Federata Panshqiptare e Amerikës ”VATRA”, me krenari e ka mbajtë lartë Flamurin Kuq e Zi, si simbol të krenarisë Kombëtare, simbol lirie dhe bashkimi, duke u ngritë mbi përçarjet, mbi ideologjitë, kurthet, mbi intrigat dhe xhelozitë, mbi pakënaqësitë individuale, mbi karrierizmin, temperamentet e gjaknxehtësitë e çastit, apo nga duart e zgjatura nga Beogradi,Tirana komuniste me agjentët e dërguar, apo nga panhelenikët e Vorio Epirit… Kjo ka bërë që plagët e përçarjes përgjatë më shumë se një shekullit jetë të Federatës, të mjekohen në kohën e duhur dhe Vatra sërish është gjendur e bashkuar dhe e ka kryer me devotshmëri e nder detyrën e saj si shërbestare e Kombit prej më shumë se 108 vitesh.
Çdo 28 Nëntor VATRA, edhe pse e izoluar nga Atdheu,e ngriti dhe e mbajti lart Flamurin Kombëtar, atë me Shqiponjën dy krenare në sfondin e kuq të gjakut të dëshmorëve të Kombit, pa pranuar mbi të as shenjat e fashizmit e nazizmit, as yllin e kuq me drapër e çekan të bolshevizmit,edhe pse mbi shpinë kishte presionet, përndjekjet, kundërvëniet me festimet masive të Misioneve komuniste të Tiranës dhe Beogradit në SHBA, që u diktonin shqiptarëve të festonin me Flamurin me Yll të Kuq !…
Federata e ka lartësuar Flamurin Kuq e Zi të Gjergj Kastrioti- Skënderbeut 7 muaj para Pavarësisë, dhe e ka orientuar Kuvendin Kombëtar të Vlorës,të 28 Nëntorit 1912, që të vështronte drejt PERËNDIMIT, Jo LINDJES….
AKSIOMA E FEDERATËS: VATRA nuk është pronë e asnjë individi, e asnjë familjeje, e asnjë kombinacioni babe e bij’,dajë e mbesë, nip e gjysh! Është pronë dhe institucion Kombëtar.
Edhe këtë 28 Nëntor Vatra, ajo ligjorja, me emrin e plotë, siç e pagëzoi Faik KONICA dhe e bekoi Imzot NOLI ”Federata Panshqiptare e Amerikës ”VATRA”, është në të njëjtin pozicion duke e mbajtur me krenari Flamurin e themeluesëve, pavarësisht gurëve që po i hedhin mbi shpinë pa mëshirë një grup i pakënaqur më shumë prej vetes se prej Vatrës.
Siç kanë njoftuar disa portale,apo rrjete sociale, i ashtuquajturi Komision i 5 Tetorit na paska krijuar një vatër tjetër! Dhe qenkan lodhur shumë e rropatur në mbi 50 mbledhje ilegale për gjatë një viti! Dhe për çfarë? Për të sulmuar institucionet e Federatës! Bravo! Do ta kishin zili “fitoren e Pirros”, të gjithë ata që e kanë sulmuar për gjatë më shumë se një shekulli!
Si për ta bërë më qesharake aventurën e përçarjes së Vatrës dhe krijimit të një Vatre të re, Komisioni i paligjshëm,organizoi Kuvend – dhe zgjodhi 31 tetorin, e njohur në Kalendar si “Halloween”,ditë “historike” për të përçarë Vatrën. Pesë tetoristët organizuan Kuvendin me maska, sipas tyre, të autorizuar nga anëtarësia prej 60 vatranësh, që u japkan përkrahje… (Vetëm një degë e Fedeartës Panshqiptare të Amerikë”VATRA”, ajo e Queensit-NY, ka 149 anëtarë, po 12 degët e tjera që janë rreth federatës?). Zotëri, ju jeni frakson, dhe nuk mund të rikrijoni federatën, po-një shoqatë me emër tjetër-, po, – krijojeni kur të doni dhe ia pafshit hajrin! Nëse vazhdoni historia do t’ju gjykojë për aventurën tuaj antivatër.Deri dje kishit si shkak biografitë e ish kryetarit, po tani që për herë të parë në 108 vite histori në Krye të Federatës erdhi një shqiptar i Kosovës, i cili nuk ka CV komuniste? – Ç’patët?
