Nga Qerim Vrioni, Studiues*/
Dihet se Shkodra dhe Korça janë dy qendrat historike të zhvillimit të Fotografisë Shqiptare. Prej këtej, po më tepër nga e para, nëpërmjet mjeshtërve fotografë, ajo u përhap dhe në qytetet të tjera të vendit. Edhe në Vlorë fotografët e parë shqiptarë, ishin shkodranët, Kol Maca dhe Gjon Rrota. Një “lidhje” të hershme të Vlorës me fotografinë përbën fakti i vjelë nga shtypi, se italiani Pietro Marubbi, nga vitet 1853-54, ka qëndruar disa kohë në qytetin bregdetar, po pa u marrë me fotografi, mandej shkoi në Shkodër, ku shkroi hapat e para të fotografisë shqiptare.
Për shkrimin e mëposhtëm, duhet të falënderoj dhe miqtë e mi, Pirro Stefa, Darling Vlora dhe Endrit Musaj për ndihmesën e tyre.
Nga të dhënat e deritanishme mësohet se Kol Maca mbahet si fotografi i parë shqiptar në Vlorë. Sipas studiuesit nga Shkodra Ndoc Gurashi (tetor 2012), Kol Maca e ka mësuar mjeshtërinë e fotografimit në atelienë e Kol Idromenos në Shkodër, ku ka shërbyer si çirak për disa kohë. Gjithashtu, studiuesi i sipërpërmendur shkodran thekson se Maca e ka hapur dyqanin (atelienë) e tij për fotografim në qytetin bregdetar në vitin 1915 dhe ka punuar atje pa ndërprerje deri në vitin 1921. Kjo ndërkohë përputhet me pushtimin e parë italian të Vlorës, ose siç njihet atje, me “Italia e parë“, që shënon edhe disa ndërtime të cilat qëndrojnë ende në këmbë, si Sahati dhe Bashkia (ish-konsullata italiane). Vula që ai vendoste pas fotove për popullatën ishte në italisht e në të shkruhej “Nicolo’ Mazza-Fotografo-Valona”, ajo rregullisht është bërë në Itali. Në të, emrin e tij e gjejmë në versionin e plotë të tij, Nikoll, ndërsa diku tjetër e hasim me shkurtimin tjetër, Kolec. Për jetën e tij, me gjithë kërkimet e vazhdueshme, ende nuk dimë shumë gjera. Autori i këtyre radhëve ka gjetur në Itali dy shkrime (faqet përkatëse) të Kol Macës të botuara në revistën e përmuajshme të asaj kohe, “Corriere della Sera” (Milano). Artikulli i parë titullohet “Tra i montanari albanesi” (gusht 1907), i dyti, “Monumenti e costumi albanesi” (maj 1908). Artikujt e mësipërm kanë të bëjnë vetëm me Botën Shqiptare. Ata shquhen për të dhëna të shumta historike, gjeografike, shoqërore dhe etnografike për shqiptarët në përgjithësi dhe malësorët e Veriut në veçanti. Midis shkrimeve, që tregojnë dhe kulturën e autorit, ka mjaft foto, me gjasë të Macës, që ilustrojnë përmbajtjen e tyre.
Gjithsesi, Kol Maca, në studion e tij fotografike në Vlorë, përveç punës rutinë me komunitetin, ka realizuar edhe foto të ngjarjeve të ndryshme politike, shoqërore e fetare të qytetit. Duhet shtuar se Kol Maca është një nga fotoreporterët e parë në shtypin shqiptar, gjë që vërehet në revistat e viteve ’30, sidomos në të përmuajshmen e njohur të kohës, “Minerva”, ku dhe ishte punësuar. Për një kohë të shkurtër ai ka qenë dhe fotograf zyrtar i Oborrit Mbretëror. Kol Maca ishte dhe pjesëtar i grupit zyrtar të fotografëve të shtypit, që përjetësoi festimet e 25-Vjetorit të Pavarësisë, më 28 Nëntor 1937 në Tiranë.(* Te plote lexojeni ne Diellin e printuar)