Nga Kadri Tarelli/Durres/
Durrësi i lashtë 3000-vjeçar, në ditët 16-17-18 tetor 2014, si rrallëherë në këtë mestetori, të ngrohtë e plot diell, gumzhinte nga zërat e gëzueshëm të fëmijëve shqiptar e të Ballkanit. Me pjesëmarrjen e tyre në festivalin e përvitshëm të emërtuar “Luajmë e vallzojmë”, (Në fillimet e tij quhej “Fest-loja”), këtë herë për të shtatëmbëdhjetin vit, qyteti ynë u shndërua në kryeqytet të fëmijëve. Më pëlqeu të vendos titullin e këtij shkrimi “Kryeqytet i fëmijëve të Ballkanit”, pasi e gjeta në fjalët e z. Myzafer Livareka, përfaqësues i ekipit të Tetovës, i cili u shpreh: “Ne shqiptarët, ma sëpari e njohim Tiranën kryeqytet të të rriturve, ndërsa Durrësi në këto vite asht ba kryeqytet i fëmijëve të Ballkanit”. Ishin 600 pjesëmarrës, të ndarë në 32 grupe, që përfaqësuan gati të gjithë qytetet e rrethet e Shqipërisë, së bashku me grupe të ardhur nga Turqia, Rumania, Bullgaria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i ZI, mes tyre edhe një grup i fëmijëve të komunitetit serb që jeton në Kosovë.
Kjo veprimtari me përmasa kaq të mëdha, u organizua nga QKF. e Durrësit, e mbështetur fuqimisht nga pushteti vendor. Është nderim, njëkohësisht vlerësim i veçantë për pjesëmarrësit e grupeve të fëmijëve nga shtete të tjerë të Ballkanit, që u pritën nga titullarët e Prefekturës, Bashkisë dhe DAR-së së Durrësit.
Vështirësitë, në raste të tilla janë të pranishme, të njohura, mbase edhe të shtuara për këtë vit, sepse krahas programit të ngjeshur artistik me valle nga trevat shqiptare dhe ballkanike, u zhvillua edhe kampionati mbarëshqiptar i futbollit, i përfaqësuar nga 5 ekipe. Mëgjithatë drejtuesit e QKF, ia dolën mbanë me sukses, falë programimit të detajuar të festës, bashkëpunimit të admirueshëm me drejtuesit dhe nxënësit e shkollave 9-vjeçare, njëkohësisht mirëkuptimit dhe mikpritjes së familjeve. Të gjithë e meritojnë një përshëndetje nga e gjithë qytetaria durrsake, sepse së bashku mundësuan këtë festë, duke sjellë në qytetin tonë të lashtë, gëzimin dhe harenë e fëmijëve të Shqipërisë dhe Ballkanit. Gjithëçka erdhi si një buqetë me lule vjeshte, plot ngjyra. Veç t`i shikoje fëmijët e veshur me kostumet kombëtare dhe me flamuj në dorë, kur marshuan në bulevardin e qytetit. Një mrekulli e vërtetë veshjesh e ngjyrash. Aq sa të gjithë kalimtarët e rastit, ndalonin dhe uronin: U lumtë fëmijëve, që na sollën kaq bukuri e gëzim në qytetin tonë!
Për tre ditë me radhë, koncertet u zhvilluan në hollin mahështor të “Amerikan college” të Durrësit, të ndjekur nga qindra qytetarë, prindër e nxënës të Durrësit, që duartrokitën nxehtësisht grupet e valltarëve që ngjiteshin në skenë. Ç`llojshmëri e bukuri kostumesh e vallesh, u shpalosën para artdashësit të shumtë durrsak. Është kjo veprimtari e të vegjëlve, që e çfaqur me pafajësinë dhe freskinë e moshës, e bën të mundur të shijojmë brenda pak orësh e ditësh, folklorin e magjishëm e shpirtin artistik të popujve të Ballkanit.
