Shkruan: Behar Gjoka, studiues-shkrimtar/
Vepra e “E mbsuame e krishterë”, botuar në vitin 1592 në Romë, është përkthim nga italishtja i librit të jezuitit Landesma. Simbas Selman Rizës : … gjithë veprën e tij të njohur prej nesh e përbën vetëm ky përkthim 28 faqesh të shtypura formati të vogël, së bashku me një letër kushtimi italisht e me një këngë të përshpëritshme shqip e italisht. , shënon veprën e shkrimtarit të parë arbëresh, e Luca Matranga (1560-1619). Tekstet që trashëgojmë prej tij, ndërkohë përbëjnë zanafillën e shkrimit të arbërishtes. Ky tipar vihet në dukje, më herët, nga Mario Roques , teksa shprehet: Vepra e tij, me gjithë përmasat e kufizueme, a^sht me interes si dokumenti ma^i vjetër i shqipes jugore i bartun në Itali. Afërmendësh, që ndërmjet shenjave që ngërthen, është hedhur dritë:
– Fakt historik, i shkrimit të arbërishtes/toskërishtes, që pason Meshari-n e Gjon Buzukut, të vitit 1555. Rëndësia e veprës së Matrëngës është e dyfishtë, sepse nga njëra anë bëhet dorëzanë e vijimësisë së shkrimit shqipes, dhe në anën tjetër, luan rol parësor si shkrim i shqipes, në diasporën arbëreshe. Nëse Meshari, e shkundi nga mugullimat e kohës gjellimin e shqipes, përkundër e në vazhdimësi, vepra e “E mbsuame e krishterë”, e Matrëngës, i zgjeroi hapësirat e shqipes së shkruar. Prej asokohe, pashkëputshëm në të gjitha periudhat, vepra u bë nyja lidhëse e shkrimit të shqipes, si variant i arbërishtes. Vepra e Matrangës, një fakt gjuhësor; themelhedhës i variantit të arbërishtes së zonës së Horës, u bë vatra përlindëse e shqipes, që e morën me vete arbënorët e matanë detit. Materia gjuhësore, është vështruar, në dy aspekte:
a. Fakt i lëvrimit të shqipes, që buron prej rrethanave të krijuara nga Kundërreformacioni, përveç të tjerash, për lejimin e shkrimit të librave në gjuhët amtare. Kjo ide përforcohet tash së fundi, nga Matteo Mandala : Prej këtej rrjedh vendimi në thelb risor për të reformuat rrënjësisht praktikat e mësimndhënies dhe të predikimit, fillimisht duke lejuar perdorimin e gjuhëve kombëtare në mësimdhënien gojore të katektizmit, e më vonë duke autorizuar përkthimet e teksteve të katekizmit, nën kontrollin e rreptë të censurës kishtare.(bazuar në librin Mbi plitikën gjuhësore të konciliti të Trentos
b. Paraqet nevojën e ngutshme të përkthimit të katekizmave, breviarëve, doktrinave fetare, përgjithësisht të librave fetarë, për nevoja dhe dobinë fetare, të komunikimit më të zgjeruar me ritet, sakramentet dhe normat e besimit katolik.
Përveç këtyre përcaktimeve, historike dhe gjuhësore, librit përçon dëshmi të tjera:
– Fakt i dokumentimit të shkollës së parë shqipe, në mjediset e arbëreshëve. Ky moment përmendet dhe argumentohet nga Dr. Jashar Rexhepagiç , Mendim pedagogjik hasim edhe në “Katekizmin” e arbëreshit Lekë Matrënga, i cili e përktheu këtë vepër…Ky formulim ka rëndësi të posaçme pedagogjike dhe ka këtë përmbajtje: “Unë sa të jamë gjallë nuk do të mongoj … të ndihmoj fëmijët për hirë të tyre të bëhem edhe vetë fëmijë që ata të përfitojnë sa më shumë.
– Fakt i fillesave të traditës letrare të variantit të arbërishtes, që ka mbetur në hije, ose është pohuar përciptazi. Shqyrtimi i tekstit të poezisë dhe të letrës kushtesë, përveç të tjerash, që bartin edhe shenjime artistike, do të hidhte piketa të tjera. Prania e letrares në shkrimin e Matrëngës, gjallon në dy esencat shkrimore:
A – Pjesa e materies, e cila nuk lidhet me lëndë e përkthyer, që përfshin poezinë Këngën e Përshpirtshme.
