Leonora Laçi- studiuese/
Në Odeonin “Nikolin Xhoja” të Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu”, Durrës me datë 18 nëntor u promovua libri i znj.Fatbardha Saraçi (Mulleti) “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit” i botuar nga Insituti i Studimit të Pasojave dhe Krimeve të Komunizmit që në vitin 2013, por do ishte Durrësi që ti bëj këtë promovim të munguar nga ISKK.
Ky promovim u organizua nga Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve të qytetit bregdetar dhe Klubi i Artit dhe Kulturës Sigal Uniqa Group. Pati të pranishëm studiues, poet, politikan, artistë e profesor e të tjerë njerëz të artit dhe kulturës durrsake por dhe më gjërë, ku shumë nga ata kanë provuar persekucionin komunist në forma të ndryshme. Promovimi zgjati rreth dy orë të cilat na u dukën shumë pak, në një sallë të mbushur plot, ku secili kërkonte të thoshte fjalën e tij, ku pati vlerësime dhe kritika për autoren e disa librave, studiuesen, shkrimtaren Fatbardha Saraçi (Mulleti), e cila me buzëqeshje dhe me thjeshtësi i përcjellte ato.
Referuan disa studiues e shkrimtar ndër ta përmendim: piktoren Keidi Sejdiu, z.Bashkim Kopliku, z.Vladimir Muça, Prof. Alisa Velaj (Universiteti “Aleksander Moisiu” i Durrësit), z.Hysen Haxhia, z.Tanush Mulleti, z.Vaso Papaj etj. Pati dhe prani të mediave siç ishte News 24.
Ndër referatet që u mbajtën po citojmë disa nga frazat të cilat ju dorëzuan të shkruara autores, duke kërkuar ndjesë për mos përmendjen e të gjithëve pavarësisht dëshirës sime, referimet përmbledhnin vlerat por dhe të “metat” e veprës, pasi ka nga ata që nuk u vjen për shtat ose u rri ngusht e vërteta sepse mundohen të kapen me vogëlsira dhe jo me mesazhet e forta që përcillte vepra, dhe Fatbardha përmes rreshtave të saj.
- Bashkim Kopliku në fjalën e tij, vlerësoj autoren dhe veprën duke shprehur se –“ kjo vepër është një kontribut i madh i historiografisë shqiptare, dhe në letërsinë shqiptare”. Duke vazhduar me tej me analizën që i ka bërë veprës ndarë në disa çështje që sipas tij, janë ndër më të rëndësishmet për tu diskutuar. Pë ndalem në dy prej tyre për të cilat dhe autorja dha përgjigje në fund, çështja e pestë dhe çështja e gjashtë.
Në çështjen e pestë z.Bashkim Kopliku kërkon “llogari” se pse nuk është dhënë identiteti i këtyre personave të ulët deri në kriminelë, pasi autorja ka vendosur vetëm iniciale. Autorja Fatbardha i përgjigjet auditorit dhe referuesit me këto fjalë -“Unë kam bërë libra për ndergjegjësimin e shoqërisë dhe jo ta vazhdoj luftën e klasave tek pasardhësit e atyre që kanë bërë krime”. Duke lënë të kuptohet që urrejtja sjell urrejtje, dhe si znj. Fatbardha duhet të dimë të falim por jo të harrojmë, sepse harresa është vrastare.Ndërsa çështjes së gjashtë dhe të fundit të z.Kopliku, ku një ndër propozimet e tij ishte kritika për sa i takon korrektimit profesional drejtshkrimor, ku shprehet tekstualisht se: “ka shumë gabime drejtshkrimore: ku autorja ka përzier gegërishten, shkodranishten dhe gjuhën standard ekzistuese, dhe se fatkeqësisht korrektuesi gjuhësor i librave le shumë për të dëshiruar në punën e tij”. Znj.Saraçi me qetësin që e karakterizon u përgjigj se: “ndonëse vepra nuk është përfekte sa i takon anës drejtshkrimore apo përzierja e dialekteve vjen për shkak se para se të bëhej ky botim, më parë janë bërë libra të veçantë ndarë në vëllime ku i pari daton në vitin 1996 e duke vijuar në vitet 2000 me dy të tjerë, pra ky botim është botuar nga Insituti i Studimit të Pasojave dhe Krimeve të Komunizmit ku janë tre vëllime në një të vetëm, duke mos prekur origjinalitetin e veprave. Si dhe shprehet se pavarësisht përzierjes së gegnishtes me standarden apo gabimeve drejtshkrimore, ngjarjet janë po ato, dhe këto gabime nuk ndikojnë në përcjelljen e mesazheve të librit”.
