Nga Fritz RADOVANI/
I madh e i vogel po thrrasin dhe po shkyhen “të korrigjohet historia!..” ndersa, “prof. dr. e akademikët” tanë vazhdojnë punen e vet. Asht kenë një thanje e vjeter në Shkoder që përdorte gjyshja “folë se po t’ ndigjoj!”. Një “ide” e pelqyeshme nga “dijetarët” po, por edhe per politikanët që janë të gjithanshem: Dijetarë, historianë, specialistë, komunistë, demokratë, dogmatikë, liberalë, monarkë, republikanë, malokë, qytetarë hambaj, druevarë e “simbas vendit bajnë kuvendin…” Ka prej tyne që me i pyetë: “Sa here asht mjelë lopa në kooperativa bujqësore?” edhe até e dijnë, edhe pse në shkollat e PPSh landa kryesore ishte historia e partisë dhe veprat e “shokut” Enver, sidomos “Shenime per Lindjen e Mesme”.
Një pjesë e atyne që e kanë shkrue “historinë e Shqipnisë” të viteve 1944 erdhen nga mali, ishin “partizanë” dhe nuk quheshin ma malokë, se menjëherë ata ndjekën kurset e analfabetëve dhe fjalët e para që mësuene me shkrue ata ishin “tiTo, Stalin, enver!”. Vetem emnin e Stalinit e kanë shkrue gjithmonë me shkronjë të madhe, aqsa edhe na u plakem tue kujtue se Stalini duhet të jetë kenë gati dy meter i naltë, e në të vertetë ai ishte kenë shkurtabiq…Per Titon dinin se një “T” asht i madh, po i pari apo i dyti nuk kishte randsi. Emnin “enver” e shkruenin me shkronja të vogla se ishte ma i “vogli’ nder ta, por nuk shkoi gjatë e ky ma i vogli filloi me u shkrue me të gjitha shkronjat e “mëdha” se ndryshej të ikte kaptina. Deri tash vonë disa prej tyne edhe emnin e mbreti Zogu I e kanë shkrue “zogu 1”, se i dukej emen shpendi dhe per mos me perdorë numrat romakë (që ishin të mbretit italian) vinin numurin 1, se “mbreti ynë” asht me numur arab e jo me numra latin a perëndimorë, kështu mund ta gjeni të shkruem derisa u hap universiteti i Tiranës, bazat e të cilit i vuni Haxhi Qamili, per të cilin Enver Hoxha, thonë “dijetarët” tanë se, e ka cilësue në Fjalorin Enciklopedik të Akademisë së Shkencave të RPSSH, në vitin 1985 (edhe pse ai kishte ngordhë) me këto fjalë fq. 886: “Fshatarët kryengritës e zgjodhën Haxhi Qamilin komandant të pergjithshëm si njeriun më të besuar, më trimin, më të vendosurin, më të thjeshtin…” (E.H. Vepra, vëll. 23, fq. 141).
Po a guxon kush me i ndryshue këte “perkufizim” sa të jetë gjallë Nexhmije kobra!?
Disa të tjerë filluene me shkrue per luftën kur ngjarjet e Mukjes e të Bujanit ishin mbushë me emna “tradhëtarësh” e nuk dinin se me cilat shkronja duhen vue, me të tonat latine apo me shkronja cirilike, mbasi aty nga 1946 erdhen disa kuadro të “nalta” nga Beogradi dhe prap, edhe ata që erdhen nga Moska stalinjane nuk bane ndryshime.
Shpresa e “ndryshimeve” nder ato dokumenta nuk mund të pritet nga “vëllezërit e gjakut” as nga “korrigjimet” e tyne, derisa të perfundojnë studimet ata studentë që po ndjekin shkollat kineze me porosi të ishkryeministrit, i cili si duket kerkon që historia e Shqipnisë me u ba e njohun edhe per “vëllezërit e kinezë”, mbasi ai vetë zenë disa faqe aty me veprat e tija “revolucionare komuniste” kur ka luftue fenë në 1967…po cilen fe ka luftue nuk mund t’a percaktoj pa u shkrue historia me shkronjat e Mao Ce Dunit.
