Sokol PAJA/
Studimi “EDITORËT E “DIELLIT” NË 110 VITE HISTORI” i lënë në proces botimi nga editori i ndjerë i Gazetës “Dielli” Dalip Greca, përbën një kontribut shkencor dhe publicistik të jashtëzakonshëm për historinë e gazetës më të vjetër që botohet në mërgatën shqiptare. Studimi “Editorët e “Diellit” në 110 vite histori” është një vepër monumentale në historinë e “Diellit”, “Vatrës” e shqiptarëve të Amerikës. Nëpërmjet këtij botimi lexuesi njeh në detaje organizimin patriotik, kulturor e politik të shqiptarëve të Amerikës dhe ndihmën e fuqishme për Kombin dhe Atdheun. Dalip Greca e drejtoi “Diellin” për 12 vite dhe la gjurmë të pashlyshme në historinë e gazetës “Dielli” dhe Federatës “Vatra”.
Dalip Greca ishte një gazetar me shumë eksperiencë, profesionist i lartë, menaxher i suksesshëm dhe gazetës “Dielli” i dha menjëherë një energji, një frymë, një stil të veçantë që e ktheu gazetën fuqishëm në treg. Studimi “Editorët e “Diellit” në 110 vite histori” është i pari studim për jetën e veprën e editorëve të Gazetës “Dielli” duke sjellur risi dhe fakte historike pak të panjohura për publikun. Në këtë libër të lënë në dorëshkrim, Dalip Greca ka lënë një punim fenomenal. Studimi “Editorët e “Diellit” në 110 vite histori” analizon me detaje themelimin e “Vatrës”, punën e jashtëzakonshme dhe barrën që kanë hequr mbi supe editorët e “Diellit”, rolin e “Diellit” në mjedisin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jetën e personaliteteve më të shquara të kombit shqiptar që drejtuan “Diellin” e “Vatrën” në 110 vite histori. Libri “Editorët e “Diellit” në 110 vite histori” i ndarë në nëntë kapituj përmbledh tërësisht veprat dhe kryeveprat e patriotëve shqiptarë në mërgatën e Amerikës që shkrinë talentin dhe kontributin e tyre në “Vatër” e në “Diell”. Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Refat Gurrazezi, Bahri Omari, Qerim Panariti, Eftim Natçi, Andon Frasheri, Kostandin Çekrezi, Nelo Drizari, Xhevat Kalljaxhi e deri te profesor Arshi Pipa vijnë të skeduar mjeshtrisht dhe të analizuar në veprimtarinë e tyre nën drejtimin e “Diellit” e pa dyshim dhe të “Vatrës”. Falenderim dhe mirënjohje Federatës “Vatra” për botimin si një vlerësim dhe amanet për përkushtimin, kontributin dhe dedikimin me të cilin Dalip Greca punoi në “Diell” e në “Vatër” për 12 vite.
Libri ka në brendësi ngjarje, argumente dhe të dhëna të shumta e të rëndësishme për historinë e “Diellit” dhe të “Vatrës”.
Falenderim special studiuesve Idriz Lamajt e Dr. Paulin Markut të cilët dhanë ide, sugjerime, perspektiva dhe mbështetje në çdo hap të botimit të këtij libri. Mirënjohje dhe për vajzën e Dalipit Elisabeta Greca e cila ndihmoi në redaktim, korrektim, grumbullim të materialeve origjinale të lëna në dorëshkrim nga Dalip Greca. “Vatra” dhe “Dielli” kane qenë dhe do të jenë një urë lidhëse e fuqishme me institucionet e larta amerikane e jetëdhënëse e traditës, kulturës e ruajtjes së vlerave tona kombëtare në mërgatë e Amerikës. Dalip Greca si Editor i Diellit punoi, drejtoi dhe udhëhoqi me fanatizëm nën frymën e Nolit, Konicës, Floqit, Gurrazezit, Omarit, Kallajxhiut, Pipës e shumë intelektualëve të lartë që punuan dhe lobuan fort në shërbim të shqiptarisë dhe kombit tonë. Veprimtaria e gjërë e “Vatrës” e “Diellit” rrëfyer nga Dalip Greca si kronikan i kohës së lavdishme që shkroi e punoi, pasuron historiografinë tonë kombëtare dhe identitetin tonë kombëtar. Dalip Greca ndërroi jetë papritur ne 15 maj 2022 duke lënë pas një dhimbje të thellë dhe zbrazëti tek familja, miqtë, dashamirësit dhe komuniteti shqiptar. Ai la pas një trashëgimi të shkëlqyer shkrimesh, hulumtimesh e kontributesh historike, mediatike, letrare, politike dhe publicistike. Dorëshkrimi i papërfunduar, studimet, kumtesat dhe materialet e gjendura në arkivin personal të Dalip Grecës për editorët e gazetës “Dielli” në 110 histori të “Vatrës”, vijnë të ideuara nga autori, me rend tematik, kohor dhe organizacional të vendosur nga grupi i punës cituar më lart.
Kontributi i Dalip Grecës dhe pas vdekjes, ashtu siç punoi me pasion e përkushtim në të gjallë të tij, vlen për tu vlerësuar për rëndësinë dhe vlerën e veçantë që ka libri për historinë e “Diellit” e Federatës “Vatra”. Libri “Editorët e “Diellit” në 110 vite histori” është botuar mbi bazën e materialeve të gjetura në proces punimi prej Dalip Grecës dhe vijnë në formën autentike ashtu siç ai i ka lënë në dorëshkrim. Libri është një kontribut i shquar në historinë e shtypit të shkruar shqiptar. “Editorët e “Diellit” në 110 vite histori” përbën një udhërrëfyes për gazetarët, historianët, studiuesit e letërsisë e gjuhësisë dhe kërkuesit shkencor në katedrat universitare që njihen me një libër me vlera të shumëfishta historike e mediatike. Për 12 vite Dalip Greca jo vetëm që e shkroi historinë e tij unike në “Diell” e në Vatër por sot na la pas një studim me vlerë të çmuar për historinë tonë kombëtare dhe historinë e shqiptarëve të Amerikës.