
Sokol Paja/
Në historinë e Federatës Vatra dhe gazetës Dielli, Dr. Athanas Gegaj, gjashtë dekada më parë përbënte ndër emrat më esencialë jo vetëm të këtyre dy institucioneve patriotike, kulturore e atdhetare por të mbarë mërgatës shqiptare të Amerikës. Si editor i gazetës Dielli por më vonë dhe sekretar i Vatrës, Dr. Athanas Gegaj shkëlqeu si intelektual, patriot, veprimtar e penë elegante në mbrojtje të komunitetit shqiptar, të të drejtave të shqiptareve, historisë dhe identitetit kombëtar. Dr. Athanas Gegaj e drejtoi gazetën Dielli për 8 vite nga viti 1963-1971.
E mori drejtimin e Diellit në 3 momente të rëndësishme historike: 1. Vatra e Dielli po përjetonin zhvillime të rëndësishme e të fuqishme ku themeltarët e aktivistët e parë ishin të pakët në numër si pasojë: a. E kohës së largët të themelimit, b. Kthimit të disa aktivistëve në Shqipëri, c. Ardhjes në Vatër të anëtarëve të rinj shqiptaro-amerikanë, 2. Ardhjes së emigrantëve të rinj nga Europa sidomos përkrahësve të Mbretit Zog, 3. Luftës së fuqishme që Sigurimi i Shtetit Shqiptar i bënte Vatrës, Diellit e mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dr. Athanas Gegaj fitoi garën si editor i Diellit në Kuvendin e Vatrës në gusht 1963 përballë Elez Ndreut dhe Mexhit Dibrës.
Editoriali i Dr. Athanas Gegajt si qëndrimin zyrtar i Diellit e Vatrës i shkruar shpesh herë si opinion, analizë, komenti, thirrje, apo argument ishte zëri më autoritar e plotësues i kohës për 8 vite të arta dhe të zjarrta të Vatrës, Diellit e komunitetit shqiptar në Amerikë. Dr. Gegaj si editor dhe funksionar i Vatrës përballoi me dinjitet të lartë e stoicizëm sulmet, presionet e deri zhantazhet e të infiltruarve të Sigurimit, ruajti ndershmërisht balancat në Federatën Vatra e gazetën Dielli, promovoi kulturën, vlerat dhe idetë amerikane në jetën e komunitetit shqiptar, promovoi kulturalisht historinë, gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar shqiptar, luftoi pa mëshirë diktaturën, tiraninë dhe regjimin shtypës të Tiranës, bashkoi, promovoi, zhvilloi dhe integroi komunitetin shqiptar në Amerikë, shërbeu si urë lidhëse e përbashkues i intelektualëve shqiptarë në Amerikë e Europë, lëvroi teza historike dhe identitare në dobi të kombit, atdheut dhe historisë kombëtare. Në shkrimet editoriale të Diellit, Dr. Gegaj synonte bashkimin e shqiptarëve përtej ndarjeve politike, krahinore apo ideologjike, qëndrimeve ndaj historisë apo periudhave të caktuara, duke e konsideruar unitetin kombëtar si vlerë themelore të shqiptarë kudo vepronin e punonin. Editorialet informuese, argumentuese, bindëse e analizuese të Gegajt jo vetëm që informuan e ndikuan komunitetin por edhe e drejtuan dhe organizuan atë.
Studimi i editorialeve të shkruara prej Dr. Athanas Gegajt përgjatë 8 viteve që drejtoi gazetën Dielli, përbën një moment sa të rëndësishëm studimor aq dhe të rëndësishëm historik pasi na njeh me qëndrimin zyrtar të Federatës Vatra, të gazetës Dielli, aspekte të zhvillimit historik të mërgatës shqiptare të Amerikës, çështje të rëndësishme të veprimtarisë së Federatës Vatra dhe jetën reale të mërgatës e atdheut dhe raportit që krijohet pashmangshmërisht mes tyre. Dr. Gegaj luftoi fuqishëm përçarjet e ndarjet e stisura prej Sigurimit të Tiranës dhe i kushtoi vëmendje të veçantë bashkimit e bashkëpunimit të shqiptarëve në Amerikë me bazë Federatën Vatra e gazetën Dielli. Dr. Athanas Gegaj ishte pa diskutim personalitet mediatik, historik, linguistik e gjuhësor. I drejtëpërdrejtë, i vërtetë, i ndershëm dhe i drejtë spikati me editoriale të fuqishme dhe të qënësishme ku fuqia e analizës, argumentit dhe kundërshtisë ishin shumë të forta. Dr. Athanas Gegaj e përcaktonte gazetën Dielli si jetike për ekzistencën dhe vazhdimësinë e komunitetit shqiptar në Amerikë. Editori Gegaj e cilësonte gazetën Dielli si trashëgiminë më të bukur shqiptare në diasporë ndërsa Vatrën e Diellin i pagëzonte si kështjella të shqiptarizmës. Dr. Athanas Gegaj ka merita të veçanta kombëtare pasi mbrojti me çdo kusht e çdo çmim Federatën Vatra, interesat kombëtare, çështjen e pavarësisë, të sovranitetit, të gjuhës shqipe, të Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit, të dinjitetit e identitetit shqiptar duke ngritur lart vlerat morale, idealet kombetare e frymën patriotike.
Në Kuvendin e Vatrës më 6 Tetor 1971, Dr. Athanas Gegaj lajmëroi Federatën se nuk do të ishte më editor. Ai u largua vullnetarisht, me dinjitet dhe krenari nga gazeta në të cilën i shërbeu komunitetit e atdheut me besnikëri, pa frikë dhe me përkushtim duke e orientuar lexuesin drejtë modernitetit, lirisë dhe vlerave amerikane. Më 20 Tetor 1971 shënohet numri i fundit i gazetës Dielli edituar prej Dr. Athanas Gegajt. Në editorialin e lamtumirës ai iu drejtua vatranëve dhe komunitetit shqiptar me editorialin: “Një përshëndetje vatranëve” ku apeloi që vatranët e komuniteti të trashëgojnë vlerat e etërve themelues Noli e Konica e të bashkohen e të përkrahin me çdo kusht dhe në çdo kohë Federatën Vatra e gazetën Dielli.