SELMAN FAKU PRELVUKAJ E PULEC HIMA AHMETAJ, DY LUFTËTARË MARTIRË NGA PLAVË-GUCIA
-Në 70 vjetorin e vrasjes së tyre nga serbo-malazezët në bjeshkën e Memës /
-Në 70 vjetorin e vrasjes së tyre nga serbo-malazezët në bjeshkën e Memës /
NGA RAMIZ LUSHAJ/
1.Historia i njef të asht’ e të palctë Kasemçukajt. Rrem genetik i Prelvukajve, bark më veti i tyne.
Nga kjo derë e fisme është gjyshja e Bruno Selimajt të Nokshiqit. Bjeshka i thoshin, një emën burimor shqiptar. Ajo është motra e legjendave të trimnisë, Selman Faku Kasemçukaj. Ky luftëtar i Shqipërisë Etnike është pesë herë i njoftun: si Selman, si i Kasemçukaj, si i Prelvukaj, si i Martinaj, si Plavë-Gucias.
Një fakt: i fismi Jakup Jahelezi i Dragobisë, mbi 90 vjeç, i emigruem në Nju Jork, e përveçon Selman Fakun me thanien e thuktë: “S’kam pa djemë ma trima në jetën teme”.[1]
2.Kasem Çukaj i trimnisë, sipas pemës gjenealogjike, ishte vet i katërti vlla, sëbashku me Metën, Latifin e Omerin. Tre prej tyre pjesmarrës ballor në Luftën panshqiptare e ndërkombëtare të Nokshiqit (1879-1880).
Vet Kasem Çukaj i pati gjashtë djemë: Butin, Salihin, Brahimin, Rekun, Elkun e Fakun. Gjashtë kreshnikë. Si në Eposin e Kreshnikëve. Secili histori e lavdi të shkruar me mend e pushkë, me sakrifica e gjak.
Tre prej tyre: Brahimi, Buti e Salihi, janë martirë të kombit shqiptar.
Prof. dr. Zekeria Cana ishte në shtator 1995 në fshatin Martinaj, në kullën e të moçmit mbi shekullor, Sylë Prelvukajt, i cili e kishte përjetue pushtimin sllav genocidial të Plavë-Gucisë nga tetori i 1912-tës deri në nëntorin e 1913-tës, kohë e njohur në histori edhe me emrin e tragjedisë “Masakra e Previsë”. Ky i rrëfen historianit edhe për një nga dajët e Bruno Selimajt: “Brahim Kasemi dhe dy burra të tjerë që nuk pranuan ndrrimin e fesë u pushkatuan në vend. Varret i kanë mbi fshat pranë themeleve të kishës së vjetër katolike”.[2]
Historiani tjetër, i vuthjani R. Dedushaj, tek vepra “100 Vjet Luftë” dëshmon se djalin e Kasemçukajve, Brahimin – vet i tretë, e kanë vrarë Vasojeviçët si hakmarrje shovene ndaj trimave e trimnive të Prelvukajve në mbrojtje të Plavë-Gucisë në vitet 1854-1880.
Dy djemtë e tjerë të Kasem Çukajt, Butin dhe Salihin, i kanë pushkatue malazezët në Masakrën e Previsë.[3] Nuk iu dihen as vorret.
Kësokohe, në Previ, në këtë masakër ende të pazbardhur plotërisht dhe të padënuar ndërkombëtarisht u pushkatua nga Martinajt edhe Arif A. Balidemaj, Hysen Delia, Mujë Gali, Bajram Haxhia e në Greben Nezir Cufi e Zekë Haxhia. Ka edhe të tjerë. Ne kaq dijmë. Trolli i vet Martinajve mund të dëshmojë ma tepër.
3.
Një telegram i 27 marsit 1913 i nënshkruem nga Krahinari i Pejës, J. Plamenac, drejtue për në Çetinën e Krajlit, direkt për ministrin e Brendshëm Plamenac, i ban atij me dije se “sot në Martinaj iu vu zjarri 11 shtëpive kaçake” (Dok. nr. 488). Historianët listojnë se u dogj edhe kulla e Kasemçukajve të Prelvukajve. Krimineli i atij zjarri të përflakshëm e të përgjakshëm ishte kapiteni Vuksan Dragoviq, antar i Gjykatës Ushtarake në Plavë-Gucinë e sapopushtuar nga mbretnia e Malit të Zi, një mbretni – protektoriat i kahershëm i Perandorisë Ruse.