Në shifrën e pretenduar(60 anëtarë) që ka raportuar kjo e ashtuquajtur vatër- përfshihen edhe ata që janë anëtarësuar në kundërshtim me Kushtetutën e Vatrës, pa informuar qendrën,njerëz që nuk kanë haber nga Vatra, madje kanë krijuar dhe një dege të dyshimtë në Staten Island, pa e pyetur fare qendrën, siç dikton Kushtetuta. Zotëri,në cilin nen të Kushtetutës së Vatrës shkruhet se mund të marrësh njerëz nga rruga t’i anëtarësosh në Vatër, pa njohur frymën e shenjtë të vatrës, dhe më pas t’i vërsulësh kundër saj për ta shkatërruar? Në cilin nen të Kushtetutës shkruhet se një fraksion mund të thërrasë Kuvend?
Të sulmosh Vatrën është njësoj si të sulmosh faltoret e shenjta!Çfarë ideali Kombëtar e motivon këtë grupim të pakënaqurish, që po e sulmojnë pa mëshirë Federatën? A nuk ndjejnë dhimbje nga plagët që mundohen t’i shkaktojnë ?…Dhimbjeee….
Nuk paskan qenë me shpirt në Vatër, paskan qenë vetëm fizikisht. Nëse do të ishte gjallë Faik Konica, me satirën e tij therse, do t’ua bënte gjyqin në publik, që të mos shihnin rrugë nga të shkonin dhe jo të bënin kuvende!
Në qendër të kësaj vorbulle është dega e Vatrës në Virxhinia, ku ata jetojnë(e thirrur si dega e Washingtonit), e cila në Kuvendin e 2017, kur dhe nisi divorci, raportoi se kishte një anëtarësi prej 28 persona, por 6 prej tyre nuk konfirmoheshin(shënuar nga vetë dega) dhe 6 të tjerë janë larguar dhe i kanë dërguar anëtarësinë në Qendër.Me sa veta ka mbetur kjo degë që pretendon ta thërrasë veten-Vatra e vërtetë?
Një tregues tjetër është se 10 anëtarë ishin nga dy familje(6 Buçaj dhe 4 Zotaj), ndërsa dega që i mbanë iso sot, në atë Kuvend raportoi se kishte 14 anëtarë(është dega e Dr. Kaliqit, që nuk ka pranuar t’i japë informacion qendrës për Fondacionin e Vatrës, që e ka kthyer si pronë private- dhe ka mbetur në bordin e kohëkrijimit vetëm Kaliqi dhe ish kryetari)!. Që nga Kuvendi i vitit 2017, këto degë nuk iu bindën Qendrës, nuk paguan anëtarësi,ndërkohë që dega e Virxhinias publikisht sulmoi Vatrën dhe zyrtarët e saj. Ishte kjo arsyeja që Vatra e përjashtoi këto 2 degë nga Federata, me votë unanime, mbështetur në arsyetimin: “duke analizuar jo vetëm tendencat por edhe aktivitetin e tyre në dëm të aktivitetit të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”, si dhe në fyerjet dhe pengimin e organeve drejtuese të Vatrës të zgjedhura në mënyrë të rregullt ligjore, ashtu si Kanunorja e Vatrës e ka të shkruar në nyjen 39 të saj, si dhe duke u mbështetur në nyjet 40, 52, 53 të Kanunores, me votë të hapur dhe unanime:
KUVENDI VENDOSI
Të përjashtojë nga THE PAN-ALBANIAN FEDERATION OF AMERICA VATRA (THE HEARTH):
a- Dega Washington DC
b-Dega Newburgh
2- Çdo anëtar që ka kryer aktivitetin e tij në këto dy degë, por që nuk ka dëmtuar dhe penguar aktivitetin e Federatës në punën e saj ka të drejtë të riantarësohet si anëtar i THE PAN-ALBANIAN FEDERATION OF AMERICA VATRA (THE HEARTH) në degën më të afërt apo edhe në qendër.
