
Sokol Paja/
Editorët e gazetës Dielli janë kronikanët më të besueshëm të shkrimit të historisë së Federatës Vatra dhe të mërgatës shqiptare në Amerikë. Me qëndrimet e tyre, analizat, raportimet, kritikat, reportazhet dhe shënimet e publikuara në gazetën e Vatrës, janë dëshmitarët më të vërtetë jo vetëm se si u zhvillua Vatra dhe emigracioni te shqiptarët e Amerikës, por edhe për ndikimin që patën në mëmëdhe, si dhe për lidhjet e pashmangshme e të përjetshme me atdheun. Ndër drejtuesit e Diellit e të Vatrës në dekadën e saj të parë, pa dyshim Bahri Omari zë një vend të veçantë. Ai ishte editor i Diellit nga korriku i vitit 1916 deri në nëntor 1919, duke drejtuar 1074 numra të Diellit. Këto vite ishin të mbushura me ngjarje e histori të rëndësishme, ku Vatra ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe shumë specifik në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe trajtimin e problemit të brendshëm shqiptar në raport me fqinjët dhe mërgatën e Amerikës.
Në fokus ishte njohja e pavarësisë së Shqipërisë dhe mos cenimi i territorialitetit, si dhe funksionimi i shtetit në një periudhë delikate historike. Veprimtaria publicistike dhe atdhetare e Bahri Omarit si editor i gazetës Dielli, si zëri më kurajoz, dinjitoz e i fuqishëm në Amerikë, u kthye për shqiptarët në vetëdije politike dhe kombëtare në kohë të vështira për Shqipërinë. Si editor i Diellit, Bahri Omari me shkrimet e tij forcoi vijën kombëtare dhe formësoi ndërgjegjen patriotike te shqiptarët e mërguar, duke analizuar thellë rreziqet që kërcënonin Shqipërinë dhe raportin e saj ndërkombëtarisht.
Nën drejtimin e Bahri Omarit, gazeta Dielli dha kontribut të fuqishëm për mbrojtjen e pavarësisë dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë, denoncimin e pretendimeve territoriale të fqinjëve armiq të kombit tonë, informimin e opinionit publik amerikan mbi padrejtësitë ndaj shqiptarëve në Ballkan, duke qenë zë i fuqishëm denoncues e kundërshtues ndaj çdo të keqeje që kërcënonte shqiptarët. Editorialet e Bahri Omarit kishin një ton e vizion të qartë jo vetëm se si duhej të mbrohej e zhvillohej Shqipëria, si të lulëzonte e përparonte kombi ynë, por ai e ktheu Diellin në një instrument të fuqishëm diplomatik, kulturor e patriotik për mbarë shqiptarët e diasporës. Bahri Omari jo vetëm e informoi, por e frymëzoi dhe mobilizoi diasporën shqiptare të Amerikës, sidomos rreth fateve të Shqipërisë.
Përgjatë kohës që drejtoi Diellin, Bahri Omari ishte institucional, duke kërkuar që shqiptarët e Amerikës të bashkoheshin rreth Vatrës e Diellit si institucione patriotike në diasporën e Amerikës; ndikoi në bashkimin e shqiptarëve të Amerikës dhe kontribuoi duke nxitur ndërgjegjen kombëtare te patriotët për të ndihmuar Shqipërinë në fushatat kombëtare financiare dhe politike që Vatra zhvilloi për shtetin shqiptar.
Bahri Omari, më 28 gusht 1916, shkroi editorialin “Përse kemi nevojë më shumë?”, teksa shprehet se: “Çdo atdhetar sot, pas diturisë që të ketë në çdo degë, të përpiqet të na përgatitë libra. Kjo është mënyra më e mirë për ndihmën e atdheut. Na lipsen libra nga çdo farë dege, se nga të gjitha jemi të varfër. Vërtet është një fakt i pamohuar që sot e kemi gjuhën të parrahur dhe për të shkruar libra në çdo farë shkence lipset mundim i madh”. Ruajtja e zhvillimi i gjuhës shqipe dhe përparimi kulturor kombëtar që vjen prej arsimit ishin baza të zhvillimit të kombit sipas Bahri Omarit.
Më 21 mars 1917, Bahri Omari shkroi editorialin “Arsimi në Shqipëri”, teksa shprehet se: “Një nga nevojat që të na ngacmojë mendjen, kudo që jemi e nga do që vemi, duhet të jetë arsimi. Gjithë lumturia, gjithë pasuria që shohim në popujt e qytetëruar, i detyrohet arsimit të tyre. E para detyrë e Qeverisë Shqiptare duhet të jetë të mbrojë me çdo mënyrë detyrën e domosdoshme për mësimin e çupave dhe të djemve. Shqiptarët duhet me çdo mënyrë ta tregojnë që janë një element përparimtar; kësisoj do t’i kalbëzojmë gjykimet e dobëta që janë në Evropë. Një komb, që të mund të rrojë dhe të përparojë, duhet të mbështetet në favorin e më të mëdhenjve”.
Më 24 shtator 1917, Bahri Omari shkroi editorialin “Shqipëria dhe fqinjët e saj”, teksa shprehej se: “Fqinjët dhe sidomos Serbia është një rrezik i madh, se asnjëherë nuk është përfillur Kosova e mjerë, që iu dha peshqesh serbëve. A ka zemër shqiptari që të kujtojë Kosovën dhe të mos tronditet nga mjerimet e saj? Kosova ishte ajo që e gjëmojti zërin e kushtrimit për vetëqeverimin e Shqipërisë, ajo ishte e para që ngriti flamurin e kryengritjes dhe qëndroi e patundur përpara ushtrive turke. Jo! Kosova është e Shqipërisë, për të cilën derdhi gjakun. Nuk do të ketë padrejtësi më të madhe se sa ndarja e Kosovës trime nga gjiri i mëmës së saj. Kosova është mëmë e atyre luanëve që luftuan besnikërisht për Shqipërinë gjer në orët e fundit”.
Bahri Omari e shihte gazetarinë si mision kombëtar e kulturor. Në historinë e shtypit shqiptar jashtë atdheut, në historinë e Federatës Vatra e të gazetës Dielli, Bahri Omari do të mbetet përjetësisht si një ndër penat më të nderuara, më të vlerësuara e më të respektuara falë mençurisë së tij, mprehtësisë, stilit, vizionit, shpirtit krijues dhe forcës së argumentit.
Foto: wikipedia.org