Nga MSc. Albert HABAZAJ*)/ kritik letrar/
Kam vite që e njoh Halil Bregasin dhe e respektoj si qytetar korrekt e serioz. Pak herë jemi takuar e përshëndetur në veprimtari atdhetare e kulturore apo edhe në ndonjë festë a ditëlindje. Para ca kohësh Halili, më ftoi për 76 vjetorin e lindjes, në një ceremoni me miq të afërt, por unë nuk munda të shkoja për arsye pune. Në mungesë e falënderova për respektin dhe e urova me shpirt.
Interesant! Që në takimin e parë me të, krijova përshtypjen se Halil Bregasi është njeri me kulturë, qytetar i mirë, i urtë dhe porsi ajo pema e pjekur ngarkuar me fruta, ai është i mbudhur me humanizëm dhe dashuri njerëzore.
Për mua, dr. Asqeri Llanaj dhe Halil Bregasi janë Cakrani në Vlorë, janë simbol i asaj treve të zjarrtë atdhetarie e kulture, janë bërthama e asaj energjie diellore që shpërthen mirësi dhe nderim për historinë, për jetën , patjetër dhe për të nesërmen.
Kush nuk e njeh doktor Asqeriun në Vlorë? Dentist i zoti, veprimtar i spikatur, shkrimtar i përkushtuar, Ndërsa Halili është njeriu me shpirt artisti deri më sot, se nesër…Nesër do ta kuptoni vetë, lexues të nderuar, ç’vlera të tjera ka, pasi ta lexoni këtë libër jetësor mjaft mresëlënës.Mendimi im klasifikon thellësinë e brendisë psikologjike e krijuese të këtij njeriu të veçantë në dukje e të bukur në thelb. Nuk mund t’i kuptoja të ndarë doktorin dhe Halilin; ata i shoh e i konceptoj vetëm së bashku, s’kanë kuptim veç e veç, plotësojnë njeri-tjetrin në veprimtaritë shoqërore-atdhetare. Ata më duken si vëllezër siamezë, në kuptimin më të mirë të fjalës dhe sa herë i shikoj të dy, më kujtojnë ato vargjet e famshme të Majakovskit…!
Në një shkrim të botuar në revistën serioze “Cakrani”, doktorin e kam quajtur trurin e shoqatës “Cakrani”, ndërsa shpirtin si motor i ndezur- Halil Bregasin.
Dhe tani, mendimi im për këtë njeri kërkon gjetje për klasifikim në brendinë krijuese të tij:
Halili më dorëzoi një material për ta parë.
-Vlen për t’u bërë libër, apo kam harxhuar fletët kot-, më tha
E lexova me respekt dhe me vëmendje materialin. Nis me një fllad lirik, me një udhëtim në tren.Thjeshtë, rrjedhshëm, natyrshëm, bukur. Nuk u bezdisa gjatë leximit, përkundrazi u ndjeva këndshëm. Ndoshta ngaqë udhëtimi në vetvete është shpalosje kënaqësishë romantike për njeriun, apo pse jo edhe Halili ka qenë shumë i kujdesshëm për ta vendosur fjalën, fjalinë e shprehjen atje ku duhet. Ndoshta siç thotë dhe vetë: “ Të tregosh, duhet të keshë parë dhe dëgjuar. Të shkruash atë që di, është shumë e vështirë. Të përshkruash atë që tregon, është edhe më e vështirë. Të gjtha këto përjetohen në punë e atij që shkruan”.
Ndoshta në Pogradec ai u fut në tempullin e Pegasit e takoi frymën e bekuar të Kutelit e Lasgushit. Që në fillim të leximit krijova ndjesinë se do të shpalosja faqe interesante, do të shijoja të gjitha ngjyrat e jetës të brezit bashkëkohës të autorit dhe rrethanave e se nuk do të shikoja vetëm bardhë e zi këtë ngastër toke, ku mbillet jetë.
Dhe nuk u zhgënjeva. Pashë një jetë të veçantë, të bukur në dukje, tërheqëse në skalitjen e botës së brendshme të personazheve që plotësojnë galerinë e librit dhe origjinale në trajtimin artistik e ndjesor të lëndës. Egziston e bukura. Është një thënie e lashtë , e urtë greke: “Nuk është e nevojshme të pishë një fuçi me verë, mjafton një gllënjkëz të kuptosh çfarë shije ka vera”.Është mëse e vërtetë kjo përvojë jetësore, prandaj edhe unë mund t’i them lexuesit të respektuar: Për të bërë vlerësimin kritik të librit të Halilit mjafton të hedhësh syrin e mendjes në një fragment kudo që ndalon dora dhe kupton se ke të bësh me një njeri që krijimin e ka në gen, se ke të bësh me një krijues me kulturë. Unë kapa këtë copëz nga shkrimi i tij : … “kodra e qytezës K është si një trëndafil në mesin e një lëndine të gjelbëruar nga bari…”. Një krahasim i thjeshtë, i bukur, si një fllad që buron natyrshëm ndër figurat stilistike që prodhon mendimi krijues i autorit H. Bregasi, të përcjell rryma të elektrizuara me art e shije estetike të këndshme, romantike, për të zbukuruar jetën, për të zbutur konfliktet, në funksion të mirësisë njerëzore.