Dhe Pesë tetoristët e bënë Kuvendin e paligjshëm të fraksionit të tyre duek mashtruar edhe ndonjë të ftuar. Si mund të bësh Kuvend, kur je përjeshtauar dhe si mund të krijosh një degë të re Vatre, pa marrë leje në qendër, ndërkohë që Kushtetuta shkruan: Nyja 39: Vatra përbëhet nga Degët, të cilat nuk quhen(nuk njihen)pjestare të federatës në qoftë se nuk i ka njohur ose nuk i njeh Komisioni(Sot Kryesia e Vatrës”.! Ndërsa në Nyjen 42, shkruhet: Çdo dege, posa njihet nga Komisioni i Vatrës,i dorëzohet vula e degës, dy fletore për rekorde dhe Lista e anëtarëve. Nëse dega përjashtohet ajo duhet të kthejë gjithçka në qendër! A e kanë lexuar ndonjëherë Kushtetutën e Vatrës ata që kanë ndërmarrë ofensivën kundër saj?
Pas të ashtuquajturit Kuvend të 31 tetorit,(Ku një organizatë e njohur dhe me peshë në komunitet nuk pranoi të bëhej vegël dhe të shkonte të përshëndeste Kuvendin me maska,- u ftuan me anë të mashtrimit dhe 3 organizata të komunitetit, 2 prej të cilëve u larguan nga Kuvendi, duke mos pranuar që të bëheshin instrument të përçarjes së Vatrës, me logjikën: Nuk kemi ardhë për ti shërbyer ndonjë fraksioni, ne vlerësojmë Vatrën si federatë),- Sekretari kësaj amalgame, ka nxituar të hyjë në mënyrë të paligjshme në websitin e “Commonweallth”-it në Massachusetts, dhe ka tentuar të bëj regjistrim të paligjshëm të vatrës që polli komisioni 5 tetori, asaj të 60 anëtarëve të pretenduar, duke zhvendosur emrat e zyrtarëve dhe të Kryesisë së Federatës me 12 degë e me më shumë se 600 anëtarë, duke thyer rregullat më elementare amerikane. Federata nuk rrëmbehet me mashtrime të tilla, as me inate e mllefe, zotërinj!…Gjithçka u ndal në kohën e duhur.
Po pse po kërkojnë ta përçajnë Vatrën me çdo kusht-, kujt i intereson shkatërrimi i saj? Vetë Vatrës dhe historisë së saj-JO! Vatra nuk mund të shkatërrohet me Kuvende të paligjshme, me rrëmbime Logosh e vulash,me raporte fallso në Facebook dhe në rrjetet e tjerë sociale, me tentativa për të thyer pasworde, me tentativa për ta regjistruar paligjshmërisht…, Vatra nuk mund të çohet në shtëpi,Vatra nuk mund të shkatërrohet nga zemrimet e çastit, as nga qejfmbetjet për shkak mosvlerësimi, as prej ndonjë vatrani, që mburret për kontributet e shkuara dhe e qëllon me gurë vatrën e tanishme,as nga ndonjë vatran, apo nga ndonjë dezertor me porosi prej ushtrisë së Enver Hoxhës, që pa rënë komunizmi(në vitet 80-të) shkonte turist dhe qëndronte në Hotel Dajti apo Tirana-Hotel, apo shkruante në gazetën e qeverisë së Tiranës në Boston(Liria) për mrekullitë dhe bukuritë e Shqipërisë komuniste….VATRA është pasuri Kombëtare dhe do të mbetet e tillë!
