Nga Kastriot MYFTARAJ/
Tom Doshin e “vranë” në 24 qershor 2013, të nesërmen e ditës së zgjedhjeve, që i dhanë pushtetin partisë që ai mendonte se ishte e tija. Thellë-thellë Tomës në mendjen e tij që atë ditë iu krijua përshtypja se sytë e “shokëve”, të cilët deri atëherë e shikonin me miqësi të shtirur, befas nisën t’ u ngjajnë tytave të armëve. Të shikoje ata sy, ishte njëjtë si të shikoje në thellësi të grykës së një arme. Kur shikimi i Tomës u ndesh me atë të Edi Ramës, sytë e këtij të fundit, sikur deshën t’ i thonë: “Pse je ende gjallë o njeri? Ti duhet të kishe vdekur në 21 janar 2011, në trotuarin përpara ndërtesës së Kryeministrisë. Unë prandaj të çova atje që të bëje kinse se po e përmbaje turmën. Unë shpresoja që të të vrisnin ty dhe pastaj me trupin tënd mbi krahë malësorët që kishe sjellë ti të hynin brenda në ndërtesë për të kapur Sali Berishën, i cili për të shpëtuar duhet të bënte një mal me kufoma, siç kisha parashikuar unë një ditë më parë, në Top Story të Sokol Ballës. Më zhgënjeve Tomë që nuk u vrave atë ditë. Unë e bëra Megi Ajtyresën zëdhënëse të partisë, dhe e udhëzova që të fliste në gegërishte shkodranishte të theksuar, që të ishte ajo që do ta njoftonte vdekjen tënde se kështu do të përjetohej më fuqishëm në Veri. Ndoshta ti e kuptove se nuk u riktheve te muri rrethues i Kryeministrisë, si Besnik Bare. Nëse ti Tomë do të ishe vrarë atë ditë, unë do të kisha eliminuar Berishën dhe Metën dhe sot fitorja jonë do të ishte krejt e ndryshme, jo e helmuar si kjo e 23 qershorit, rezultati i së cilës na mban peng të LSI-së.”
Kodet e komunikimit që veprojnë në Partinë Socialiste që nga origjina e saj në 8 nëntor 1941, bënë që të gjithë në parti ta kuptojnë që në 24 qershor se midis kryetarit dhe Tomës diçka e pariparueshme ishte thyer. Kështu që Toma u gjend befasisht para një skuadre “pushkatimi” të përbërë nga shokët e deridjeshëm. E vranë me shikime ma zi se plumbi. Toma, burri i fortë malësor katolik, verior, u duhej në Partinë Socialiste sa kohë që Sali Berisha ishte në pushtet. Tashmë që Berisha kishte humbur pushtetin, Toma nuk u duhej më. Nuk kishte vend për Tomën në PS-në në pushtet. Te shikimet e “shokëve” kishte ndryshuar diçka. Këta shikime ishin si smoking guns plumbat e të cilave kishin qëlluar trupin e Tomës. Ata e qëlluan të gjithë Edi Rama, Saimir Tahiri, Gramoz Ruçi, Elisa Spiropali, Erion Veliaj, Dash Peza. Ilir Meta qeshte. Toma i ndjeu “plumbat” e shokëve një nga një në trup. Tashmë për Partinë Socialiste, për kryetarin e saj, Tomë Doshi që kishte ekzistuar deri në 23 qershor kishte vdekur. Nëse ai do ta pranonte këtë shndërrim të tij, dhe do të përshtatej me gjendjen e re, aq më mirë. Nëse jo, aq më keq për të. Pra Tomës i kërkuan që të jetonte politikisht si zombie.
Ashtu si ata personazhet e filmave horror të cilët mendojnë se janë ende gjallë pasi i kanë qëlluar për vdekje, edhe Toma mendoi se vazhdonte të ishte ende gjallë politikisht ai Toma që kishte qenë, politikani më i fuqishëm socialist i Veriut. Duke menduar se vazhdonte të ishte ende gjallë politikisht ai i fliste Kryeministrit Rama, ministrave socialistë me autoritetin e Tomës së dikurshëm. Për një periudhë ata e dëgjonin, por duke e parë me habi, ashtu siç shihet një njeri për të cilin kemi qenë të sigurt se ka vdekur tashmë. Me kalimin e kohës, ata nisën të mos i përgjigjen Tomës kur ai iu telefononte dhe kjo iu dukej si gjëja më normale në botë. Të vdekurit nuk telefonojnë. Aq më pak të vdekurit politikisht.