B – Në letrën kushtimore, ku përmes pohimit të autorit, evidentohet natyra dhe qëllimi i veprës së botuar prej tij.
Teksti i përkthyer, katekizmi i dialoguar, ka gjetur hapësira verifikimi dhe interpretimi. Studimet e kryera, nga filologët dhe albanologët, qysh nga G. Petrotta , M. Rokue , E. Çabej , S. Riza, R. Smajli etj. , për të mbërritur gjer tek botimi monografik, i të gjithë varianteve të veprës së Matrëngës, nga Matteo Mandala , kanë hedhur dritë mbi shumicën e çështjeve, si lëndë gjuhësore. Ndërkaq, studimet letrare, nuk i kanë kushtuar vëmendje, për të përcaktuar tiparet fillimtare të traditës letrare të variantit të arbërishtes.
Letërsi e kontekstit
Ndaj veprave të letërsisë së vjetër, në rrafshet e qëmtimit të vlerave letrare, është ecur në dy binarë:
– Lexim antifetar, utopik dhe ideologjik, në mjediset e Shqipërisë, që ka theksuar shenjat historike dhe gjuhësore. Në anën tjetër, tejqyra paragjykuese, ka heshtur dhe minimizuar, praninë e vlerave letrare. Në lidhje me Matrëngën, është këmbëngulur mbi vlerat përkthimore të veprës.
– Lexim fetar, brenda kontekstit fetar, që merr udhë qysh me përcaktimin e letërsisë së vjetër, pra edhe të veprës “E mbsuame e krishterë” të Lek Matrëngës, si filobiblike.
Kuptohet që optika e leximit, verifikimit dhe shqyrtimit, në rrafsh fetar/biblik, është një hap cilësor, që e pranon faktologjinë e shumëfishtë, pra edhe letrare. Me gjasat e krijuara në parashtrimet e reja, teorike dhe praktike, për të lexuar veprat e Buzukut, Matrëngës, Budit, Bardhit, Bogdanit, Kazazit, Varibobës e të tjerë, ka hapësira të reja, për të zbuluar kumtet që ato bartin. Prania verifikuese, në rrafsh fetar/biblik, nxorri në dritë, me disa shtresëzime, periudhën së parë të letrave shqipe. Evidentohet epoka përlindëse e gjuhës dhe letërsisë shqipe, që identifikon historinë e mbijetesës, praninë e qenies arbnore/shqiptare, si dhe të shqipes së shkruar. Termi letërsi filobiblike, ka sjellë pranimin e ekzistencës së letrares, ku ndërthuret prania e tekstit me kontekstin e botimit. Rrethanat historike dhe fetare, gjuhësore dhe letrare, që sollën botimin e veprave, e pamundësojnë funksionimin jashtë këtyre konteksteve, si proces leximi. Kontekstet botuese të këtyre veprave, lidhen:
– Me Kundërreformacionin e kishës për lejimin e gjuhëve amtare në kryerjen e ceremonialeve fetare, të hapjes së shkollave dhe botimit të librave në gjuhët amtare.
– Bashkë me lejimin e librave, kisha kalotike, normativizoi karakterin kontrollues, të institucionit të censurës. Në rastet kur gjykohej, se nuk janë përmbushur rregullat librat, ktheheshin për redaktim ose ndaloheshin fare. Nga parashtrimi mbi natyrën e librave të shekujve 16 dhe 17, pra që shoqëroheshin me lejen e Papatit, kuptohet se kemi të bëjmë me literaturë specifike:
– Të kontekstualizuar për nevojën e kishës, për të zgjeruar komunikimin me grigjën, si dhe mbi përpjekjet e popujve të Europës për të identifikuar ekzistencën e tyre, me anë të librave shkruar në gjuhët amtare.
– Të materies së bashkëshkruar, fetare, diturake, shkencore dhe letrare, realizuar në një hapësirë të vetme gjuhësore.
