
Nga Anton Çefa/
“Fjala e harmonizuar mund të pasqyrojë format e shpirtit, ashtu edhe fytyrën e madhërishme të botës, e cila u jep jetë atyre.”/
De Rada
“Fjala ka aq nji fuqi në vedvedi, sa mos me e ndalë as giatsija e kohës,
as gjansija e hapësinës, e si mundet me e permbledhë të gjith kohën në nji ças e hapësinën në nji pikë, kshtu ajo deperton qiellen, i vjen rrotull e okolle
rruzullimit, edhe na parashtron bukuri e madhni të reja, rysë e then
kryeneqsit e rrashtave ma të forta të njerzvet.”
At Gjergj Fishta
Hyji e krijoi botën me fjalën e Tij. Ai tha dhe u bë. Për Hyjin, fjala është
krijim. Krijim i çdo gjëje. Për njerëzimin, fjala është zbulim përmes emërtimit.
Fjala, si emërtim i sendeve e dukurive, është veprimi i parë krijues artistik i njeriut,
nëpërmjet të të cilit u shpikën format verbale dhe u përsosën në kalim të kohëve.
Dhjetëra-mija vjet më parë, të parët tanë, banorët e shpellave, në dramën e
përditshme të gjuetisë, u mësuan të veshnin mendimet e tyre me fjalë.
Me krijimin e fjalës, në procesin e komunikimit lindi gjuha, një nga
realizimet më të mëdha të njerëzimit. Pa aftësinë e të folurit, përdorimit të gjuhës,
nuk mund të jetësohej qytetërimi njerëzor. Nëpërmjet gjuhës si sistem i hapur e
krijues, jashtëzakonisht eptimore (fleksibël), realizohet komunikimi i ideve dhe
koncepteve abstrakte si dhe tejbartja (transmetimi) e tyre nga një brezni në tjetrën.
Nga fjala si kumt u kalua në fjalën si kuptim alternativ, të ndryshëm, dhe u
krijua fjala poetike dhe, me anën e saj, teksti letrar që mishëron shumëkuptimësinë,
çka është në natyrën e veprës letrare. Përpjekja për të njohur të bukurën dhe vlerat
e tjera estetike të gjërave e dukurive dhe, në rastin tonë, tek letërsia artistike, të çon
drejt mjetit me të cilin shfaqet ajo, tek fjala poetike. Në veprën letrare, është fjala
që end fillin e së bukurës në shtratin e tekstit gjuhësor, deri në sublimitetin e saj. A
nuk është dukuria e së bukurës, “forma” më e lartë, më e fisme, më e kulluar e
shpirtit të njeriut? Prandaj, letërsia artistike është në krye të arteve dhe në gjirin e
saj, poezia që zë kryet e vendit.
Poeti, tregimtari, e shprehin atë, fjalën, që është gjithnjë një kumt që bart një
vlerë estetike, duke na përcjellë një mesazh, d. m. th. një vlerë humane. Detyra e
kritikës është pikërisht ta zbulojë atë, vlerën estetike, që përmban fjala e endur në
një strukturë tekstore.
Për t’u pohuar është edhe pafuqishmëria e fjalës për të shprehur çdo
“dridhje” të shpirtit a për të hedhur dritë edhe në skutat më të errëta të vetëdijes
dhe sidomos të nënvetëdijes. Lasgushi, reformatori më i madh i gjuhës poetike
shqipe dhe mjeshtër i mbaruar i saj, e ka ndjerë veten “të huaj”, të paaftë për të
shprehur çdo gjë:
“O gjuhë-e shentëruar, o mall me shpirtin plot,
O vetëtim’ e qjellit që fërfëllon me flakë,
O djellë-i llaftaruar që ndrin si pikë lot . . .
Si pikë lot e ndritur po ndrij në reze t’uaj,
Po ndrij e papandehur po qaj pak e nga pakë,
Sepse prej botës s’uaj kam mbetur kaq i huaj . . .”
Në dy vargjet e fundit të kësaj poezie, Lasgushi e ka qartësuar më tej këtë
situatë, duke iu drejtuar gjuhës me epitetin “o mos-e kuvenduar”. Në këto dy
vargje, ai na ka dhënë atributin e gjuhës si kumt, si burim drite (dijeje,
informacioni), dashuri-dhimbjen e tij për të dhe njëkohësisht pafuqishmërinë,
paaftësinë e saj për të depërtuar në skajet më të hijesuara të shpirtit:
“Ti ndrin në thelb të jetës si dritë e përvëluar,
O gjuhë e zemrës sime, o mos-e-kuvenduar”.
Këtë “mos-kuvendim” e pati poetizuar më parë mësuesi dhe udhëheqësi i tij
i parë shpirtëror e artistik, Naimi: “E ku shkruhen në kartë / fjalët e gjuhës së
zjarrtë ? ”
Është detyrë e kritikës letrare t’i hapë “fjalës së palosur” “kindën e një pale”,
pra, të zbërthejë shumëkuptimësinë e fjalës. Estetika ka parashtruar dhe
argumentuar në vijimësi rrugë dhe metoda për të analizuar veprën artistike. Kështu
kemi, ndër të tjera, interpretime formaliste, ekzistencialiste, marksiste,
sociologjike, psikanalitike, strukturaliste, simboliste, semantike, etj. Nuk kemi
kurrë një përfundim të saktësuar, por kemi udhë ecjeje përpara plot rrugëza e
kthesa me zhvillime nga më të ndryshmet, në më të shumtën e rasteve
kontradiktore.