
Drejtori Ekzekutiv i IKKL-së/
Është kënaqësi që sot, në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, të flas në tempullin e demokracisë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në një ngjarje që bashkon tri shtylla themelore të shoqërive të lira: të vërtetën, kujtesën dhe drejtësinë.
Kjo ekspozitë e organizuar nën patronatin e Presidentes së Republikës nuk është vetëm paraqitje vizuale e së kaluarës sonë të dhimbshme, por akt institucional i kujtesës, thirrje për përgjegjësi dhe dëshmi e fuqishme se krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nuk harrohen, por vazhdojnë edhe pas më shumë se një çerek shekulli liri, të jenë plagë të hapura që kërkojnë drejtësi.
Pra, video- dhe fotomaterialet që shpalosen sot para jush nuk janë thjesht imazhe, por janë zëra të ngrirë në kohë. Janë jetë të ndërprera dhunshëm, familje të shkatërruara, fëmijë, gra, burra dhe të moshuar që u bënë target i një represioni sistematik dhe të organizuar nga regjimi serb.
E Instituti ka për mision që zërat e viktimave t’i rikthejë në vëmendjen publike vendore e ndërkombëtare, duke mos lejuar që e vërteta të mbulohet nga harresa e heshtja, si format më të rrezikshme të mohimit.
Fatkeqësisht, edhe sot, 77 vjet pas miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, bota ende përballet me luftëra dhe shkelje të të drejtave njerëzore.
Andaj ngjarje si kjo e ditës së sotme, vënë në pah se Kosova e di shumë mirë çmimin e lirisë, peshën e dhimbjes dhe faktin se kujtesa jonë nuk është vetëm emocionale e personale, por edhe publike e shtetërore.
Dëshmitë e paraqitura këtu janë pjesë e një procesi të gjatë dokumentimi dhe hulumtimi, që synon ruajtjen e kujtesës. Sepse pa kujtesë të së vërtetës nuk ka
drejtësi, e pa drejtësi nuk ka paqe të qëndrueshme.
Të nderuar miq ndërkombëtarë, si rezultat i mbështetjes suaj të vazhdueshme, ne besojmë se e vërteta për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, e dokumentuar me standarde të larta etike dhe profesionale, do të rrënjoset edhe si pjesë e kujtesës
evropiane e globale, sepse kjo e vërtetë nuk është vetëm plagë e Kosovës, por plagë
e ndërgjegjjës njerëzore.
Për këtë arsye, jemi të bindur se puna dhe detyra jonë si shoqëri, nuk është vetëm akademike apo institucionale; por thellësisht humane dhe
fisnike.
Në fund, dua të theksoj se kjo ekspozitë është një hap i vogël i një procesi të gjatë që kërkon durim, guxim dhe përkushtim shoqëror e institucional.
E vërteta do të vazhdojë të flasë.
Kujtesa nuk do të heshtë.
Dhe thirrja për drejtësi nuk do të ndalet.