Kësokohe, Selman Faku i Kasemçukajve, përndryshe: vllai i gjyshes së Bruno Selimajt, ishte vetëm dy vjeç. Djalë i vetëm. Një grua e atyhit e mori në mbrojtje deri në vetsakrificë. E fshehu në një kullë, në dimit e saj. Ai iu shpëtoi kontrollit e ndëshkimit sllav dhe asaj jete shumë të vështirë të kohës së Masakrës së Previsë, një nga masakrat ma të mëdha ë ma tragjike në historinë e botës antike e moderne. Ndoshta kjo situatë e rëndë e me rrethana të ashpra në vite rritje e lanë atë disi trupshkurtër.
Selman Faku Prelvukaj i Martinajve, banor i Gucisë, luftëtar i lirisë për Plavë-Guci, për Shqipëri Etnike, veçanarisht gjatë Luftës së Dytë Botërore e në vitet e para të sundimit të shumëfishtë komunist në Malin e Zi (Jugosllavinë Avnjoiste) e në Shqipërinë Londineze, u shqua si Luftëtar i Lirisë Kombëtare Shqiptare.
4.
Ai, Selman Faku i Martinajve kishte me veti edhe një shok të pa shoq, Pulec Hima Ahmetaj i Vuthajve. Si rrinë shqiponja me dy krena në Flamurin Kombëtar Shqiptar ashtu qëndruan këta të dy sëbashku në Plavë e Guci me rrethina vrrini e bjeshke deri në Malësi të Gjakovës (Tropojë), Malësi të Madhe, Shkodër, Deçan, etj.
Ata kishin edhe një “Grup të Rezistencës Shqiptare Kundër Sllavëve” (1941-1947).
Shqiptarët prej nga liqeni i Plavës tek ai i Shkodrës dhe nga lumi i Limit deri tek rrjedhat e Drinit, si dhe ardhacakë e okupues sllavë në Alpe, e thirrnin “Grupi i Selmanit e i Pulecit” apo “Grupi i Pulecit e i Selmanit”.
Këta, të dy, nuk u ndanë kurrë në jetë në vitet e rezistencës së tyre. Ata i kishin idealet kombëtare shqiptare të përbashkëta. Për ma tepër, ishin edhe baxhanak ndërveti, i kishin gratë motra. Edhe vdekjen e patën bashkë: në të njëjten ditë, në të njëjtin vend. Edhe varret iu mbetën pranë njëri-tjetrit në Bjeshkën e Memës.
Historiani tjetër i Plavë-Gucisë, Sulejman B. Ahmeti, ndër të tjera, konkludon: “Këta dy trima i patën rrugët e hapura. Ka qënë shumë e vështirë për t’u dalur atyre përpara. Tek pushtuesit serbë ishte krijuar bindja se ata nuk i merr pushka”.[4]
5.
Në këto vite, në krejt krahinën e Plavë-Gucisë, në burime të ndryshme dokumentare thuhet se vetëvepronin përkohor disa luftëtarë edhe në grupe nacionaliste.
Këta kishin lidhje të dyfishtë ndërveti: nga gjaku e nga ideali kombëtar, si grupi i Rrustem Mulajt e i Adem Shaban Gjonbalajt (ky i fundit, daja i Bruno Selimajt nga ana e nanës së tij), i Prelë Kolë Shytit, i Haxhajve të Hotit të Plavës, i Shemso Ferrit të Plavës, i Sali Ismail Nikoçit dhe i Hasan Isuf Kukajt, i Man Zekë Qosajt e i Ram Tole Hasangjekajt, i Imer Maliqit e i Mustaf Haxhisë, i Smajl dhe Haxhi Metë Martinaj, i Belo Hamëz Ahmetajt, të cilat përndiqeshin me hjekësi e pushkë nga tana anët: edhe nga Jugosllavia (Serbia e Mali i Zi), edhe nga Shqipëria Londineze.
