Milazim KRASNIQI/
Serbia ka hyrë në fazën e pakthyeshme të konfliktit civil. Pasi ka kryer krime monstruoze në Kroaci, në Bosnje e në Kosovë dhe ka humbur tri luftëra në vitet e nëntëdhjetë të shekullit të kluar, Serbia e pati filluar me Gjingjiqin një proces denazifikiimi por ai dështoi shpejt, sepse Gjingjiqin e vranë. Regjimi Nikoliq-Vuçiq-Daçiq e riktheu shpejt politikën imperiale dhe rusofile. Vuçiqi e ka cimentuar tashmë. Me zgjedhje ai regjim më nuk çmonohet. E vetmja mënyrë e çmontimit u ka mbetur padëgjueshmëria qytetare, revolucioni, dhuna.
Jo rastësisht studentë e nxënës, kanë dalë në ballë të protestave, sepse ata e ndiejnë se edhe jetët e tyre do të jenë të shkatërruara, si të baballarëve e nënave të tyre. Por, protestat e tyre nuk janë të mjaftueshme. Nuk janë të mjaftueshme as protestat e punëtorëve. Pse? Në Serbi problem paraqesin shërbimet sekrete dhe ushtria, që nuk janë reformuar që nga koha e Rankoviqit. Aty fshihet fuqia e regjimit. Ato struktura kriminale e terroriste kanë kapacitete për të ushtruar terror brenda Serbisë, po edhe për të destabilizuar Bosnjen e Kosovën. Prandaj, në këtë format ekzistues konflikti civil në Serbi mund të zgjasë dhe mund të prodhojë jostabilitet e viktima, por epilogu mbetet i paqartë. Fati i Vuçiqit mund të jetë diçka ndërmjet Llukashenkos dhe Asadit.
Çka duhet të bëjë Kosova në raport me ato zhvillime në Serbi? Kosova duhet të rreshtohet qartë me SHBA-në e NATO-n, që duan shkëputjen e Serbisë nga influenca ruse. Asnjë veprim të njëanshëm nuk duhet ta ndërmarrë askush nga Kosova. Sidomos jo në veri. Ka shumë mundësi që po të mos inicohej ajo kriza me targa në veri, Vuçiqi mund të ishte ballafaquar me rrëzimin e tij me zgjedhjet lokale në Serbi, të cilat ai i vodhi masivisht. Por, kriza për targat në veriun e Kosovës frenoi akterët, që ta shtynin përpara projektin e rrëzimit të regjimit të Vuçiqit. U shndërrua në favor për regjimin e Vuçiqit. Prandaj nga administrata e re nuk do të lejohet të përsëritet më ai budallallëk.
Problemi i veriut të Kosovës, nga ana jonë duhet të minimizohet, jo të ekzagjerohet siç e ka zakon ta ekzagjerojë qeveria Kurti. Interesi strategjik i Kosovës është që veriu i vendit tonë në asnjë rast të mos ketë ndikim në stabilitetin dhe në rrugën euro-atlantike të Kosovës.