Literatura në gjuhën shqipe, e kësaj atmosfere, ku përfshihen librat e Buzukut, Budit, Bardhit dhe Bogdanit, shpalohet me anë të variantit të gegnishtes, ndërsa Matrënga lavron arbërishten. Pohimi i Ibrahim Rugova : Po ashtu duhet që kjo letërsi të bëhet objekt studimi jo vetëm i gjuhësisë historike dhe i historisë së letërsisë në plan serik, po edhe objekt i kritikës, i intrepretimit dhe teorisë së letërsisë, pra ta forcojmë planin sinkronik të studimit dhe vështrimit të saj, sepse kështu do të saktësohen e shpjegohen shumë çështje e fenomene të letërsisë së Rilindjes e të letërsisë së mëvonshme. Pjesë unike e kësaj literature, si dhe e kontekstit shkrimor, është edhe vepra e Lek Matrëngës. Kuptohet, se njohja e kontekstit shkrimor, pra të një literature specifike, nuk ka gjasa që të imponojë rrethanën e leximit të kësaj literature, sërish dhe vetëmse në këtë kontekst. Dija teorike, në anën tjetër, e zgjeron hapësirën e komunikimit, përmes idesë së Borges-it , kur shprehej: Koha e veprave nuk ëshrtë koha e kufizuar e të shkruarit, por koha e pafundme e të lexuarit; hapësira letrare është kujtesa e njerëzve. Në librat e shekujve 16 dhe 17, ka mundësi që të ndeshemi me dy rrethana:
Së pari: Lartësynimi për t’i verifikuar si gjithëvlerësi e bashkëshkruar, ku tekstet gjuhësore bartin vulën historike, rrezatimin fetar, po kaq rrezëllimat letrare.
Së dyti: Heqja dorë nga hamendësimet, se prania e gjurmëve fetare dhe historike, kanë fshirë vlerat letrare.
Atëhermë, ka gjasa, që të lirohemi nga pengu i kontekstit shkrimor, e të zbresim në fushën e leximit dhe shqyrtimit të teksteve. Në këtë proces, zbulues dhe rivlerësues, të shqipes së shkruar, ndërfutja e kontekstit të leximit bashkëkohor, është vatra që rivlerëson trashëgiminë librore të mesjetës shqiptare. Konteksti leximor, varësisht teorive letrare moderne, ka gjasa që na mundëson shansin që të nisim leximin real të kësaj trashëgimie. Pjesë e leximit real, të teksteve të letërsisë së hershme, padyshim që është:
– Braktisja e leximit antifetar të kësaj trashëgimie, pra edhe të veprës së Lek Matrëngës, si mos shqyrtimit i teksteve edhe në dritën e shenjave letrare.
– Riformulimi i optikës së leximit fetar/biblik, të kësaj trashëgimie, të materies së veprës “E mbsuame e krishterë”, në kontekstet e leximit të tekstit, të rrafsheve tërësore të kësaj vepre. Leximi biblik, pavarësisht arritjeve, në një kuptim e mban të mbyllur këtë trashëgimi, në kontekstin e kohës shkrimore dhe të një leximi tematik.
Kundrimi i tekstit, i fjalës së shkrimtarit, në rrafshet e komunikimit dhe të kumteve, kinse letrare, që buron nga energjia e fjalës, si nëntekst dhe obligim kërkimor, tanimë nuk ka shkaqe thelbësore, që sërish të vonohet.
Teksti poetik i Matrëngës
Vargjet e Këngës së Përshpirtshme, përfaqësojnë të vetmen pasuri poetike, që trashëgojmë, që është shkruar në shqip dhe latinisht, përcjellin këtë situatë:
Gjithëve thëres, kush do ndëlesë,
të mirë të krështë, burra gra,
mbë fjalët e Tinëzot të shihi meshë,
se s’ishtë njerii nesh çë mkatë s’kaa;
e lum kush e kujton se ka te vdesë,
e mentë bashkë mbë Tënëzonë i kaa,
se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë,
e bën për bljr të tij e për vëlla.
Kemi një poezi fetare, në frymë dhe mesazh, në teknikën shkrimore, e cila përbëhet nga tetë vargje, që janë realizuar me numër rrokjesh të ndryshme, ku mbizotëron përdorimi i njëmbëdhejtërrokshit. Megjithatë, vepra monumentale “E mbsuame e krishterë”, e Lek Matrëngës, shkruar në arbërisht, për shkak të pranisë së vargjeve, ndërkaq përçon fillesat e traditës letrare. Materia e vargjeve, ofron një situatë specifike, të bashkëshkrimit sinkretik, që ngërthen disa tipare:
– Me këto vargje, të natyrës fetare, një lutje dhe përgjërim drejtuar besimtarëve, dokumentohet poezia e kultivuar në letrat shqipe, duke shënuar cakun e fillimit të poezisë autoriale.