Pse gjithë ky mllef? Pakënaqësia e dy degëve ka nisë që pas Kuvendit të Qershorit 2017.Ish Kryetari i atëhershëm, kishte krijuar bindjen se kanditatura më e mirë për kryetar Vatre, do të ishte- ish Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë i vendosur prej Qeverisë së Partisë Demokratike në atë post, i shkarkuar me pompozitet dhe arrogance dhe zhurmshëm, në darkën vjetore të Ish Këshillit Shqiptaro Amerikan, shtator 2013. Ai ftoi shpesh për kafe e dreka kandidatin për t’i mbushë mendjen ta pranonte postin,(çuditerisht tash e mohon, por kanë qenë dhe të tjerë në ato dreka e kafe që e dëshmojnë të vërtetën)… mirëpo më pas ai hoqi dorë nga ajo zgjedhje, nuk dha arsye as para dhe as gjatë Kuvendit- nuk i informoi strukturat e Vatrës për arsyet.Në Kuvendin e vitit 2015 në Jacksonville u votua vetëm një kandidaturë , nuk u kërkua e dytë; ndërsa në Kuvendin e vitit 2017, kandidatura e dytë u konsiderua e domosdoshme! Gjithësesi në kuvend u prezantuar dy kandidatura. Kandidatura e ish Konsullit pati pretendime se nuk i plotësonte kushtet e vjetërsisë në Vatër.Kushtetuta në fuqi e Vatrës , ajo e vitit 1926, e riprintuar në vitet 1954 dhe 1995, nuk kërkon kushte vjetërsie për Kryetarin.Kjo spjegon faktin se në të shkuarën Vatra ka ftuar intelektualë jashtë Amerikës për t’u bërë kryetarë të saj, siç ka qenë rasti i Mit’hat Bej Frashërit. Kushtetuta nuk vendos kushte për kryetarin, por për delegatët në Kuvend, të cilët sipas nyjës 30: “Delegat në Kuvend të Vatrës s’mund të pranohet veç se një njeri që ka qenë anëtar i rregullt të paktën 2 vjetët e fundit dhe që ka paguar të paktën 6 këstet e fundit.” A e kishte vjetërsinë prej 2 vjetësh ish Konsulli? Në përgjigje të pyetjes, mjafton të përmendim faktin se në Kuvendin e Majit 2015 në Jacksonville, ai u zgjodh anëtar i kryesisë së Vatrës(pra e kishte se ishte në bordin e Vatrës). Gjithësesi, vetë ish kryetari, kërkoi mënjanimin e kushtit të vjetërsisë,e hodhi në votë dhe miratoi me vendim Kuvendi, që kandidimi ishte i rregullt.Madje pas Kuvendit u bë një darkë madhështore, plot humor, valle, këngë, dhe fotografi, ku të pranishëm ishin të dy; ish Kryetari dhe kryetari i zgjedhur, jo vetëm kaq por u shpërndanë edhe Mirënjohje! Pra Kuvendi përfundoi me traditën e Darkës tradicionale, pse më pas u pretendua se ishte i parregullt!?