Grupi nacionalist i Selmanit e i Pulecit ishte tejet i veçantë, ma aktivi ndër të gjithë, veprimtar e qëndrestar deri në kufij të legjendave të kohës.
6.
Selman Faku Prelvukaj, trim i maleve që rriten trimni, kishte vra në përpjekje e atentate gjithato shkije me cene e akte antishqiptare, ndaj pas ripushtimit të egër sllav nga Jugosllavia e Dytë e Titos, tue kanë thep e ferkem në luftë të pandalune me ta, si shumë plavë-gucias të tjerë çohet e kapërcen kufinin e padrejtë të 1913-tës e 1945-ës dhe hyn në Shqipërinë Londineze, Republikën Popullore të Enverit, sistem e fytyrë kthyeme kah Beogradi e Moska e atëherit, dy nga kryeqëndrat prej kah i erdhën përjetësisht të kqijat e derisotme kombit shqiptar.
E lypte gjithkund Jugosllavia. Selmanit ia kishte ruejt qelinë e torturave e plumbin jetëmarrës.
Diku i ra në fije edhe Shqipëria. E kapën në kambë, në rrethin e Shkodrës. Ia lidhën duert, e mbyllën për disa ditë në burg. Ia dorëzuen palës jugosllave, sipas një Marrëveshje të përbashkët në mes qeverive komuniste të Shqipërisë të (pa)varur e të Jugosllavisë federaliste.
Vetë Selmani, për realitetin zyrtar shqiptar plot mbrapshti helmtë të asaj kohe me pabesi shtetërore shqiptare e ortaknitë me sllavët, shprehej: “Ne ishim të detyruem të kërkonim strehim në vendin tonë. Komunistët e Enverit nuk na pranonin, ata na thonin tradhtarë, reaksionarë. Ata na prenë në besë. Na lidhën dhe na kthyen te vllaznit e tyne jugosllav”.[5]
7.
Sigurimi oktapod shqiptar, fijelidhun edhe me sllavët e Beogradit e të Çetinës dhe prej 1946-tës me të Titogradit (Podgoricës), nuk harrojnë asnjë detaj të bashkpunimit ndërveprues.
Në Han të Hotit, teksa ua dorëzonin Selmanin ashtu të lidhun e të lodhur nga burgu i vështirë, i amanetojnë palës jugosllave: “Kujdes! Mos e shihni kështu trupshkurt se është njeri shumë i rrezikshëm…”.
Ia caktojnë një ushtarë sllav trupfortë me e përcjell përkrye maleve deri në Guci, i cili iu thotë eprorëve të vet e shoqëruesve shqiptarë të deriatyshëm: “Kush, ky i lidhun e unë me pushkë në dorë, me i pasë krahët nuk mundet me më ikë mue…”.
Rrugës për në Podgoricë Selmani ishte dhe hiqej si tepër i lodhur, ndaj ky ushtari shoqërues po i ndal hapat tek një farë ure me ujë të vrulltë e po gjuen në shenjë thëllanxat e malit. Selmani gjen rast e i thotë: “Ah, trim te je! Si i mbyll burri sytë kur rrudh me gisht në pushkë?!” Fjala ndjek fjalën. Selmani nuk ndal bisedë: Të kallzoj unë qysh me gjuejt kryeshenjë. Ndale frymën, mbylle një sy, qetësohu…”
Trupgjati ushtar merr huti çasti. Selmani mendje e sy mprehtë i avitet shpejt e i shkallmohet me prangat e duarve e t’i jep plastim e rreknim teposhtë në zallishtë. E vret ushtarin, dekun e në tokë. Ia merr atë armë.
Ik’ tue u ruejt aq fort sa mos me e pa as zogjtë. Ecte tue ngatrrue ferkem. E kalon për të dytën herë brenda asaj dite kufinin shqiptaro-shqiptar.
Kur hyn në Hot trupi i merr krahë. I troket një dere hotjane. Kish pasë mikpritje, besë e burrni. E presin shqiptarisht, pa frikën e kohës. Aty merr ma shumë forcë e shpresë. Ia hjekin prangat duarve, që i kishin lanë shenja ajtjeje. Ia vlerësojnë idealin kombëtar e trimnitë. E mbajnë për nja dhjetë ditë si ma të mirin mik në kullën e tyre e, mbasandejna, mashkujt e fortë e bestar të saj e përcjellin deri tek Shtegu i Dhënve.