Personazhe si Aleksi, Vasili, Maria, Abdullai, Engjëllushja, xha Isufi etj. më duket sikur i njoh, sikur diku i kam parë. Në fakt unë nuk i njoh, por pena sqimatare e Halilit i ka skalitur aq vërtetësorë, saqë më duken realë, sikur jemi takuar, grindur e pajtuar, sikur kemi pirë së bashku e jemi gëzuar. Por përveç se te libri i Halilit nuk jemi parë ndonjëherë.E kjo është një vlerë e brendshme që autori H. Bregasi ka ditur ta menaxhojë si nikoqir i mirë i fjalës, i situatave e ngjarjeve ku shpalos karakteret dhe botën e pasur që mbartin psikologjikisht dhe shpirtërisht personazhet simpatikë që ai krijuar. E kjo është vlerë për autorin. Dhe ai meriton përgëzime. Ky libër, përveç vlerave artistike e njohëse, ka ndërkohë një kod moral që duhet respektuar për të ndërtuar çerdhen e ngrohtë familjare, ku lulëzon respekti për veten, për familjen, për dinjitetin moral e dituror, për mirënjohjen ndaj mësuesëve, për përuljen para bibliotekës si para Zotit. Mesazhe të larta humane po përçon me librin e tij ‘‘Tri dasma në një’’autori Halil Bregasi. Këto mesazhe janë ajo frymë e pastër që kthjellohet nga tre degë të gjelbëra e të shëndetshme: besimi, shpresa e dashuria e trungut të fuqishëm familjar: Aleksandër – Ëngjëllushe, me rrënjë të thella e të pashkulshme nga asnjë tramundanë, sepse Abdullai me Margaritën janë magjia shëruese dhe magma e shëndetit të bukur që mban çdo çift shkëlqimplotë si margaritar. Ata nuk kanë as më të voglin kompleksitet fetar, e ky fakt ka shumë vlera qytetare, se harmonia është një pasuri e madhe, e pazvendësueshme për njeriun, që të zbukuron dhe të zgjat jetën.
Autori nuk përdor asnjë mjet artificial në dramën e rrëfimit. Përmbajtja zhvillohet lirisht, në mënyrë të natyrshme nga vetë thelbi i jetës që vizaton, sipas ligjeve të pandryshueshme të domosdoshmërisë. Pasi përfundova “Tri dasma në një ”, mu kujtua një thënie e V.G.Belinskit: “Ai nuk ka ideale në kuptimin e zakonshëm të fjalës: njerëzit e tij janë njerëz të vërtetë, ashtu siç janë, siç mund të jenë”.
Me përulje të sinqertë ndaj penës së Halilit, se me zbardhëllim të ndritshëm, na paraqet tre linja, tre pamje, tre konflikte, një çift që do të mbjellë pranverën e jetës së çiltër, i them lexuesit: do të ndjesh kënaqësi gjatë leximit. Sinqerisht edhe një herë e përgëzoj Halilin për këtë libër me vlera njohëse, edukative, morale, shoqërisht i domosdoshëm, sidomos sot. Figurat letrare i përdor me kursim dhe në vendin e duhur, atëherë kur kërkohet, që lexuesi ta shijojë librin e tij si një bukë e ngrohtë gruri .Nuk kemi figura qiellore, por është pikërisht aq sheqer stilistik, i ngjyer në shpirtin e tij, që ëmbëlson lexuesin serioz dhe sot. Personazhi i Aleksit është krijuar me ngjyra arti e lëng jete dhe arrin të marrë admirimin tonë. Më shkon ndërmend të heq paralele midis Aleksandrit dhe … po, më mirë të mos ndikoj te lexuesi; të gjykojë vetë ai se me kë ngjan simpatiku Aleks. Libri “Tri dasma në një” i autorit Halil Bregasi, plotësohet me vëllimin e dytë me titullin e pjesës: “Guri – i rëndë në vend të vetë”. Në këtë libër, të sapodalë nga botimi, ravijëzohen dhe kthjellohen mesazhet letrare, njerëzore dhe filozofike, sepse është bërë universale thënia e bukur e poetit të madh hungarez, 26 vjeçarit Sándor PETÖFI (01. 10. 1823 – 31. 07. 1849): “Për dashurinë jap jetën, për Adheun jap dashurinë” dhe funksionon me fisnikëri qytetare.
Vlorë, 26. 03. 2014