Disa të tjerë minimizojnë edhe vetë komandantin e luftës nacional – çlirimtare që “luftoi” në të gjitha qytetet e fshatrat e Shqipnisë kunder armiqëve të mbrendshëm, e kur ishte rasa edhe të jashtem “shokun” Enver Hoxha. Askush nuk shkruen se ai kur “luftoi” në Durrës, Shkoder dhe Gjinokaster ka vra disa rob gjermanë, madje edhe dy klerikë misjonarë t’ardhun nga Gjermania që në 1917 si Don Alfons Trackin dhe At Zef Maksen, se jo vetem, hapne shkolla Shqipe këtu, po edhe ndihmuen në shpëtimin e jetes së disa komunistëve ndër kampet e shfarosjes gjermane… e këte Ata, e bane kunder gjermanëve t’ ardhun këtu nga Atdheu i tyne… per të na shpetue njerzit tanë!
Pse historianët tanë nuk e justifikojnë “të pakten” këte veper tue tregue se Enver Hoxha vrau edhe dhandrrin e vet që i shpetoi koken e tij, apo kanë frikë se Shqiptarët do të thonë me zemer: “Atij mirë ia bani që shpetoi një terrorist anadollak të pashembullt në Historinë e Shqipnisë, që masakroi e shkatrroi një popull per gati 70 vjet me pasuesit e vet tradhëtarë!”… Në fund të fundit edhe kjo asht “meritë” e komandantit…
Historia e Popullit Shqiptar sot mund të shkruhet nga studjues vullnetmirë, të cilët kanë të gjitha përgatitjet e duhuna per një veper të tillë Atdhetare, mbasi brezi i ri po vazhdon me u drogue nga ideologjia marksiste që asht në të gjithë materialet historike, tue përfshi edhe mjaft nga ata që janë shkrue kjoftë edhe jashta Shqipnisë nanë, nder troje të fqinjëve të pushtuem. Disa materiale të shkrueme nga studjues edhe pertej oqeani janë aq të gjymtueme dhe të pasakta sa as nuk vlejnë me u zanë me gojë. Nuk u mungojnë arkivat sa i pengon “angazhimi” i vetë, vullneti per punë të mira e të sakta…pa demagogji!
Kjo më ban me mendue se historianët tanë duhet të çveshen plotsisht nga ndjenjat e tyne personale dhe mundsisht edhe kombtare para se t’ulen me marrë mundimin me shkrue HISTORI. “Kombtare” e thashë gabim, se në atë çeshtje janë kenë të çveshun madje, “lakuriq” me kohë e me vakt, mbasi po t’ ishin pak “shqiptarë”, nuk do të lejoheshin me shkrue jo histori, po as me iu afrue dyerëve të shkollave të nalta, se, per tituj jo se jo!
Ata që ishin komunistë apo agjenta të sigurimit të shtetit, që u shperblyen me tituj dhe dekorata per gënjeshtra, shpifje dhe mashtrime që i bane Popullit Shqiptar per njëgjysë shekulli, kjoftë edhe nder katedrat e pameritueme të universitetëve shqiptare, ata lè të merren me politikë dhe të formojnë “parti” të reja të tipit arab, turk, mongol, etj…po mos të guxojnë kurrë me kthye as sytë e tyne “shakshi” që u janë shtrembnue tue i sjellë herë nga Lindja dhe herë nga Jugu, por kurrë nga Europa, së ciles, i perkasim né e që, endè nuk e dijnë se edhe Shqipnia asht Europjane, madje Europjane Përendimore!
U asht mbushë koka me byk e krunde e kur flasin per Europen Perëndimore, u duket se, po shkruejn e po thurin lavde per Klerin Katolik Shqiptar!
Ata po fshijnë paturpësisht nga ngjarja e madhe e Pavarsisë Luigj Gurakuqin, se edhe Ai i duket prift e nuk gabohem aspak, kur këte mendim ata e kanë edhe per Bajram Currin, Isa Boletinin, Ibrahim Rrugoven e sa të tjerë!!..
Shenime per Lindjen e Mesme…. Mos e harroni këte liber….
Aty e gjeni të shkrueme edhe thanjen e “mësuesit” tuej, që ju mësoi me nderue me grusht: “Shqiptarët duhet t’ i pershtatën Kur’anit !..”
Melbourne, 2014.