8.Luftëtari kombëtar Selman Faku Prelvukaj prej atyhit shkon drejt e në krahinën e tij të Plavë-Gucisë, drejt e në malet e lirisë të pafjetun atë ditë e sot.
Prapë me grupin e tij, me “Grupin e Rezistencës Shqiptare kundër Sllavëve”. Ky grup prej kryeherit kishte deri në mbi dhjetë antarë: Pulec Hima Ahmetaj i Vuthajve; Zenel Mehmeti Ahmetaj i Vuthajve – një burrë i shkolluar e i sprovuar për mend e pushkë; Ibrahim Smajli Prelvukaj i Martinajve; Shaban Sadria Hasanaj i vllaznisë Gjonbalaj të Vuthajve; Kadri Salihi Ulaj i Katundit Sirm të Vuthajve; Mehmet Mustafa Kukaj i Kukajve të Vuthajve, dy rugovas, e të tjerë.
9.Shenjat e natyrës tregonin se dimni i atij viti 1946-‘47 po vinte tepër i egër. Grupit të Selmanit e Pulecit iu duhej me i ba konak vetes në jetesen plot me sakrifica sfide deri në vetmohim.
E kishin gjet vendin krejt të sigurt: përmbi Jasenicë, në afri të Hotit të Plavës, bash në Sjapicë të Haxhisë, në një shpellë tek “Buni i Shtjerrave”.
Po një dimën tjetër antishqiptar ma i madh e ma i egër po vinte edhe në Plavë-Guci nga regjimi jugosllav i Titos, nga vet Beogradi i Serbisë me kryeministrin serb Blagoje Neskoviç dhe nga dy kryeqëndrat e Malit të Zi, nga Çetina e vjetër e fronit e nga Titogradi i ri me kryeministrin malazez Blazho Jovanoviçin.
Cilido shqiptar etnik që ishte me rezistencën antisllave e luftonte për liri kombëtare në male, i cilësuar “kaçak”, “i arratisur”, “tradhtar”, etj., UDB-ja jugosllave ua torturonte e masakronte familjet me të madh e të vogël.
10.Sapo kishte hy’ viti 1947. Dikush nga të afërmit e grupit, që fatalisht ishte thirrë ndihmatar në përgaditjen e konakut të atij dimni të ashpër, nuk mujti me iu durue gatë torturave antinjerëzore e me shpirt ndër dhambë iu kallxoi pabesisht armiqve të kombit “shtëpinë e dimnit” të luftëtarëve të Lirisë Kombëtare, të Shqipërisë Etnike.
Ky njeri i besuar i preu në besë, i tregoi UDB-së ku ndodhej i strehuar Grupi i Selmanit dhe i Pulecit…
Shteti jugosllav u ngrit në kambë sikur do të mësynte kufinin drejt Shqipërisë Londineze e jo drejt një shpelle tek “Buni i Shtjerrave” në Sjapicë, ku thuhej se ishin vetëm 14 luftëtarë plavë-gucias e të rrethinave. Sidoqoftë nuk merr aq randësi numri i atyre luftëtarëve po fakti se kësaj here po sulmohej ajka e qëndresës luftarake lavdiplote në kit’ krahinë etno-historike shqiptare, vatra e fundit e qëndresës së organizuar antisllave në Alpe nga lumi i Vermoshit e ai i Valbonës deri në Lim.
UDB-istë të atyhit e të ardhun nga larg, shumkush nga komunitete etno-kulturore ardhacake në krahinë, mjaft njerëz përtej kureshtisë, lëviznin gjithandej në dy qytetet Plavë e Guci, në Ultinën e Epërme të Limit, luginat e Jasenicës e të Plavës…Gjithkah.
Forcat policore të rendit e të ndjekjes dhe ato ushtarake, të cilat rrinin përditë në survejim e kryenin terror e genocid në Plavë-Guci, u shtuan me përforcime të reja.
Fjala e zezë cegmoi mbi borën e bardhë, ajo doli para krismave të pushkëve: I kanë rrethue Selman Fakun e Prelvukajve e Pulec Himën e Ahmetajve…”.