Ka dhe një problem tjetër; që në Kuvendin e vitit 2013 u hodh ideja dhe nisi diskutimi për ndryshime në Kushtetutë të Vatrës,u propozua të shtoheshin amendamente, mirëpo dukej se Vatra nuk e kishte durimin, as kapacitetet juridike për ta kryer këtë mision, dhe ashtu siç kishte ndodhur dy dekada më parë, dukej se kjo inisiativë do të dështonte.Diskutimi u zvarrit nëpër kuvende të mëpasme, edhe në Kuvendin e 2017, madje edhe në Kuvendin e 2020, por ende nuk ka nje Vendim përfundimtar për ta printuar, dhe as mund të ketë pa u unifikuar projektet ndër vite.Ky projekt as sot nuk ka marrë miratim përfundimtar edhe pse është shtruar në fund të kuvendeve, kur delegatët dremisnin nga lodhja dhe nuk kishin durimin ta dëgjonin kryetarin e Komisionit, dhe gjenin rrugën më të shkurtër, ia delegonin Kryesisë kompetencat, ajo të ndiqte proceduart. Por çudia ndodhi me ish kryetarin e atëhershëm, i cili 6 muaj pasi pat lënë detyrën në kuvendin e 2017-tës, e printoi me insiativën dhe shpenzimet e veta Kushtetutën dhe ua dërgon të gjithë vatranëve sipas listës që ai kishte siguruar nga kompjuteri i abonentëve të gazetës Dielli në Zyrën e Vatrës!. Dhe në mënyrë më të çuditshme nuk përdori adresën e vet në Virxhinia, por adresën e qendrës së Vatrës Bronx, NY, pa shënuar emër dërgusi mbi zarf, por një letër brenda zarfit të firmosur prej ti,ku jepte sqarime! Shumë nga kopjet e kthyera janë ende në Vatër. Ndoshta i gjithë ky nxitim i parapriu veprimeve të mëpasme të Komisionit të paligjshëm” 5 Tetori” për të gjetur”ligjshmëri” në një veprim të paligjshëm.
Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” i ka rreth vetes degët dhe anëtarësinë me gjithë presionet dhe makinacionet që po përdorin përçarsit e Federatës, duke ju dërguar thirrje, ftesa në emër të Vatrës, madje kanë mashtruar edhe ndonjë klerik, duke e ftuar në emër të Vatrës, kanë dërguar emaile, buletine, kanë gjetë strehë edhe në ndonjë portal apo gazette, që i ka për qejf përçarjet dhe i hedh benzinë zjarrit… etj.
Por Vatra ka kaluar situata më të vështira dhe ia ka dale ta ruaj bashkimin.Nuk mund ta shkatërrojnë Vatrën dy degë të përjashtuara nga Kuvendi i 19 Janarit 2020 pse kanë shkelë Kushtetutën e Vatrës apo disa individë, që nuk e dinë as vetë se përse janë të pakënaqur dhe pse po e luftojnë Vatrën. Vatra ndjenë mbështetjen e anëtarësisë aktuale prej më shumë se 220 vatranësh në qendër, mbështetjen e degëve si në Queens New York me 149 anëtarë, Michigan -85 anëtarë, dega në Manhattan 47 anëtarë (të përgatitur për t’u anëtarësuar edhe 17 anëtarë të rinj) dega në Hudson Valley-New York 62 anëtarë, dega në Hartford – CT me 23 anëtarë, dega në Jacksonville me 35 anëtarë, dega në Tampa-Florida me 32 anëtarë, dega në Worcester MA, që u riorganizua këto ditë me anëtarësi të paguar për vitin 2020 prej 23 anëtarësh, dega në Fort Lauderdale-Florida me 17 anëtarë, dega në Toronto – Canada me 23 anëtarë, me dega në New Jersey me 27 anëtarë, dega në Orlando,dhe është e gatshme dhe një tjetër degë në Florida,si dhe dega e re në Boston, në vendthemelimin e Vatrës historike, ku komisioni prej 13 anëtarësh po bën përgatitjet e fundit. E falenderojmë edhe Shoqatën Besa-Besë në Boston, që ka bërë anëtarësimin e udhëheqjes së saj në Federatën Pan shqiptare VATRA.
Zotëri të grupit përçarës, Ju e keni sulmuar Federatën me të gjithë mjetet, keni hedhur shumë gurë mbi të, dhe keni shpifur pa limit, ajo vetëm ka heshtë pasi ka menduar se një ditë do ta kuptonit se jeni futur në rrugë pa krye. Tash u sos durimi prej zullumit tuaj: Shihemi në Gjyq!…
Kaq për këtë herë, ka dhe më për të thënë.
- Editoriali shpreh qëndrimin zyrtar të Federatës Panshqiptare të Amerikës-VATRA- sipas mendimeve dhe gjykimeve të shprehura në mbledhjen e Kryesisë e organizuar virtualisht në prag të festës së Flamurit.