
Rafaela Prifti/
Gazeta italiane Il Foglio njofton se është e para në botë që boton një edicion të tërë të krijuar nga inteligjenca artificiale. “Nisma është një eksperiment njëmujor në gazetari që demonstron se teknologjia artificiale është pjesë e punës dhe përditshmërisë sonë,” sipas kryeredaktorit Claudio Cerasa. Edicioni ka katër faqe në formatin që ka vetë gazeta Il Foglio dhe mund të gjendet si në stenda ashtu edhe online që nga dita e sotme. “Për herë të parë, një gazetë ditore është e gjitha e shkruar nga inteligjenca artificiale që nga kryelajmi deri te citatet dhe përmbledhje të përmbajtjes,” tha ai.
Eksperimenti i sotëm përkon me debatet e vazhdueshme në organizatat mediale për rrugët e hyrjes në funksionim të programit IA. Para disa ditëve, BBC News njoftoi se do përdorë këtë teknologji për t’i dhënë publikut përmbajtje më të personalizuar. Puna e gazetarëve ka qenë vetëm tek leximi i pyetjeve pa e ditur dhe pa pasur kontroll në produktin që inteligjenca artificiale do të japë me përgjigjet e veta. Çfarë ka në faqen e parë Il Foglio e inteligjencës artificiale (IA)? Në edicionin e parë të IA është një artikull për Presidentin amerikan, ku trajtohet “paradoksi i Trumpistëve Italianë” të cilët nga njëra anë kritikojnë me forcë “fenomenin e ekskomunikimit” dhe nga ana tjetër, i mbyllin sytë ose edhe më keq “bëjnë festë kur idhulli i tyre sillet me despotizmin e stilit të republikave banane”. Po ashtu në ballinë është shkrimi “Putini, 10 tradhëtitë” ku flitet për “20 vjet premtime të shkelura, marrëveshje të parespektuara dhe fjalë të prera në besë” nga Vladimir Putini, presidenti rus. Më poshtë, ka një artikull optimist për ekonominë italiane duke u mbështetur tek rritja e rrogës për 750,000 punëtorë si pasojë e reformës taksore, ndërsa në faqen dy një shkrim që fokusohet tek braktisja nga të rinjtë evropianë e lidhjeve afatgjata. Faqja e fundit e përgatitur nga IA janë letrat drejtuar redaksisë në të cilën dikush pyet nëse njerëzit nuk do kenë më ndonjë dobi në të ardhmen. Stili: Artikujt janë shkruar qartë dhe strukturuar mirë dhe nuk duket të kenë gabime gramatikore.
Vlera e eksperimentit njëmujor: Kryeredaktori tha se edicioni i IA është produkt i lajmeve, debateve dhe përplasjeve të ideve por gjithashtu është edhe një mundësi për të parë sesi programi mund të funksionojë në praktikë dhe çfarë mund të jenë pasojat e daljes së një gazete të prodhuar nga teknologjia. “Prej këtej e tutje, mund të fillojmë t’i bëjmë vetes shumë pyetje, jo vetëm nga këndvështrimi i gazetarisë,” tha për agjencitë e lajmeve Cerasa.