Kur Toma mësoi se ndaj tij ishte organizuar një atentat, ai thellë-thellë në mendjen e tij, u lumturua. Kjo provonte se ishte ende gjallë Toma i dikurshëm. Ajo që nuk kuptonte Toma ishte kur ai përpiqej të sillte prova se ndaj tij ishte organizuar një atentat, nuk bënte gjë tjetër veçse vërtetonte se Toma i para 24 qershorit 2013 nuk jetontë më. Kur Toma përpiqej t’ i provonte Edi Ramës se kishte dashur ta vriste Ilir Meta, Edi Rama e shikonte si t’ i thoshte: “Çfarë je duke folur o njeri?! E ku është parë e dëgjuar që të vriten të vdekurit. Ty të vramë në 24 qershor 2013!”
Tjetër gjë thoshte goja e Edi Ramës, tjetër gjë thoshin sytë e tij. Kur Toma thoshte se kishin dashur ta vrisnin njerëzit e Berishës, Edi Rama dhe Saimir Tahiri qeshnin duke menduar se Berisha nuk mund të vriste një të vdekur.
Vetë fakti që vrasësi i paguar për ta vrarë Tomën u pendua dhe vendosi që të heqë dorë nga atentati, një detaj ky me të cilin Edi Rama e ka ironizuar shumë Tomën, në fakt, fiton koherencë logjike nëse kihet parasysh se edhe vrasësi i paguar e dinte se Toma i dikurshëm nuk jetontë më. Në një moment ai i ka thënë vetes: “Çfarë je duke bërë o njeri, ke marrë para për të vrarë një njeri i cili nuk jeton më?!”
-Por, i pandehur, a mund të na thuash se përse kur të takoi Tom Doshi i bëre ato pohime që gjenden në videoregjistrimin e tij?- E pyesin prokurorët vrasësin.
-Si t’ u them, zoti prokuror. Ai ishte Toma dhe nuk ishte Toma. Unë mendova se është e parrezikshme që të thuash se të kanë paguar një njeri i cili nuk jeton më. Në të vërtetë, edhe kur Toma më takoi me Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, e ndjeva se ata nuk iu besonin fjalëve të mia, pikërisht se nuk besonin që Toma ishte ende gjallë. Aq sa mua më erdhi që t’ i them Tomës: Tomë që këta të më besojnë mua, ti duhet t’ i bindesh se je gjallë!
Nga deponimi në Prokurori i deputetit Mark Frroku:
-Z. deputet, a i keni thënë ju z. Doshi vitin e kaluar se ndaj tij është organizuar një atentat?
-Më falni zoti prokuror, por miku im z. Doshi nuk jeton më që nga 24 qershori i vitit 2013. Si mund t’ ia thosha unë një gjë të tillë atij në vitin 2014?
-Këtë e dimë të gjithë z. deputet, por kemi urdhër që të bëjmë një hetim për këtë çështje. Edhe pse na duket se po merremi me okultizëm, do ta çojmë hetimin deri në fund.
Nga deponimi në Prokurori i Sali Berishës:
-Z. Berisha, ju keni thënë që keni qenë prej disa muajsh në dijeni të atentatit të organizuar ndaj z. Doshi. A mund të na thoni se si keni ardhur në dijeni?