Ndërsa referuesja Prof. Alisa Velaj, u përqendrua tek stili i vepres dhe vlerat letrare të saj, ku ajo e quajti përdorimin e gegnishtes një vlerë të shtuar. Ndërsa disa poetë u shprehen me gjuhën e poezisë. Pati dhe të tjerë që sollen episode nga ngjarje të dhimbshme, ku ishte e pashmangshme të mos i përfytyroje ato episode apo skena makabre që komunizmi bëri mbi popullin e vet, ato krime çnjerëzore që duken të pabesueshme por ja që ishin më reale se realja. Z.Vaso Papaj në referimin e tij i mëshon rëndësisë së kësaj vepre dhe mësimeve të saj, ku shprehet më tej se :”E di që ju kanë ngacmuar gjatë leximit dhjetra e dhjetra emra të rinjsh e të rejash të studiuar në perëndim, që në atdhe përfunduan ose nën plumba ose baltra të Myzeqesë e tuneleve të Spaçit apo Bulqizës. Po sa i vlefshëm do të ishte ky libër po të futej nga Ministria e Arsimit në programet e historisë nëpër shkolla qoftë edhe për disa orë”.
Më tej piktorja Keidi Sejdiu u ndal tek femra shqiptare, dhimbja dhe forca e saj, citoj: “ se këto gra dhe forca e tyre janë motivi dhe modeli më i mirë i shoqërisë sonë”. Ndërsa z. Vladimir Muça e konsideron këtë libër një muzeal monumental historik për lëvizjen dhe prosperitetin e gruas shqiptare.
Një djalosh i vogël ndryshoi atmosferë duke luajtur në vjolinë shoqëruar nga mësuesja e tij në piano, që e pasuruan këtë event promovues. Por si qershia mbi tortë për veprën e autores, Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës nën kryesimin e Nikolla Spatharit i jep asaj çmimin “Osman Kazazi” me motivacion:“Për kontributin e dhënë në fushën e kujtesës historike dhe si e persekutuar e regjimit diktatorial”. Ky ishte vlerësimi i parë për librat për znj.Saraçi e cila ka mbi 20 vite që shkruan.
Në fjalën e saj, ajo falënderoi të pranishmit që e bënë këtë pasdite të paharrueshme dhe falënderoi organizatorët që e vlerësuan misionin e saj humanist në dobi të kujtesës historike kolektive. E më tej shpreh qëllimin e saj në këtë ditarë kujtese, se këto libra nuk janë vetëm libra, që u hapin horizonte të reja atyre që duan të dinë, në të njëjtën kohë mesazhe për humanizëm, për përsosjen shpirtërore e morale të njeriut, për luftën e tij drejt përparimit përmes udhës së mundimeve, për mbrojtjen e tij nga kanosjet çnjerëzore, për ruajtjen e vlerave që kanë krijuar epokat e historisë sado të errëta të kenë qenë”. Më tej thekson se: “përmes dhimbjes arrihet njohja. Procesi i njohjes të historisë së vërtetë është një proces i domosdoshëm. Nëse nuk i tregon popullit tënd historinë e vërtetë, njerëzit do të fillojnë të shpikin, të trillojnë e të tregojnë histri të pavërteta. Kjo nuk është gjë e mirë.
Autorja ka bërë punën e institucioneve për kujtesen historike, ka bërë punën e historianëve që merren me kujtesen kolektive, të akademive shkencore, punën e instituteve, ajo me punën e përkushtimin e saj na ka lënë të zezën mbi të bardhë. Ka bërë misionin e shenjt për të njohur të vërtetën.