Eduard Grishaj është rikthyer serish mes nesh me një tjetër libër. Këtë herë, nga dorëshkrimet e shumta të lëna, bashkëshortja dhe bashkëpunëtorja e tij më e afërt Mirela, ka zgjedhur dy drama për t’ ia servirur miqve dhe publikut.
Në mjediset e Bibliotekës “Marin Barleti” të Shkodrës, në prani të autoriteteve letrare dhe intelektuale të qyytetit, në mungesë të autoriteteve vendore dhe politike, u promovuan dy drama, “Muri” dhe “Nënshtetasi”.
Për vlerat që përcjellin librat e radhës të Edit, kanë folur Maxhid Cungu, Arben Prendi, Gjovalin Çuni, Zija Vukaj, Ermira Ymeri, Pjerin Mirdita por edhe të tjerë të pranishëm e miq të Edit e familjes Grishaj, si Fatmir Juka, Engjell Çekaj dhe Berhan Kurtaj.
Në fund, tepër e emocionuar, ka folur edhe Mirela Hoxhaj Grishaj, bashkëshortja e Edit. Ajo ka falenderuar për respektin ndaj bashkëshortit të shtrenjtë, ka falenderuar ata që e ndihmuan në nxjerrjen në dritë të botimeve të radhës.
Eduard Grishaj, një intelektual i mirëfilltë, një antikonformist i spikatur, studiues, hulumtues e autodidakt poliglot, modest dhe me sens të rrallë humori, u nda nga jeta shumë para kohe në një aksident tragjik.
Ai ka lënë shumë gjëra në dorëshkrim, teska Mirela, familja, miqtë e të njohurit po bëjnë një punë shumë të mirë për ti nxjerrë në dritën e lexuesve. Këto dy drame, që shpresojmë të shohin edhe dritën e skenës, pasojnë librin “Gjakmarrja në prozën shqiptare”, promovuar në mars të këtij viti.
Eduard Grishaj ka fatin që të mos i mungojë miqve dhe shokëve, pavarësisht boshllëkut fizik që ka lënë për ta e sidomos familjes e të afërmëve. Edi jeton e do të jetojë përmes librave, botimeve, publicistikës që shpresojmë e urojmë të dalin plotësisht në dritë. Falë bashkëshortes Mirela, familjes por edhe miqve, shokëve e të njohurve. /ShkodraWeb/