Opinion nga Hakik MENA/
5 Maj, dita e cila u zyrtarizua dhe u përkujtua si e tillë me triumf proletar para ‘90-ës prej diktaturës sllavo-komuniste, fatkeqësisht vazhdon me te njetin popmpozitet. Edhe ky 5 Maj I 2016-tës, pothuajse me të njëjtën mënyrë, tendencë dhe pompozitet, e ka festuar edhe produkti “Katovician”, përgjegjës i tranzicionit të tejzgjatur të pas ’90-ës.
Por këta “dëshmorë” (nëse ka pasë të tillë ), për çfarë ideali luftuan vallë?!
Për pushtimin e shqiptarit nga sllavo-komunizmi?! Për vrasjen , zhdukjen dhe ndjekjen e elitës nacionaliste?! Për burgosjen dhe internimin e ajkës së familjeve patriote shqiptare?! Për krijimin e njeriut të ri socialist që deri në fillim të viteve ‘90, mendonin se thënia: “Vëllezërit kinezë dhe miqtë kosovarë”, është korrekte ?! Për të lënë fëmijët jetimë me baballarë gjallë, të cilët rrugëtonin me ditë të tëra për t’i takuar ata në burgjet e tmerrshme të Spaçit, Burrelit etj?! Për futjen e thikës mbas shpine Kosovës?! Për prerjen në besë të vëllezërve tanë shqiptarë në Kosovë ?! Për lejimin e ekzekutimit të 5000 vëllezërve tanë në Tivar?! Dhe më në fund për shpërfytyrimin e shqiptarit prej gjithçkaje që e identifikonte atë?!
Tani, nëse këta dëshmorë dhe shokët e tyre, u vranë e sakrifikuan për çfarë u parashtrua më sipër, atëherë jo vetëm që nuk janë dëshmorë, por përkundrazi tradhtarë! Dikush me vetëdije e dikush pa vetëdije! Ata mund të konsiderohen maksimumi si “dëshmorë të komunizmit”, megjithëse mjaft prej tyre nuk kanë pasë ide as se ç’ishte komunizmi. Në fund të fundit, për çfarë vlejti sakrifica e tyre? A u bë kombi shqiptar më i lirë, më i begatë e më i bashkuar? Apo u transformua në një burg të frikshëm, për 3 milion shqiptarë brenda skëterrës “enveriste” e njëherësh në një thertore etnike në mostrën me emrin Jugo-sllavi!
Historia 46-vjeçare e pushtetit komunist tregon se “dëshmorët” ishin njëlloj si shokët e tyre që mbijetuan deri në rrënimin e sistemit të kuqove në 1990, pra kriminelë, vrasës sadistë, persona të zhveshur nga çdo veti njerëzore. Në kuptimin politik, komunistët, partizanët, dëshmorët e tyre dhe veteranët më pas, janë fenomeni më regresiv që është shfaqur ndonjëherë në trojet mbarëshqiptare. Një bandë gjakatare që rrënoi themelet e kombit dhe që mbolli zi, dhunë, përçarje e skamje për gjysëm shekulli pa ndalur. Mjafton të lexosh deklaratat dhe kujtimet e shokëve të tyre të armëve, që e pësuan personalisht prej sistemit për të cilin luftuan dhe sakrifikuan, që të bindesh për këtë. Koha tregoi se sistemi komunist për të cilin luftuan e u vranë dëshmorët, ishte një regjim antinjerëzor, i cili nuk kurseu asnjë shqiptar. Prandaj një “ide” kriminale, një “ideal” vëllavrasës, një regjim gjakatar, që kreu gjenocid mbi shqiptarët, një sistem që mbolli veç zi, varfëri e uri masive, nuk ka sens logjik të nderohet apo propagandohet.
Për këto arsye, e shoh si një provokim të vazhdueshëm të ndjenjave të mbarë shqiptarëve nacionalistë, angazhimin e vetë shtetit për pompimin e një date dhe simbolike, e cila i ka sjellë kaq dëme e fatkeqësi këtij vendi.
***
Nuk ka ilustrim më të plotë për të dëshmuar natyrën vrasëse, kriminale dhe antishqiptare të luftës pushtuese sllavo-komuniste, se sa kjo vjershë (këngë) që po postoj më poshtë, e cila u dedikohet të parëve të familjes time Mena të Lurës. Në vitin 1945, njëmbëdhjetë burra të shtëpisë, rrokën armët e dolën në mal, sepse nuk u pajtuan me sistemin sllavo-komunist. Më i moshuari prej tyre, Selman Mena, ishte pothuajse 70 vjeç… Ata martirë të kombit nuk pranuan të nënshtrohen ndaj pushtetit antikombëtar komunist, por zgjodhën me vetëdije sakrificën me jetë e gjithçka, vetëm për të jetuar të lirë. Ideali i lirisë kombëtare, apo vetjake, është ajo çka e dallon rodin njerëzor nga çdo gjë tjetër.
Kështu, pas gati dy vitesh rezistence me armë në dorë kundër batalioneve të Sigurimit, Selmani (baba), Hasani, Tahiri, Lami, Selmani, Bajrami dhe Qazimi do të vriteshin në përpjekje.
Aliu, Isaja, Mexhiti dhe Ramizi do të provonin burgjet e tmerrshme të para të sllavokomunizmit, prej të cilëve, Aliu nuk arrin të dalë i gjallë. Dyshohet të jetë vrarë prej komandës së burgut. Isaja del, arratiset, e vritet në kufi. Mbijetojnë vetëm Mexhiti e Ramizi, të cilët do të provonin të gjitha vuajtjet e ferrit komunist .
