Dr. Erion Dasho/
“Impossible is what we do best” e përkthyer në shqip “E pamundura është ajo që bëjmë më mirë”, ishte fraza që më ngeli në mend nga fjalimi i Presidentit Trump.
Jo aq në kuadrin e asaj që shprehu presidenti amerikan, por, në radhë të parë, për domethënien që kjo frazë bart për çdo përpjekje që nis në cilindo vend të botës, aty ku një forcë ngrihet kundër establishmenteve, diktaturave dhe aleancave okulte që ato krijojnë. Sidomos ka domethënie kjo frazë për vendin tim, për vendin tonë.
Në rastin e Shqipërisë, nuk do të kishte një frazë më të mirë për të përshkruar atë që e pret opozitën në zgjedhjet e 11 majit.
Nëse sheh mediat e blera të rilindjes, asnjë nga analistët puthadorë nuk i jep shans fitores së opozitës. Argumentet e tyre tashmë bajatë risillen rreth të njëjtave tema të cilat u transmetohen shikuesve me ritmin monoton të pikës kineze të ujit.
Sondazhet e blera me paratë e vjedhura të korrupsionit dhe ato të narkotrafikut mundohen të nisin që tani përpunimin e opinionit publik dhe flasin në një zë me të ashtuquajturit “opinionistë”.
Njëkohësisht makineria e manipulimit dhe tjetërsimit të votës ka nisur të veprojë përbindshëm. Patronazhistët, punonjësit e frikësuar të zyrave të shtetit, banditët e organizuar nga kapobandat e rilindjes kanë nisur nga puna për të vendosur nën kontroll edhe votën e të mërguarve, sikundër kanë bërë 12 vjet me votën e shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri.
Përshtypja që po përpiqet të futet me dhunë në mendjen e çdo shqiptari në Shqipëri apo mërgatë është se fitorja e opozitës është MISION I PAMUNDUR!
Pikërisht këtu vjen në ndihmë fraza-moto e Presidentit Trump:
E PAMUNDURA ËSHTË AJO QË BËJMË MË MIRË!
Kjo frazë duhet shndërruar në moto edhe të opozitës shqiptare, kur kjo e fundit të thërrasë për veprim votuesit shqiptarë në Shqipëri dhe diasporë.
Sepse nuk ka shqiptar që nuk e kupton sot se 12 vjet nën rilindjen dhe Boratin ishin 12 vjet hajdutëri, korrupsion, batërdi, narkotrafik, oligarki, dhe përçudnim i jetës ekonomike, politike dhe sociale të vendit.
Për këtë arsye shqiptarët do ta jetësojnë në 11 maj atë që sot paraqitet si e pamundur, ndëshkimin e diktaturës së rilindjes. Do ta ndëshkojnë diktaturën e bijve hajdutë, sikundër ndëshkuan para 35 vjetësh diktaturën e etërve gjakatarë.
Opozitarët dhe shqiptarët pikërisht këtë do të bëjnë më mirë, ATË QË DUKET E PAMUNDUR…