– Me librin e parë të arbërishtes, lajmërohet një situatë e shkrimit të poezisë, që përçon vlera estetike, me veprën e Jul Varibobës, Jeronim De Radës, Zef Serembes, Zef Skiroit etj.
Duke bartur këto atribute, shenjuese dhe identifikuese, tashmë del si parësore, analiza e vargjeve në rrafshet përbamëse:
A – Përmbajtësore: Një materie fetare, në formën e lutjes.
B – Utilitare: Të mundësojë përjetimin e besimit si akt pastrues dhe shpëtimtar.
C – Artistike: Të ekzistimit të poezisë, në bashkëlidhje fetare me vlerën artistike.
Vetëm një marrëdhënie e vlerës së këngëtimit, me dobinë e këngëtimit në vargje, na mundëson hyrjen në marrëdhënie të kësaj natyre, ku poezia dhe vargjet ndikojnë për të përçuar uratën e Perëndisë.
Letra kushtimore
Pjesën e trashëgimisë së autorit, që pamëdyshje bart shenja autoriale, hyn edhe letra kushtesë, që përgjithësisht sjellë atmosferën e kohës, situatën e nevojës për hapjen e shkollës shqipe. Përveç të dhënave me vlerë që sjellë:
– Mbi përpjekjet e bëra nga vetë shkrimtari për të realizuar me çdo çmim përkthimin e këtij katekizmi.
– Lidhja e përkthimit të librit me nevojën që të shërbente si libër për djemtë dhe vajzat e krahinës, që të mësonin më lehtësisht doktrinën e krishterë, por edhe që të shkruanin gjuhën shqipe.
– Ndryshimet e bërë në drejtëshkrim, sidomos mbi diftongun, domethënë o a, o e, o u,.
Epistolari, ku përfshihet edhe letra e kushtimit e autorit, për mënyrën dhe mjetet e komunikimit, në atë kohë, ishte një komunikim personal, pra thelbësisht autorial. Nëse relacionet e përhapura në atë kohë, ishin pjesë e detyrimit institucional, letrat/epistolari, ishte një marrëdhënie e një natyre tjetër, më tepër autoriale dhe specifike. Prandaj, mbas pasthënies së Mesharit, Kushtimorja e Matrëngës, është dëshmia e dytë e shkrimit të prozës autoriale në gjuhën shqipe, që mandej me P. Budin, epistolari shndërrohet në një komunikim organik, duke shkuar në 171 faqe prozë, të konceptuar si epistolar. Megjithatë, vlera e fillesave të traditës letrare, mbetet e lidhur ngushtësisht me natyrën e katekizmit. Kjo situatë mbrohet nga Matteo Mandala , ku theksohet: Qoftë Letra e kushtimit, qoftë edhe versioni shqip i Këngës së përshpirtshme, përputheshin me praktikën e botimit të Doktrinës së krishterë të Ledesmës. , që do të thotë ka udhë të gjatë për të mbërritur tek pranimi i shenjave letrare të pranishme në veprën e Matrëngës.
LUKË MATRANGA
KUSHTIMORJA
drejtuar arkipeshkvit të Monrealit, kard. Ludovik II de Torres, zotëri i Shtetit të Monrealit, të cilit i përkiste Piana dei Greçi:
“Duke qenë se kam njohur me përvojën time prirjen aq të drejtë, madje të dalluar që Zoti jonë mëshirplotë ka denjuar t’i japë Z. T. fort të Përndritun dhe të Përnderuem për t’iu gjendur në ndihmë shpirtërave në përgjithësi, dhe në veçanti vasalëve të tij shqiptarë; kam gjykuar se do të bëja diçka mjaft në përmbushje të dëshirës tuaj, nëse do të merrja përsipër ndonjë mùnd të dobishëm për shpirtërat e vasalëve që keni në këtë tokë tuaj të grekëve shqiptarë. Për këtë arsye, duke ditur se për Z. T. fort të P.un dhe të P.ruem ka fort rëndësi që djemtë dhe vajzat të ushtrohen në doktrinën e krishterë, jam përpjekur të bëj një përkthim të saj në gjuhën tonë amtare shqipe, i vetëdijshëm se italishtja që është përqark nuk kuptohet mirë nga njerëzit tanë. Gjë që e kam bërë për më tepër me mjaft dëshirë, kur kujtoja se do të ishte për Z. T. fort të P.un një vepër tepër e mirëpritur. Dhe tashmë ka nisur të mësohet me shumë solemnitet, me shumë kënaqësi dhe gëzim prej popullit, sa jam i sigurt se, nëse do të kishit qenë i pranishëm këtu, prej gazmendit shpirtëror do të ishit ngazëllyer për këtë. Dhe tashmë shumë djem në moshë të vogël për befasi të popullit e kanë mësuar në pjesë të madhe, dhe ajo që më tepër na shkakton habi, vajzat në këtë ushtrim tashmë ua kalojnë djemve edhe në numër edhe në dije.
