Mbi librin e ri “Pikëllim në një foto të vjetër” të studiuesit Qerim Vrioni/
Nga Astrit Lulushi/
Për shumë njerëz asgjë nuk është aq e padukshme sesa një e vërtetë. Edhe pse qëndron para syve, shtyhet nën hundë, ose kalon në grykë – ata nuk e shohin, nuk e ndjejnë, nuk e shijojnë. Libri “Pikëllim në një foto të vjetër” përmban pikërisht thelbin e kësaj të vërtete. Autori Qerim Vrioni – kërkues i palodhur e këmbëngulës i arkivave të fotografisë – ia kushton këtë studim të mirëfilltë, fotografit Kolë Maca (1882-1945, veprimtaria e të cilit ka mbetur pak e njohur. Maca i përket viteve të trazuara kur ekzistenca e Shqipërisë ndodhej në balancë; kjo përbën domosdoshmëri që figura e Macës – këmbëngul Qerim Vrioni – duhet të rilindë, sepse mjaft ka mbetur e harruar.
Kultura shqiptare është treguar e padrejtë me figurën e Kolë Macës, autor i shumë fotove monumentale historike, veçanërisht ato nga rrethimi i Shkodrës më 1913. E padrejtë, kultura shqiptare, ende e politizuar, është treguar edhe me shumë figura të tjera, të cilat, ngadalë apo me shpejtësinë e hapit të breshkës, kanë filluar të rehabilitohen, megjithëse jo të plota, siç është rasti i kohës së fundit me Mid’hat Frashërin, të cilin politika sot kërkon ta shfrytëzojë për shumë gjëra, por jo për atë që është më e rëndësishme, për meritat si Ati i nacionalizmit a patriotizmit shqiptar. Dihet se për 45 vjet fajin e kishte diktatura. Për këto 28 vjet pas diktaturës, faji ka mbetur jetim.
E padukshmja është e pavlerësuar. Për mijëra vjet, urtësia transmetohet nga brezi nē brez pikërisht sepse ajo është e urtë, shpreson të zbulohet. Njerëzit sot gjithnjë e më pak lexojnë, si ata që vijnë në jetë, kalojnë në ‘të, por nuk e njohin, dhe ndahen prej të panxënë, trashëgimia e tyre vdes bashkë me ‘ta. “Lirova shumë skllevër, por mund të kisha liruar mijëra të tjerë, nëse e dinin se ishin skllevër”, shkruante në kujtimet e saj Harriet Tubman (1820-1913), e cila shpëtoi nga skllavëria qindra zezakë, duke përdorur rrjetin e ashtuquajtur Hekurudha e Nëndheshme, gjatë Luftës Civile amerikane.
Libri “Pikëllim në një foto të vjetër” (EMAL, Tiranë 2018), është i thjeshtë në vëllim (85 fq.), por i shkruar me finesë e imtësi që vetëm një studiues i mirëfilltë si Qerim Vrioni di të përcjellë. Libri, i ndarë në rreth 10 kapituj, me një album fotosh të Kolë Macës, dhe një bibliografi botimesh vendase e të huaja, përbën edhe një mësim të hollësishëm të historisë së luftës për mbrojtjen e Shkodrës nga sulmi i forcave malazeze në vitin 1913, e parë kjo qëndresë nëpërmjet syrit të fotografit Kolë Maca.