Nga Gezim Kabashi/Në kuadër të 100 vjetorit të Principatës europiane Shqiptare të krijuar nga Konferenca e Londrës dhe të drejtuar nga Princ Wilhelm Zu Wied, Universiteti “Aleksandër Moisiu” në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës, me Universitetin e Tiranës, Prishtinës dhe të Tetovës, si dhe me Qendrën e Studimeve Albanologjike organizoi sot në Durrës Konferencën Ndërkombëtare Shkencore me temë “100 vjet nga Principata evropiane e Shqipërisë”.
Rektori i universtetit Mit’hat Mema falenderoi pjesëmarrësit dhe nënvizoi se referimet e historianëve ndër më të mirat në vend do të jenë të lira dhe pa ndikime zyrtare. Sipas rektorit Mema materialet e kësaj Konference do të publikohen në një botim të veçantë. Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Helmut Hofman përgëzoi organizatorët për këtë konferencë e para e këtij lloji në këto 100 vjet. Ai shtoi se marrëdhëniet në rajon kanë ndryshuar katërcipërisht. Sipas z. Hofman, në Bashkimin Eropian nuk është e rëndësishmë madhësia dhe potenca e një shteti, por të gjitha vendimet merren mbi bazën e barazisë mes anëtarëve.
Vlerësimet më të mira dha për konferencën zëvëndësministrja e Arsimit, Nora Malaj, sipas së cilës bashkëpunimi mes disa institucioneve shkencore dhe universitare do të shërbejë si një model i mirë edhe në të ardhmen.Në konferencë marrin pjesë studiues të njohur të historisë, të çështjeve juridike, të Shkencave Politike, të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe të fushave të tjera. Mes tyre spikasin emrat e historianëve anëtarë të Akademisë së Shkencave, Beqir Meta e Mariglen Verli, studiuesve të njohur të historisë shqiptare, Valentina Duka, Ksenofon Krisafi, Fatmira Rama, Martin Berishaj, Romeo Gurakuqi, Ledia Dushku, Jani Sota, Afrim Krasniqi, etj.
Tematika kryesore e referimeve lidhet me tiparet kryesore të Principatës së vitit 1914, princin dhe pozitën e tij kushtetuese dhe politike, raportet e shtetit shqiptar me fuqitë politike të kohës dhe me vendet fqinje, rolin e faktorit të brendshëm shqiptar në ecurinë dhe zhvillimet brenda Principatës, dokumentet arkivore të disa kancelarive kryesore evropiane mbi Princin dhe Principatën, bilancin e gjashtë muajve të mbretërimit të Wied, si dhe rolin e Durrësit si kryeqendër të Principatës.
Në mjediset e universitetit u hap edhe një ekspozitë e veçantë historike fotografike e organizuar nga Arkivi Qendror i Shtetit, Tiranë
Ne Foto:Konferenca nderkombetare shkencore 100 vjet nga principata evropiane e Shqiperise