjakun e ëmbël” sepse ishte shumë i afërt, i çlirët, plot humor, i sinqertë e komunikues për t’u miqësuar e për të stisur situata të përshtatshme fotografimi.
Kudo që ai ndodhej, me synimin për të marrë një portret me pëlqimin, apo jo të personazhit, ai provonte situata shumë të ndërlikuara mendore, kërkuese, zhbiruese e krijuese. Ai donte ta rrëmbente portretin në momentin e përshtatshëm, në momentin deçiziv (“decisive instant”- Henry Cartier Bresson).
“Unë vlerësoj më shumë portretin kur fytyra e subjektit përballet me mua por është e lirë dhe e shkujdesur…Në se fotografi përballet me subjektin gjithmonë shumë mirësisht ose luan me mençuri me të, ai duhet, nga intuita dhe veprimi, në mënyrë shumë të rafinuar të fitojë çdo mundësi për të nxjerrë një portret që pëshkruan sa më mirë subjektin si njeri që ai e njeh… Pavarësisht nëse bëhet një portret, i cili nënkupton një qëndrim të ndërgjegjshëm nga ana e subjektit, ose bëhet një fotografi e sinqertë kur subjekti nuk është në dijeni, qëllimi im themelor është të krijoj karakter. Unë e vlerësoj më shumëportretin kur subjekti përballet me mua, sidomos kur është i çlirshëm dhe i çiltër. Duke pasur emocionin, subjekti mund të të bllokojë fotografin… Ka subjekte që duken se nënçmojnë veten para kamerës. Të tjerë që mendojnë se e dinë saktësisht se si duhet të duken, por nëse fotografi e përballon subjektin me aq butësi apo përputhet me zgjuarsinë e tij, ai duhet, me dredhi dhe veprim, duke shfrytëzuar mundësinë, të nxjerrë imazhe që përshkruajnë më së miri subjektin siç e njohin njerëzit. Mënyra se si ai kontakton me subjektin e tij, e çliron nga pengesat e tij, i tejkalon mendjemadhësitë e tij, është masa e aftësive të tij profesionale. Nëse personazhi shpirtërisht ndihet i dëshpëruar, a i rënduar, ose nëse është i paqtë dhe i lumtur, fytyra, sytë, lëvizja e gojës, vija e trupit do ta tregojnë atë. Ajo që duket të jetë thellë nën lëkurë është njeriu…”3) Portretet e Gjon Milit janë portrete karakteri. Detalet bëjnë diferencën. Sipas Milit, në çdo
subjekt artisti duhet të zbulohet tipari kryesor dominues, apo i përveçëm i shfaqjes së tij.
Një shembull i gjendjes së vegullt e të tendosur emocionale ishin momentet kur Gjon Mili tentonte të bënte portrete fotografike të Pablo Pikasos. Përveç se artist figurativ, Pikaso ishte vetë edhe një fotograf i regjur, intuitiv dhe i njihte mirë rregullat e fotografimit sipas mënyrës së tij të perceptimit modernist, kubist. Po ashtu, ai ishte një nga artistët e fotografuar më shumë se çdo artist tjetër. Këto ia shtonin Gjon Milit akoma edhe më fort trysninë ndaj raportit profesional që ai duhej të kish me Pikason. Andaj ai shprehet se “…Unë e gjeta veten të përfshirë, siç ndodh shpesh me njerëzit që punojnë me të (Pikason KB), në një përvojë të paparashikuar krijuese.”4)
Përshtypjen e parë mbi portretin, fizikun dhe personalitetin e Pikasos, Gjon Mili e përshkruan kështu: “I thekur nga dielli, tullac e i zhveshur, përveç një palë mbathjesh të zbërdhylura me ngjyrë kaki, ai kapardisej si një mbret i Detit të Jugut (I mungonte vetëm një lule prapa veshit për të kompletuar një portret në karakter).” 5) Ky vegim imagjinate i dha nxitjen Milit që t’i bënte atij në kopshtin e Vallarius foto-portretin tors shumë të njohur “Pikaso me lule në vesh”, i cili është edhe një nga kryeveprat e Gjon Milit. “Mili vendosi një lule mbi veshin e majtë të Pikassos dhe e ndriçoi atë me një dritë të kuqëremtë për të rikrijuar përshtypjen e parë të artistit, që nga krenaria dukej si një pirat me lëkurë ngjyrë bronzi i Ishullit të Detit të Jugut. Ai e gjeti Pikason në një plazh të Golfe-Juan në Rivierën Franceze të rrethuar nga admiruesit, duke zotëruar mjedisin me veshjet e shkurtra.”6)
Edhe portretet e tjera, sidomos ato me fjollat e tymit të cigares mbi fytyrë, jo veç për qëndrimin energjik, impozant dhe detajet personalizuese, por sidomos për karakterin, botën e tij të brendshme, autoritetin psikologjik dhe përqëndrimin e shigjetimin depërtues e sfidues të vështrimit të tij enigmatik drejt fokusit të lentes. Kur “… vendosni fillimisht aparatin në fushëpamje, ai ngul sytë aty dhe nuk i shqit. Duket një përqëndrimi karakteristik – ‘një shprehjeje çuditërisht ngulmuesee’, të cilën Fernande Olivier, shoqëruesja (muza) e tij e parë, e evokon në kujtimet e saj.” 7)
“Nuk është ndonjë mburrje, kur gruaja e tij Zhaklin pohon se ‘Pikaso është një çudi, një diell, një dëshmi.’…Energjik, brilant dhe i paparashikueshëm, Pikaso është enigmatik, yjor. Ёshtë i pamohueshëm magnetizmi i tij, nuk mund t’i shmangeshe ndjenjës së gravitetit gjatë prezencës së tij. I gjallë si gjithëherë, pikëpamjet dhe lëvizja mbeteshin të pandryshuara.” 8)
Ndërkaq gjatë shplodhjeve midis seancave, Gjon Mili ndjente se situata ndryshonte.