Kam dëshiruar që këtë mùnd timin t’ia kushtoj Z. T. fort të P.un si zotëria dhe mbrojtësi im, duke shpresuar se do të mirëpritej; dhe përveç se do të jetë e dobishme për popullin e grekëve, do të jetë gjithashtu e mirëpritur në disa qindra fshatra ku, në Kalabri dhe Pulje, gjenden njerëzit shqiptarë.
Duke denjuar pra Z. J. fort i P.un e i P.ruem të pranojë nga një shërbëtor i tij i përunjur këtë dhuratë të vogël, dhe bashkë me të shpirtin me të cilin ua ofroj, që sigurisht tjetër gjë nuk e ka vënë në lëvizje, përveçse lavdia që shpresoj se do t’i vijë prej saj si rrjedhojë Z. T., dhe kënaqësia që besoja se do të merrnit ju prej kësaj.
Dhe që kjo vepërz të mund të praktikohej nga të gjithë, kam bërë dy gjëra për dy vështirësitë që rridhnin në shqiptimin e kësaj gjuhe shqipe.
Pikësëpari kam vënë në mënyrën e greqishtes letrare thekset përmbi diftongët, gjë që do të ndihmojë mjaft për tu shqiptuar mirë. Pikësëdyti jam kujdesur për një vështirësi të madhe që kanë grekët shqiptarë në shqiptimin e njëfarë tingulli që pothuaj lipset në çdo diftong. Dhe për të qenë krejtësisht në dijeni të plotë Z. J. fort i P.un duhet të dijë se shqiptarët pothuaj në çdo fjalë kanë një farë tingulli që bëhet me hundë, dhe megjithatë nuk është zakonisht zanore e veçantë, domethënë o a, o e, o u, por hera-herës vetëm një tingull që bëhet, siç kam thënë, me hundë. Prej nga kam vënë për shenjë, kur lipset një tingull i tillë, ose zanore e shqiptuar me hundë, një a diftong. Këtë do ta kuptojnë mirë me këtë rregull shqiptarët, kurse mjaft vështirësi serioze do të hasin të tjerët deri kur me anë të praktikës do të mësojnë shqiptimin.
E gjitha kjo ka qenë e nevojshme të paralajmërohet në këtë kushtimore, me qëllim që ky mùnd i vogël i imi të jetë më i dobishëm dhe të praktikohet më lehtësisht. Dhe unë përsa të jem gjallë nuk do të kursehem (siç kam bërë gjithë këtë kreshmë) të gjendem pranë fëmijëve, dhe në të mirë të atij që për ne quhet fëmijë, të bëhem fëmijë, mjaft që të përfitojnë shërbëtorët tuaj vasalë, siç kanë përfituar deri më tash, që çdo festë fjalë pas fjale të thuhet prej të gjithëve, duke u përgjigjur ata me shumë zell të krishterë; se sigurisht është mrekulli që nëpër rrugët tona nuk dëgjohet tjetër, veç zëra fëmijësh duke recituar doktrinën në gjuhën shqipe. Qoftë krejt lavdia Zotit Tonë prej të cilit lus për Z. T. fort të P.un e të P.ruem gjithë më të lartën e hireve të tij.
Nga Piana dei Greçi, më 20 mars 1592.
Vasali i përvuajtur i Z. T. të Përndritun e të Përnderuem
LUKË MATRANGA”