Forcat e Sigurimit Jugosllav – UDB-ja, sëbashku me ato të policisë e të ushtrisë republikane e federale, ua kishin frikën një përballje luftarake me grupin e Selmanit e të Pulecit, prandaj shkuan tek vendstrehimi i tyre në shpellë tek Buni i Shqerrave tue përdorë për mburojë trupa njerëzore civile të Plavë-Gucisë. I kishin mobilizue me forcë, me dhunën e kohës. Kishte aty burra e gra me autoritet në fshatra e krejt krahinë dhe deri në Malësi të Madhe e Rrafshin e Dukagjinit. Disa sish edhe pa lidhje të afërt genetike gjaku me të rrethuarit në atë shpellë.
I kishin sjellë edhe nga të trungut familiar, të afërm e miq të këtyre luftëtarëve kombëtar në rrethim të plotë. Në mes tyre, në ballë të tyre, ishte edhe Bjeshka, motra e Selman Fakut e gjyshja e Bruno Selimajt. Ajo kishte me veti edhe djalin e saj, Ymerin e të tjerë. Aty ishin edhe të familjes së Pulec Himës. Edhe të tjerëve.
Në disa burime dokumentare thuhet se ishin mbi 100 civilë plavë-gucias të moshave të ndryshme, të thyer në moshë e të rinj, burra e gra, etj., që shumë prej tyre i kishin sjellë aty edhe si “pengje” për të rrethuarit. Një numër tejet i madh.
Diku, në një pjesë të rrethimit, në pjesën ballore, ku komunikohej edhe me luftëtarët në shpellë, ishin vendos deri në mbi tre rradhe me civil. I shtyjnë t’i afrohen konakut, shpellës.
Prej nga afër iu thërrasin të dorëzohen, po ka qëndresë. Kurrkush nuk po don me ra në dorë të shkjaut i gjallë. Situata e tensionuar fort, keq, e paparishikueshme zgjati bukur shumë.
11.Civilët, realisht, ishin “pengje”. Në koft se patriotët e rrethuar do të kundërpërgjigjeshin me luftë, atëherë do të kryhej një masakër e madhe mbi gjithë ata njerëz të ndershëm, të pafajshëm, të gatshëm edhe për vetsakrifikim.
I pari nga ajo shpellë si shtëpi e kështjellë po del Zenel Mehmeti Ahmetaj i Vuthajve, që shpesh printe me fjalë e shembullin e tij. Po dvet si është puna. I thanë se qëndresa e tyne do të sillte masakrën e përgjakshme. Ai e lëshoi armën përtokë tue thanë sheshit: “Jo, jo, ma mirë ma shumë se 10 se sa ma shumë se 100”.
Pas tij, dolën të gjithë. Në intervale kohe. Njani pas tjetrit. 12 luftëtarë.
12.Të fundit, nga shpella, dolën Selman Faku Prelvukaj dhe Pulec Hima Ahmetaj. Ia kanë qit’ pushkën njani-tjetrit në gjoks gati me dhanë jetën dhe u besatuan ndërveti e përballë të gjithëve se nuk dorëzohemi të gjallë. Ia kanë nis kuvendimit nga larg.
Selman Faku po iu selamet i pari:
-Ju e keni fitue Luftën e Dytë Botnore, po ne Shqiptarët luftojmë për tokën tonë…Ju e keni ditë se jena në shpellë. Pse na i keni marrë në qafë familjet tona e i keni pru deri këtu. Pse nuk erdhët me luftue me ne e me e pa se qysh zihen burrat rob…
I shtymun nga antishqiptari barbar, Mikail Bullotovi, naçallnik në Beranë, një shqiptar, i thirrun aty, po ia përcjell fjalët e tij kah dera e shpellës:
-Selman e Pulec, mos e vrani njani tjetrin, se nuk keni nevojë. Luftë a kanë…
Atëherë Selmani po dvet prej larg shqiptarin ndërlidhës:
-A asht Bullatoviçi ende në fuqi si naçallnik në Beranë. Në koft se asht ai atje nuk dorëzohem i gjallë, sepse e di se ka me më vra për hakmarrje. Në besë të shqiptarit po të them: mos më merr në qafë…
Shqiptari u fut me trina nëpër mal. I ktheu përgjigje sikur Mikail Bullatoviçi nuk ishte naçallnik në Beranë.
