Marrë nga: Radio Evropa e Lirë
“Marrëveshja e Ohrit mbetet alternativa më e mirë për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut”, ka theskuar kështu me rastin e 20 vjetorit të këtij Dokumenti Kornizë, presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.
“Një argument i fortë në mbështetje të kësaj teze, është se edhe atëherë po dhe sot, edhe kritikët më të ashpër, nuk janë në gjendje të ofrojnë një alternativë tjetër të zbatueshme”, ka theksuar presideniti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Marrëveshja Kornizë e Ohrit, e cila u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001, i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni, duke vendosur themelet e një kontrate të re mes shqiptarëve dhe maqedonasve, si dy popujt më të mëdhenj që popullojnë këtë në vend, për ndërtimin e mëtutjeshëm të Maqedonisë së Veriut si shtet.
Marrëveshja e Ohrit u arrit pas dhjetë ditë negociatash intensive, mes forcave kryesore politike dhe me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar ku rol vendimtar kanë pasur SHBA-ja dhe BE-ja, të përfaqësuar nga lehtësuesit James Perdew dhe Francois Leotard.
Për Artan Grubin, zëvendëskryeministër për Sisteme Politike, Marrëveshja e Ohrit mbetet dokumenti që i hap rrugë procesit të integrimeve euroatlantike, pasi siç ka nënvizuar ai, ky dokument kornizë gjeneroi dhe Marrëveshjen e Prespës, që i hapi rrugë zgjidhjes së konfliktit me Greqinë, me këtë dhe debllokomit të procesit të integrimeve në NATO, si edhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, që synon të debllokojë dhe procesin e integrimeve në Bashkimin Evropian.
“Po të mos ishte Ohri nuk do të ishte Prespa, po të mos ishin të dyjat nuk do të kishim NATO, por ne nuk duhet të ndalemi këtu, por duhet të gjejmë forcë për ta zbatuar edhe marrëveshjen e tretë (Marrëveshjen me Bullgarinë) me po të njëjtin guxim dhe përkushtim, duke vulosur të ardhmen tonë evropiane”, tha Grubi.
Ali Ahmeti: sfidë mbetet tejkalimi i paragjykimeve
Ndërkaq ish-udhëheqësi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ali Ahmeti aktualisht kryetar i partisë shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim, me rastin e shënimit të 20 vjetorit të Dokumentit Kornizë, ka theksuar se tani shqiptarët janë faktor i rëndësishëm i të gjitha zhvillimeve demokratike, megjithëse ka shtuar se tani mbetet sfidë për tejkalimin e paragjykimeve.
“Ne kemi përgjegjësi të mëdha historike edhe si parti politike, që të punojmë me njërëzit që t’i tejkalojmë paragjykimet. Akoma ka paragjykime në këtë vend, akoma ka interesa që motivohen nga ideologji dhe vende që nuk e duan përparimin e vendit tonë“, tha Ahmeti.