Performoi dhe violinisti shqiptaro-amerikan Regi Papa/
Nga Shefqet Kërcelli/
Nga data 4 deri më 12 korrik 2015, në ambientet e muzeut arkeologjik të qytetit të Durrësit, u zhvillua edicioni i 10-të i festivalit ndërkombëtar të muzikës së dhomës. Në këtë festival morën pjesë muzikantë dhe instrumentistë shqiptarë dhe të huaj, të cilit sollën para një publiku të zgjedhur durrsak interpretime dhe tematikë të larmishme të muzikës së dhomës. Mjaft prej muzikantëve vinin në këtë koncert mbas një përvojë në orkestra të ndryshme në Evropë, SHBA dhe vende të tjera të botës. Gjithashtu në këtë festival morën pjesë dhe muzikantë të qytetit dhe master klasave të shkollës së muzikës Durrës. Ishte një risi dhe gjetje me vlera të shumëanshme kulturoro-muzikore-historike, organizmi i këtij festivali në ambientet e muzeut Arkeologjik, i sapo rikonstruktuar dhe një nga muzetë kryesore të vendit tonë. Tingujt e muzikës së dhomës shoqëruan për një jave zonën e brendshme të muzeut, duke i dhënë një bukuri të vecantë pasurisë arkeologjikë shekullore të këtij muzeumi. Gjithashtu zhvillimi i këtij festivali në këto ditë të nxehta korriku shënonte një ngjarje me rëndësi për turizmin në qytetin e Durrësit. Drejtues të këtij edicioni ishin, Saimir Kalaja, Drejtor artistik, Nevila Kalaja {Herczegh} dhe konsulent artistik Merita Rexha {Tërshana}. Ndërkohë në mbarëvajtjen e festivalit ndihmuan Ambasada e SHBA në Tiranë, Ambasada Austriake, e Republikës Federale Gjermane, Ministria e Kulturës nëpërmjet Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Bashkia Durrës, Teatri i Operas dhe Baletit, si dhe mjaft institucione dhe kompani private si, Arti dhe kultura Italo-Shqiptare, Digitalb, OSHS, Farma net Albania, Sigal, Raiffesein Bank, etj. Siparin e festivalit më datën 4 korrik e hapi violinisti Joel Blido dhe pianisti Marin Gjollma, që jetojnë në Gjermani dhe Shqipëri, më 5 korrik dhanë koncert violinisti Klaidi Sahatci dhe pianiste Merita Rexha Tërshana, Zvicër –Shqipëri, më 6 korrik, pjesmarrësit ndoqën koncertin e mexosopranos Vikena Kamenica&Keli Band dhe Pierpaolo Petta, Fizarmonikë, Itali-Shqipëri, më 8 korrik ishte koncerti i Duos pianistike Mirela Koka, {Sykja} dhe Fatmir Keta, Shqipëri. Ndërsa më 11 korrik performoi violinisti Regi Papa dhe pianisti Endri Nini, SHBA- Shqipëri. Theksojmë se djaloshi durrsak Regi Papa, ka disa vite që jeton në New York, ku dhe ka një karierë të pasur muzikore. Ai është larguar nga Durrësi në moshën 4 vjecare dhe mbas një qëndrimi prej 11 vitesh në Greqi, në moshën 15 vjecare u largua për në SHBA. Regi është arësimuar për muzikë në kolegjin e muzikës dhe univerisitetin muzikor të NYC. Ai ka dhënë mjaft koncerte në NYC, qytete të tjera të SHBA si dhe në Evropë e Japoni. Tashmë është në fazën e doktoraturës. Lindur nga familje intelektuale, nënvizojmë se babai i tij, Vaso Papa, vec detyrave si mësues e drejtues i pushtetit vendor në Durrës ka shkruar dhe disa libra të zhanreve të ndryshme letrare që janë mirëpritur nga lexuesi durrsak. Ndërsa Regi po zhvillon karierën e tij muzikore duke u prezantuar denjësisht