“Pushimi (midis seancave të punës – K.B.) vjen pa paralajmërim. Disa incidente të papërfillshme, një kthim në bashkëbisedim, ose një mendim i papritur që shkrepte në mendjen e tij, e shpërqëndronte atë.iI gjallëruar me shpejtësi dhe i plotësuar në gjeste, fytyra e tij përshkohej nga një shprehje fluturake; ai ishte pothuajse i pakapshëm për t’u fotografuar.
Duke u përpjekur i nervozuar të parashikoje çdo lëvizje të tij, veçse do mashtroheshe dhe ndjenja e bashkëpunimit do të sfumohej… Momenti ngacmues, shpresa regëtitëse kur je gati të paktën ta kapësh atë – një telash i vërtetë, i cili të bën të padurueshëm, gërnjar…Duke u zgërdheshur pa të keq, sytë e tij vallzojnë me dinakëri.
Kështu, lëviz papritur, sikur i vendosin një kapistall, dhe me keqardhje, thotë butësisht: “Unë asnjëherë nuk e kam arritur atë që kam synuar që herën e parë”.9)
“Pas këtij konfrontimi të shkurtër e të atypëratyshëm, Pikaso më ofroi këtë shënim rreth procesit të fotografimit, në fund të faqes: ‘Kjo është e vetmja mënyrë; shkrep, shkrep mijëra, të mbeten disa’”10)
Mënyrën se si Pikaso e vlerësoi punën krijuese fotografike të Gjon Milit e tregon ndoshta më mirë fakti që një vepër të tij kubiste instalacioniste në dru e karton – “Autorportret” ai e ka realizuar mbi imazhin e një portreti foografik që Gjon Mili i ka bërë atij në vitin 1967 në Notre-Dame-De-Vie. Këtë vepër Gjon Mili e ka vendosur në ballinën e veprës madhore të tij kushtuar Pikasos – “Picasso’s Third Dimension”. Gjatë punës krijuese intensive dhe marrëdhënieve të gjata miqësore Gjon Mili formoi bindjen se “Pikaso e njihte me imtësi topografinë e fytyrës së vet dhe mund të krijonte karakterin e tij me shumë pak përpjekje. Ai është portretisti më i mirë i vetes së tij.”11)
Gjon Mili është një nga fotografët që i ka kushtuar Pikasos shumë foto e portrete njërin më të bukur se tjetrin. Bashkë me “Vizatimet me Dritë”, ato mbeten në fototekën e Gjon Milit dhe në atë të Pablo Pikasos, por edhe në fototekën botërore jo vetëm si vepra të mirëfillta artistike, fizike e psikologjke universale, por edhe si shprehje e materializuar e një bashkëpunimi shumë të suksesshëm midis dy artistësh të famshëm.
□ □ □
Referenca:
_____________________________
1) Mili Photographs & Recollection, 1980,p.176),,f.140
2) Jean Paul Sartri,në paraqitjen e ekspozites në Paris 1946,1971
3) Gj Mili, Photographs & Recollection, 1980, p.140
4) Gj.Mili; Picasso’s Third Dimension, f. 10
5) Gj. Mili: Picasso’s Third Dimension, f. 30.
6) Old Men of Modern Art, Photographed By Gjon Mili: LIFE,
December 12, 1949, pp. 87-92)
7) Gj.Mili: Picasso’s Third Dimension”, 1970,f. 38.
8) Gjon Mili: Pikaso’s Third Dimensions, p. 36
9) Gj.Mili: Picasso’s Third Dimension, 1970 f. 40.
10) Gj.Mili: Picasso’s Third Dimension, 1970 f. 42.
11) Gj. Mili: Picasso’s Third Dimension, p. 183