

Shoqata “Mass.Besa” festoi ditën e Mësuesit si dhe atë të Grave.
Fuat Memelli/
Me që dy festat ishin pranë e pranë, Shoqata “Mass.Besa” me qendër në Boaton, këto dy ngjarje të shënuara i festoi në një dite. Ashtu si disa herë të tjera, edhe sivjet veprimtaria u zhvillua në restorantin “Alba”, pronë e biznesmenit shkodran, Leo Keka, i cili për aktivitetet e shqiptarëve e ka patur derën gjithmonë hapur. Takimin e hapi zv. kryetarja e “Mass.Besës”, Jorida Qirollari, e cila pasi falenderoi mësueset e shkolllës shqipe, nxënësit, prindërit e tyre si dhe pjesëmarrësit e tjerë, bëri një falenderim të veçantë edhe për mbështetësit e “Mass.Besës” si TV.Alba, biznesmenin gjirokastrit, Ilia Çobi i cili e ka mbështetur shkollën shqipe qysh në krijimin e saj. Falenderoi për mbështetjen edhe Agron Gjerasin dhe bashkëshorten e tij, Edlira Gjerasi, pronarë të Qendrës Kulturore për të Moshuarit “Vatra”. Atmosferë të bukur krijuan recitimet e nxënësve të shkollës. Një poezi të saj kushtuar grave recitoi edhe veprimtarja, Valbona Lavdari. Blerina Omari, drejtore e shkollës shqipe, ndër të tjera na tha se që nga krijimi i saj në vitin 2006 e deri sot, në tre shkollat shqipe që janë që funksionojnë në Massachusetts, si në Braintrei, Salem dhe Worcester, kanë vazhduar mësimet mbi 400 nxënës. Për mbarëvajtjen e shkollës një punë plot pasion kanë bërë mësueset e shkollave shqipe, na thotë kryetari i “Mass.Besës”, Sokol Lushllari. Mësimi zhvillohet ditën e shtunë nga ora nëntë deri në orën tre. Nxënësit mësojnë abetaren, leximin, vallet nën drejtimin e mjeshtrit Bashkim Braho, si dhe muzikë, piano e kor.
Veprimtaria vazhdoi me këngë e valle shqiptare, të cilat janë pjesë të pandara të aktiviteteve që zhvillojnë mërgimtarët. Donacionet do shkojnë për shkollën , me synim që gjuha shqipe, kjo gjuhë Perëndie siç e ka cilësuar poeti ynë i madh ,Naim Frashëri, të vazhdojë të mësohet nga vogëlushë të tjerë shqiptarë.