Pra:
9 burra të nji familje të vrarë;
2 të mbijetuar, të cilët do të vuanin përkatësisht 15 dhe 10 vjet burg politik, pa llogaritë këtu internimet e tyre e të gjithë familjarëve!
Sot, për herë të parë po postoj të gjitha fotot e tyre në Facebook.
Pra, kur kujton raste të tilla të krimit komunist, mua si pjesëtar i nji familjeje të martirizuar siç thashë më sipër, vetvetiu më vjen t’u drejtohem autorëve të propagandës me “dëshmorë”, me këtë thirrje:
O ju derra shërbëtorë të sllavokomunizmit, o ju palaço, o ju kriminelë, o ju të paftyrë, o ju zhele, o ju morra të kuq, o ju fëmi zboristash, o ju bij të etërve… nuk po ju thotë kush të mos hani vidhni e zhyteni në llumin tuaj tradicional proletar, por të paktën tash mbas 70 vjetësh, mos çorodisni popullin me data të sajuara historie! Lejoni historianët e vërtetë, seriozë, profesionistë, të bëjnë punën e tyre e të ftillojnë popullin e shkatërruar, të trullosur dhe të çoroditur shqiptar, të vijë në vete! Mjaft me gënjeshtra e spekulime propagandistike të kohës së komunizmit, të cilat sot i gjen vetëm në Korenë e Veriut!
Në këtë kontekst, edhe një pyetje që desh e harrova për pak: Kta të PD-së ç’deshën vallë në këtë “festë”?!
Kjo vjershë (këngë) është shkruar në ditën, kur janë vrarë 4 pjesëtarët e parë të familjes Mena. Vjersha eshte marre prej librit “Kenge Popullore Te Ndaluara” me autot Z. Fatos Mero Rapaj.
NË DHJETOR DYZETEGJASHTË
Në dhjetor dyzetegjashtë,
u hap lajmi me çdo anë,
se komitat n’Mat kanë ra,
poshtë nën Lis vend kanë qânë,
aty një rrethim u paskan bamë;
Janë MENET, paskan thanë.
Krisi pushka anë e mbanë.
Selman Mena paska thanë;
pushka t’parin mu me m’marrë,
sak Selmanin e kanë vramë,
fjalën e fundit ai ka thanë:
“Mos dorëzoni or djem të gjallë”.
Kur ka thirrë Bajram Mena,
gjithë komunistve u ka hy tmerra.
Por, ç’po thotë e zeza gojë,
Plumbi trimin e përshkoi,
dhe prapë pushka nuk pushoi.
Luftoi sa gjaku i ka shterrue,
të gjithë vllaznit janë grumbullue,
mitralozët i kanë pushue,
dhe rrethimi pak asht largue.
Porsa pak u kanë lirue,
dy kamët Lamit ia kanë coptue,
Aliu shpejt ka dash me u çue:
Ju bre vllazën me m’lishue,
se besa e Zotit s’kam me u turpnue…
Dhe për mue mos hidhni lot,
veç shtrëngoni armët fort,
Ja kështu pra unë po ju thom,
Mati e njef trimninë tonë,
katër luftëtarë në Mat i lamë.
Filluen pyjet me gjelbrue,
ata t’shtatë që kanë shpëtue,
malli fort i ka mallzue,
në pllaje t’Lurës janë nis me shkue.
Se n’atë pyll nji vit ma parë,
t’njimbdhet bashkë kishin banue.
Mbas nji dite tu qendrue,
keqas shumë i kanë rrethue,
asnji i gjallë mos me shpëtue.
Nji thirrje u ba nga partizanë:
S’keni ka t’delni u kanë thanë.
Bajram Mena tha nji fjalë:
Nuk dorzohna asnji i gjallë,
veç me luftë e ballë për ballë.
Ali Mena trim drangue,
jashtë rrethimit paska qellue,
Roje larg paska qellue.
Kur asht kthye n’vend me pa,
partizanët n’kamb janë çue:
“S’ke ku shkon-i thanë-se je i rrethue”!!!
Pushka Aliut i asht ngatrrue,
me rrovole ka luftue,
shtegun shpejt ia kanë lirue.
Dhe me vllaznit kur asht bashkue,
kush asht vra e kush ka shptue.
Por Ramizi i ka thanë,
Tahirin vlla na e kanë vramë,
kur na dha neve komandë:
“Yrysht vllazën të gjithë në kambë,
komunistët me i ngranë me dhambë.”
U ba përleshje ballë për ballë,
gjer sa mbeti Tahiri i vramë.
Çfarë me thanë e me tregue
edhe njëherë janë betue,
dhe rrethimin e kanë shkatrrue.
Aty Qazimi asht plague,
Për të vdekun e kanë lishue,
Por ma vonë trimi asht çue,
Mal me mal paska kalue,
te Dodë Prenga ka qendrue.
TRAGJEDI E FAMILJES MENA
1) Selman Mena nga Lura, bajraktar, vritet i rrethuar në Janarin e vitit 1946, sëbashku me tre djemtë e tij: Hasanin, Lamin, dhe Manin.
2) Bajram Mena nga Lura, ish kapiten në gardën ushtarake të Mbretit Zog.
3) Ali Mena, i dënuar me burg të përjetshëm, më vonë helmohet nga organet e Sigurimit.
4) Ramiz Mena, nga bajraku i Lurës, dënuar dhe internuar nga pushteti komunist.
5) Tahir Mena, ish kapiten i Gardës mbretnore, komandat çete t’arratisurish, vritet në rrethim.
6) Qazim Mena, vritet i rrethuar në Pllajë të Lurës në maj të vitit 1947.
7) Dod Prenga, mik i Meneve dhe strehues i tyre, nga Kumbull Selita….