
Rafaela Prifti/
Eklipsi i plotë i diellit të hënën në datën 8 prill do ta kthejë ditën natë për 4 minuta e 28 sekonda në Amerikën e Veriut. Ai zgjat dy herë më shumë se eklipsi i gushtit të vitit 2017 dhe rrugëton përgjatë një trajektoreje më të njohur që nis nga bregu i Paqësorit i Meksikës, kalon nëpër Teksas, Oklahoma, arrin shtetet e rajonit qendror verior deri në ato të Anglisë së Re (New England) pastaj nga Kanadaja del në oqeanin Atlantik.
Ndër shkrimet e shumta të cilat botohen çdo ditë për eklipsin, duke filluar nga lajmet dhe hartat te aplikacionet që mundësojnë pamjet ose fotografitë më të mira, tek gjetja e hapësirave me koordinatat më të favorshme për ta ndjekur edhe për ata që nuk banojnë në zonën e eklipsit, tek rekomandimet për aparatet dhe kamerat më të mira për ta përjetësuar momentin, syzet më të përshtatshme mbrojtëse për fenomenin natyror, tek artikujt komercial dhe produkte të destinuara për eklipsin, e shumë të tjera, më zuri syri një shkrim që jepte një vështrim panoramik të disa reagimeve të besimeve fetare ndaj tij nga kohët e lashta të cilin e përmblodha këtu që të mund ta lexoni në më pak minuta se kohëzgjatja e eklipsit.
Eklipset diellore kanë pasur ndikime të forta te besimtarët e denominacioneve të ndryshme gjatë gjithë historisë botërore. Në përgjithësi fenomeni konsiderohej si një lloj mesazhi nga perënditë ose shpirtrat me një spektër të larmishëm që nga frika deri në magjepsje.
Krishtërimi
Për fenë kristiane eklipsi parathotë aktin përfundimtar përpara ardhjes së Krishtit, siç është profetizuar në disa kapituj të Biblës. “Dielli do nxihet dhe hëna do përskuqet përpara ardhjes së të madhërishmit dhe të lavdishmit Zotit tonë.”
Tek disa besimtarë të krishterë ka qenë shumë e fortë ideja se gjatë kryqëzimit të Krishtit ka pasur eklips sepse në tre prej katër librave të ungjillit përmendet se për tri orë u dynd terri ndërsa Krishti vdiste. Natyrisht, është përmendur fakti se nata tri-orëshe nuk mund të jetë eklips diellor i cili shkaktohen errësim vetëm për disa minuta.
Islami
Besimi islam thotë se kurdoherë kur ndodh eklips duhen drejtuar lutje ndaj Allahut, në formë individuale apo në xhami. Lutja e eklipsit përmbledh fjalët dhe veprat e Profetit Muhamed. Sipas historisë në Kuran, pas vdekjes së Ibrahimit, birit të Profetit, shoqëruesi i tij, duke dashur ta ngushëlloj atë i tha se dielli u eklipsua nga pesha e madhe e humbjes. Profeti Muhamed e korrigjoi duke e kujtuar se dielli dhe hëna janë shenja të Zotit dhe se nuk duhej krijuar asnjë besëtytni në lidhje me shkaqet e eklipsit. Feja islame i shikon të ndara aktet e universit, fenomenet natyrore dhe lidhjen e njeriut me hyjnoren.
Judaizmi
Një nga besimet e para monoteiste të dokumentuara dhe një prej feve më të vjetra të ushtruara deri në ditët e sotme. Talmud, libri i shkrimeve të mbledhura përpara 1,500 vjetëve që jep udhëzime dhe përcakton lutjet bamirëse për shumë fenomene natyrore përveç eklipsit. Në të vërtetë, e përshkruan atë si ogur të keq për mbarë botën. Sipas tekstit të lashtë hebraik, eklipsi është një rast i veçantë për tu falur dhe për tu vetëinspektuar dhe jo për bamirësi qejfi. Një nga interpretimet e eklipsit e përshkruan atë si manifestim i forcës së atij i cili ka krijuar një sistem që na kujton se nga veprimet tona mund të krijohet terri edhe pse duhet të ishte dritë.
Budizmi
Budizmi është fe botërore dhe filozofi jetësore e përhapur kryesisht në Azi. Sipas fesë budiste tibetiane, energjia pozitive dhe negative shumëfishohet gjatë ngjarjeve astronomike siç është eklipsi diellor. Të dyja llojet e eklipseve, si ai i hënës dhe i diellit, janë shumë premtuese në sferën spirituale të traditave të tyre.
Hinduizmi
Origjina e eklipsit në Hinduizëm shpjegohet përmes legjendave që njihen si puranas. Në njërën prej tyre, hyjnitë e së mirës dhe së keqes e trazuan oqeanin për të nxjerrë nektarin e jetës së përhershme. Perëndia e Diellit dhe Hënës ndërhynë për të vënë në vend një padrejtësi nga ana e shpirtrave të së keqes që u kamufluan si “të mirët” dhe sipas legjendës Rahu, që arriti të bëhej i pavdekshëm, por me kokë e trup të ndarë, gllabëron i zemëruar herë pas here diellin dhe hënën, si shkaktarë të trishtimit të tij.
Për besimtarët Hindu, eklipset e diellit dhe hënës janë ogure të këqija. Disa syresh agjërojnë dhe të tjerë nuk hanë gjatë kohës së eklipsit. Praktikuesit kryejnë ritualin e larjes për të pastruar mëkatet në kohën e hyrje-daljeve të eklipsit. Disa jua ofrojnë lutjet e tyre të parëve. Tempujt qëndrojnë të mbyllur ndërsa të përkushtuarit falen në vende pelegrinazhi pranë ujërave të shenjta në fillim të eklipsit. Ata e konsiderojnë fenomenin një kohë të përshtatshme për të thënë lutje, për meditim dhe këndimin e mantrave që të largojnë shpirtin e keq.