Selmani i besoi atij.
U dorëzue sëbashku me Pulecin.
13.Menjëherë i nisën 14 luftëtarët e Lirisë Kombëtare Shqiptare drejt qytetit të Plavës. Ashtu të lidhun dy e nga dy. Me dhjetra tyta armësh të drejtuara drejt tyre.
U shkrehën armë zjarri në ajër si sinjal fitorjeje për kapjen e tyre robër. Në fakt ata ishin ma shumë se robër lufte.
Iu del para Bullatoviçi.
Selmani e Puleci e kqyrën njani-tjetrin: A thue kanë ndonjë shteg me ik?! E panë se ishin të premë në besë si na “dikushi” që ua kishte tregue UDB-së vendstrehimin e tyre dhe tashti nga ky shqiptari nderlidhës që nuk iu tha të vërtetën për Bullatoviçin. Ata do të kishin vrarë veten e nuk do të ishin dorëzue të gjallë tek shpella te Buni i Shtjerrave.
-Ndani veç ata të dy – iu tha Bullatoviçi. -Mos i çoni poshtë me të tjerët…
Ashtu ndodhi: i ndalën aty ata të dy: Selmanin e Pulecin.
Sllavët ishin të etur për vrasjen e tyre.
Në bjeshkën e Memës, mbi dyqind metra poshtë shpellës i mbështetën për një pishë të madhe e derdhën mbi ta breshëri armësh.
I pushkatuan pa gjyq.
Një vrasje politike, barbare, shovene.
Një urrejtje bio-politike e etnike ndaj tyre, pasi ata ishin e mbetën shqiptarë të vërtetë, të rrallë, legjendar.
Naçallniku Bullatoviç e shpiku një farsë sikur gjoja ata donin të arratiseshin e qëlluan mbi ta pa paralajmërim.
Në fakt e vërteta qëndron ndryshe: edhe sot pas 70 vitesh në koft se ua përmend shkijeve këta dy emra të lavdisë shqiptare atyne ua prish në çast humorin e me kanë pramje i lenë pa gjumë.[6]
14.Pulec Hima Ahmetaj i Vuthajve ka lanë trashëgimtarë. Një nga djalë të tij, Shemunin, e kam njoft personalisht. Ishte mësues emigrant në Elbasan. Mjaft i lidhun me tre djemtë e hallës time, Dadës Razë, djemtë e Sherif Dedushajt nga Vuthajt, edhe ata emigrantë në Elbasan.
Një herë në vitet ’80 teksa shetisnim me Shemunin e Avdyl Dedushaj, bash aty tek hotel “Skampa” po ndal hapin Shemuni e vikati me tanë forcën e shpirtit të tij: “Kosova Republikë”…Duart i mbante të lidhuna lart në formë shqiponje, simbol i bashkimit kombëtar. Ky nuk ishte rasti i parë e as i fundit. Ai kishte në gjakun e tij genin e martirit të kombit, Pulec Hima Ahmetaj.
Selman Faku Prelvukaj, i derës së Kasemçukajve, i lindur në Martinaj e jetues në Guci, i ka lanë dy çika, po geni i këtij martiri të kombit jeton edhe tek gjithata nipa të tij nga Selimajt e Nokshiqit. Një prej tyre është edhe Bruno Selimaj, një emër i kohës shqiptare, një njeri simbol për kontributet e tij për kombin shqiptar.
[1] Rexhep Dedushaj. 100 Vjet Luftë. NY. 1999.
[2] Zekeria Cana. Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913” (Dokumente). IAP. Prishtinë. 1997, fq. 34.
[3] Z. Cana. Po aty. f. 34.
[4] Sulejman B. Ahmeti.: “Plava dhe Gucia – Ngjarje që nuk duhen harruar…”. Monografi. Tiranë, 2002, f. 78.
[5] S. B. Ahmetaj. Po aty. f. 81.
[6] Ramiz Lushaj: Referime dhe nga Dosja ime “Plava e Gucia” (Dokumente arkivore, shënime, dorëshkrime, takime e biseda, etj.)