-Më ndëgjoni me vëmendje mue ju zotërinj prokurorë. Ju e dini se ka një gjuhë juridike dhe një gjuhë politike. Unë e di se Tom Doshi nuk jeton më që prej 24 qershorit 2013, por politikisht më intereson që të shtirem sikur besoj se ai jeton ende. Jo, ju lutem, më thoni ju mue se çfarë ligji kam shkelur në këtë rast. Edi Rama dhe Saimir Tahiri thonë se janë të bindur që ndaj Tomës nuk është organizuar një atentat, por nuk e thonë se kjo bindje ju vjen për shkak se për ta Toma nuk jeton më që prej 24 qershorit 2013. Jo, ju lutem shumë, këtu është çelësi i kësaj historie. Përse nuk e pohojnë ata këtë dhe të sqarohet çdo gjë! Tani më thoni ju mue, se a nuk kemi ne të drejtë si opozitë, që këtë ngatërresë që ka bërë qeveria ta përdorim politikisht. E keni dëgjuar ju këngën për Tomën ku ai më drejtohet mua duke më thënë “T’ u rritë jeta Sali Berisha/qeverinë sonte ta prisha!” Është kënduar në natën e 23 qershorit duke u gdhirë 24 kjo këngë. Më kanë ardhur të gjitha të dhënat mue! Toma nuk e dinte se ata për llogari të të cilëve e prishi qeverinë time, pas kësaj do ta prishnin vetë Tomën. Dhe e shikoni se çfarë kërkon të bëjë tani Edvin Kristaq Rama? Pasi e vrau Tomën e para 23 qershorit në korridorin e selisë së PS-së, tani kërkon që ta “varrosë” politikisht në oborrin e SHQUP, më falni të selisë së PD-së. Jo, ju lutem shumë, pse nuk bëni hetime ju për këtë. I kam dhënë mbështetje të palëkundur Prokurorisë për hetimin e kësaj çështjeje, por nuk mund të hesht para këtyre të vërtetave të mëdha. Tani qw e niswt kwtw hetim, / shkoni deri nw fund. Ju garantoj unë juve se në fund do të vërtetoni se Tomë Doshi për herë të fundit është parë duke hyrë në zyrën e Edvin Kristaq Ramës në 24 qershor 2013, dhe që andej nuk ka dalë më.
Nga ripyetja e z. Doshi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pas pyetjes së politikanëve të lartë:
-Z. Doshi, ky hetim mund të përfundojë në dy mënyra. E para, është ajo kur do të konkludohet se fakti nuk ekziston, domethënë se meqënse Tomë Doshi nuk ekziston më që nga 24 qershori 2013, nuk mund të jetë organizuar atentat ndaj tij në 2014. Mënyra e dytë është që hetimi të konkludojë se ju me vetëdije keni dashur të sajoni historinë e një atentati kundër jush, me ç’ rast keni konsumuar disa vepra penale, që dënohen me burg. Përvec dëmshpërblimit që keni detyrim t’ u paguani të dëmtuarve që kanë të drejtë të ngrenë padi civile ndaj jush për dëm moral. Tani zgjidhni e merrni se cilën mënyrë pëlqeni ju.
Nga biseda e dy pleqve të moçëm në Mal të Kolajt, Shkodër, vendlindja e Tom Doshit, duke dëgjuar këngën për Tom Doshin, gjatë fushatës zgjedhore të qershorit 2013:
“Për Tom Doshin kndohet kanga/T’u rritë jeta o Edi Rama./Fitoren e kena n’ dorë,/kena me pa në 23 qershor!”
-Si po të duket kjo besa që ka lidhë djali i Gjekë Doshit me Edi Ramën o Dedë! Thonë se asht krahu i djathtë i Edi Ramës, e se ky i ka thanë se kur të jetë ai kryeministër, është njëjtë si me qenë edhe Toma bashkë me të.
-Çka me të thanë o Pal, ua ka thënë ma bukur Prek Cali atyre që donin të merreshin vesh me komunistët se me lidhë na katolikët besë me atë parti, që ka në krye Edi Ramën sot, është si me lidhë gjarpnin si shall rreth qafës. E tash të shohim se sa mirë ka me i ndejt Tomës në qafë ky shall me të cilin ashtu tuj u krekosë, Veç të shohim se mos nis e pisket se ia bani gjamën miku.
agimi says
Me pelqeu shume.Keni te drejt, Toma ishte denuar me 24 Qershor.
Ai,Toma asht denu ne ate dite si prej socialisteve te cileve i dha fitoren por njikohesisht nga i gjithe shqiperia dhe sidomos nga veriu,pse gjithe kohen ka qene kunder komunizmit.
Toma duhet te marre ndeshkim te rande qe per interesat personale na solli sistemin e felliqur perseri.
Ra ne gracken e Edi Rames me shoke.