Në ceremoninë pëmbyllse, ku morën pjesë të gjithë përfaqësuesit e grupeve pjesëmarrëse, drejtues të pushtetit vendor, njëkohësisht dhe plot të ftuar, znj. Lindita Muka, drejtore e DAR, përshëndeti të gjithë të pranishmit, falënderoi nxënësit pjesëmarës, përgëzoi organizatorët, duke uruar suksese në veprimtari të tjera po kaq të bukura e të dobishme. “Për mua, besoj se ky është edhe mendimi i shumicës, nuk ka rëndësi kush del fitues. Të fituar jemi të gjithë, sepse sollëm e shpalosëm kulturë e traditë, krijuam njohje të reja dhe forcuam urat e miqësisë, shkëmbyem përvojë”.
Z. Avni Çuni drejtor i QKF së Durrësit, si nikoqir i kësaj “Dasme me kaq shumë dasmorë”, më në fund i qetësuar, shprehet: Ka kohë që menduam, planifikuam dhe u përpoqëm për këtë takim kaq të madh, që i tejkalon fuqitë dhe mundësitë e QKF që unë drejtoj. I qendroj besnik idesë që lindi që në fillesë këtu e 17 vite të shkuar, dhe që qëndron në themel të kësaj veprimtarie, se “Fëmijët janë më të mirët ambasadorë të paqes dhe miqësisë mes njëri – tjetrit dhe mes popujve të Ballkanit”. Është një mendim fisnik që i vlen dhe u bën zë të gjitha kohëve, ndaj u mundum të bëjmë më të mirën. Tani që gjithçka përfundoi, ndjehem shumë i kënaqur nga gatishmëria e punonjësve të qendrës, njëkohësisht nga mbështetja që gjeta tek pushteti vendor, por edhe tek drejtuesit e shkollave. Mos llogarisni të tjerat, mendoni për një çast vetëm 600 fëmijë, që u shpërndanë nëpër shtëpitë e nxënësve moshatarë, të cilët u pritën me aq ngrohtësi e bujari nga prindërit e tyre, e për të vazhduar deri tek gjetja e një mjedisi sa më të mirë, siç ishte holli i brendshëm në “Amerikan college Durrës”, një mrekulli e vërtetë e artitekturës, që ne na shërbeu aq mirë për të ndërtuar atë skenë fantastike.
Znj. Teuta Musa, drejtore e QKF, Prishtinë, me kënaqësinë e suksesit e bukurisë së kësaj veprimtarie, shprehet: “Edhe ne në Prishtinë kemi mbi dhjetë vjet që organizojmë festivalin e valleve për fëmijë, që e titullojmë “Ylberi i Prishtinës”. Në koncertin e para një muaji të këtij viti, mes grupeve të tjerë, grupi i valltarëve të Durrësit u vlerësua nga publiku prishtinas, si më i miri, duke merituar duartrokitje të zgjatura. I përgëzoj kolegët durrsak për punën që kryejnë. Kështu forcojmë lidhjet mes vedit. Pritshmëria është e madhe, ndaj i uroj suksese për veprimtari të tjera”.
Z. Kujtim Vllamasi, coordinator për sportin pranë QKF. Durrës, i cili u kujdes direkt me organizimin e kampionatit mbarëkombëtar të futbollit, që këtë vit rastisi të zhvillohet njëkohësisht me “Fest-lojën”, i kënaqur e qetësisht rrëfen: “Çdo vit qendra e kampionatit ndryshon. Këtë herë miq të durrsakëve ishin katër ekipe, të ardhur nga Peja, Ulqini, Bujanoci, dhe Tetova. Lufta sportive ishte e bukur, niveli i lojës dhe lojtarëve ishte mjaft i mirë, që tërhoqi e kënaqi mjaft sportdashës. Fituan më të mirët, futbollistët e ekipit të Pejës”.
Në fund, siç është zakon, shpërndahen çmime vlerësimi dhe dhurata. Z. Rexhep Çeliku, artisti dhe valltari ynë shumë i njohur, në emër të juries, vlerësoi nivelin e lartë të përgatitjes së valleve popullore:
Me çmim të III-të, grupi i Tiranës dhe Turqisë.
Me çmim të II-të, grupi Bullgar dhe Prishtinas.
Me çmim të I-rë, grupi i kosovar i Kishnicës, dhe i Korçës.
Me çmin honorifik u vlerësua grupi i valltarëve rumun.
Përgatiti
Kadri Tarelli