Dr. Shefqet Deliallisi/
Ka dy botë. Bota e investigimit të ftohtë shkak-pasojë, dhe bota e dëshirave, idealeve, vlerave morale, solidaritetit. Me të parën merren shkencat e natyrës, me të dytën etika. Si urë që lidh këto dy ‘brigje’ shërben shkenca ekonomike.
Sipas shkencës ekonomike Shërbimi i Kujdesit Shëndetsor është një industri shërbimesh që nënkupton treg, konkurencë, dhe pabarazi.
Ndërsa sipas politikës, në përpjekje për të përfituar prej ndjeshmërisë së lartë të publikut për shëndetin tekson se “e para që duhet të bëjmë është të pranojmë Kujdesin Mjeksor si e ‘drejtë njerëzore’ !”
Por a është e mundur ?
NJË SAKTËSIM…
Përcaktimi që shpesh përdoret, ‘shëndeti’ e drejtë njerëzore s’është i saktë.
Të thuash shëndeti është e “drejtë njerëzore” është si të thuash moti i mirë e “drejtë njerëzore”! E vërteta është se shëndeti ngjason me kudesin mjeksor, aq sa moti i mirë me çadrën. Shiun nuk mund ta ndalojmë të bjerë, por çadrën mund ta përdorim për tu mbrojtur nga shiu !
E saktë është të thuhet e “drejta” për kujdes mjeksor, ose më saktë e ‘drejta’ për akses në kujdesin mjeksor është e drejtë njerëzore…
LIGJI I PAMJAFTUESHMËRISË
(Scarcity low)
Sipas Thomas Sowell, ekonomist, teoricien social i Universitetit Stanford : “Mësimi parë i ekonomisë është pamjftueshmëria : çdogjë, nuk është kurrë e mjaftueshme për t’i kënaqur të gjithë, ndërsa mësimi parë i politikës është shpërfillja e mësimit të parë të ekonomisë.”
Shumë nga problemet në lidhje me Kujdesin Shëndetësor burojnë nga mosvlerësimi i ligjësive ekonomike. Njëri prej tyre është ligji pamjaftueshmërisë (Scarcity low), sipas të cilit universi s’ka mjaftueshëm të ‘mira’ për të plotësuar të gjithë nevojat e të gjithëve. Kjo vlen edhe për Kujdesin Mjeksor. Njerëzit kanë nevojë për proçedura mjeksore që mund të kushtojnë miliona, por mundësitë janë të pamjaftueshme. Në pamje të parë duket e padrejtë, e pa moralshme por…
NJË USHTRIM LLOGJIK…
Për një çast le të mendojmë se keni katër fëmijë dhe tre mollë. Dëshirojmë secili nga fëmijët të ketë mollën e tij. Pa u menduar dy herë politika thotë ‘Po’, madje e shenjtëron këtë dëshirë si të “drejtë njerëzore”. Por ne kemi vetëm tre mollë dhe katër fëmijë dhe deklarimi i politikës e “drejtë njerëzore” është thjeshtë retorikë. Diçka e pamjaftueshme si Kujdesi Mjeksor, s’mund të shpallet e “drejtë njerëzore”, është teknikisht e pamundur !
Kujdesi shëndetësor është konkret, përbëhet nga mallra, medikamente, paisje, shërbime konkrete. Një numër të caktuar mjekësh, shtretërish në spitale…Edhe nëse paratë eleminohen nga diskutimi (duke i detyruar mjekët forcërisht të shërbenin, duke shtetëzuar fabrikat farmaceutike) problemi themelor ekonomik, pamjaftushmëria, do mbetej.
Pamjaftueshmëria s’është thjeshtë teori ekonomike, por një realitetit kudo në botë…
PO SIGURIMI SHËNDETSOR…?
Kujdesi shëndetsor është një e ‘mirë’ e pamjaftueshme.
Si ta ndajmë atëhere ? Është zgjidhje sigurimi shëndetësor, që bazohet në parimin ekonomik që dikush tjetër paguan?
Sigurimi shëndesor s’është produkt mjekësor, por një produkt financiar. Pamjaftueshmëria s’do të dijë kush paguan. Ajo çfarë është e pamjaftueshme është e pamjaftueshme!
Për t’i ndarë të ‘mirat’ e pamjaftueshme janë provuar disa mënyra : luftrat, sistemet e kastës, planifikimi qëndror.
Faktin se jo të gjithë dëshirojnë të njejtat gjëra bën të mundur tregtinë. Por blerja dhe shitja e sendeve nuk është mënyra për të ndarë të mirat e pa mamjaftueshme.
Zgjidhja e vetme është racionimi…
Pavarësisht modelit të sistemit shëndetsor të zgjedhur : me monopolin e sistemit publik, (sistemi britanik), me subvencion të siguracionit shëndetsor (sistemi zvicera), të pastër tregu (sistemi amerikan), përfundimi do të jetë i njejtë. Racionim i drejtpërdrejtë përmes çmimimit, apo racionimi politik përmes listave të pritjes, parave apo influencës.
Në sistemet shëndetsore ku monopolin e shëndetit e ka sitemi publik, Britani e Madhe, Kanada… ka lista të gjata pritje për të marrë kujdesin mjeksor, që do të thotë që mund të vdesësh para se të vijë radha, ose të pranoni se disa trajtime janë kategorikisht të padisponueshme ose, për të siguruar shërbim të menjëherëshëm, të paguash nga xhepi…
Një shembull : Spitalet e New Jorkut janë plot me kanadezë të pasur të cilët nuk mund ta përballojnë në pritje, kujdesin shëndetësor “falas”.
Si përfundim, të gjithë janë të pakënaqur, progresistët amerikanë duan modelin mjekësor të Europës si më human, europianët të mërzitur nga pritja e gjatë në rradhë kërkojnë modelin amerikan…
Shkaku i vërtetë i pakënaqësisë është pamjaftueshmëria!
Sikur pamjaftueshmëria të mos mjaftonte…
HIPOKRIZI
Le të mendojmë kujdesin mjeksor si një e “drejtë” njerëzore, realizimi i saj do të ishte gjithmonë jo i plotë edhe për faktin se politika një pjesë të resurseve për shëndetin i alokon për qëllime të tjera. Kjo është e vërtetë për të gjitha vendet, pavarësisht sistemit ekonomik, pavarësisht mënyrës së organizimit të sistemit shëndetsor, pavarsisht nivelit të mirëqenies.
Gjithëpranohet se asnjë vend s’është aq i shëndetshëm sa synon të jetë, por dhe asnjë vend nuk bën për shëndetin aq sa teknikisht ka mundësi.
Ndonëse thuhet ”shëndeti është më i rëndësishmi nga të gjithë” rrallë ky sllogan merret parasysh në realitet. Çdo ditë, në shumë mënyra, ne shpenzojmë vlera të mëdha për të kënaqur dëshira të tjera. Madje bëjmë zgjedhje që ndikojnë negativisht mbi shëndetin. Mbi-ngrënia apo duhan-pirja e ilustron këtë.
NË VEND TË MBYLLJES…
Hendeku ndërmjet asaj çfarë është teknikisht e mundur dhe çfarë është ekonomikisht fizibël, probabilisht do vijë duke u zgjeruar. Ka një thënie që i atribuohet disa personaliteteve : “Të gjitha nevojat e njerëzve për Kujdes Mjeksor mund të plotësohen vetëm për një farë kohe, vetëm disa nevoja mund të plotësohen gjatë gjithë kohës, por në asnjë vend nuk mund të plotësohen të gjitha nevojat, e të gjithëve, gjatë gjithë kohës.”
Duhet përzgjedhje !