jo vetëm në skenat e NYC, p.sh. Carnegie Hall, por dhe vende të tjera. Është hera e parë që vij në Durrës mbas kaq vitesh, thotë Regi. Nuk po cmallem dot me miqtë dhe artdashësit e shumtë. Nuk di si ta përshkruaj këtë vizitë dhe këtë koncert. U përpoqa sa munda që ti jap pak kënaqësi nëpërmjet tingujve të violinës sime bashkëqytetarëve të mi. I rrethuar nga miqtë e shumtë, Profesor Zhani Ciko e uron në rrugën e gjatë të muzikës, i uron suksese e mbarësi djaloshit të ri që premton shumë në këtë fushë. Mes këtyre emocioneve Regi më flet për jeten në NYC, planet për të ardhmen, koncertin e nëntorit, dëshirën për të qenë pjesë e cdo aktiviteti artistik në Durrës, etj. Mora kaq shumë mbresa, kaq shumë moment të bukura në këto dy ditë qëndrimi në qytetin e lindjes, shpresoj të kthehem përsëri, thotë Regi. Një djalosh i thjeshtë, gojëëmbël, që nuk të linte përshtypjen e metropolit ku jeton, që jeton mes muzikës dhe ëndrrave të moshës. Me bindje them se ky djalosh premton shumë si muzikant dhe si njeri. Në natën finale 12 korrik, u dha një koncert i pasur nën drejtimin e muzikantit të shquar bullgar Kostandin Ilievski,{pianist dhe dirigjent} dhe violinistit të famshëm austriak Wolfgang David. Në këtë koncert të mrekullueshëm mori pjesë dhe ansambli “Stinët”, me pjesmarrës nxënës të master klasa. Fillimisht muzikantët e vegjël dhuruan emocione dhe duartrokitje për pjesmarrësit, duke interpretuar pjesë të ndryshme muzikore nga kompozitorë të njohur shqiptarë dhe të huaj. Kështu u ndoq me interes interpretimi i violoncelistit Rei Punavia, pianistit Marvin Beli, violinistit Klei Prifti, pianistit Marenglen Malluta, violocelistes Kristel Gjikolaj, Violinistes Janela Nini, pianistit Kostandin Tashko, etj. Në pjesën e dytë të koncertit të kësaj nate u interpretua vepra muzikore e Antonio Vivaldit, katër koncerte për violinë, harqe e cembalo “Katër stinët”, e cila u pëlqye dhe duartrokit shpesh herë. Pamvarësisht se muzika e dhomës ka specifikat dhe audiencën e vet, festivali u ndoq nga plot artdashës durrsakë e të huaj, jo thjesht të kësaj fushe. Kjo tregon se cdo aktivitet që zhvillohet ka vlerat dhe spektatorët e vet. Në këto ditë vere, festivali ishte një ngjarje e rëndësishme për qytetin bregdetar. Këtë e shprehnin në biseda midis pushimeve mjaft qytetarë durrsakë. Një aktivitet që i dhuroi embëlsi, qetësi dhe gjallëri në këto ditë monotone vere. Në fund të koncertit zonja Nevila Kalaja, {Herczegh}, drejtuese artistike e këtij festivali, falenderoi qytetarët durrsakë për pjesmarjen dhe vlerësimin që i bënë këtij festivali, falenderoi të gjithë institucionet shtetërore e private që ndihmuan në mbarëvajtjen e këtij evenimenti të vecante kulturor, nënvizoi cilësinë dhe profesionalizmin e edicionit të X-të dhe i uroi të gjithë muzikantëve suksese në koncertet dhe recitalet e tyre kudo që jetojnë.
muzikanti says
Joel Blido eshte violoncelist dhe jo Violinist. Dha nje Recital fantastik, se bashku me Pianistin Marin Gjollma, nje nga koncertet me te bukura te ketij festivali ne Durres. Joeli eshte shqiptaro-gjerman, 16 vjec dhe nje supertalent.