James Foley, reporteri i lirë 40-vjeçar amerikan, u ekzekutua në mënyrë ç’njerëzore me prerje koke me thikë nga terroristët ultraradikalë të Shtetit Islamik.
Ekzekutimi i tij u publikua i plotë në një video në rrjetin social Youtube. Por më pas pamjet rrënqethëse u larguan nga drejtuesit e këtij rrjeti. Video e shpërndarë nga vetë xhihadistët titullohej “Mesazh për Amerikën”. Në nisje, shfaqet një mesazh me shkrim në arabisht dhe anglisht, ku shpjegohet se ekzekutimi i reporterit është përgjigjja e parë në formë hakmarrjeje për urdhërin që presidenti amerikan Barak Obama dha për sulme ajrore kundër Shtetit Islamik në veri të Irakut.
Më pas flet vetë Foley, i veshur me uniformën e të burgosurve të Guantanamos, i cili përpara se të ekzekutohet, reciton një mesazh, që pa dyshim është përgatitur nga pengmarrësit e tij.
Ai akuzon qeverinë amerikane si përgjegjëse për vdekjen e tij, ndërsa shpreh hidhërimin që nuk pati kohë të takonte familjarët përpara se të vdiste.
Pas tij, xhihadisti me fytyrë të mbuluar, i cili dyshohet se është shtetas britanik, pasi flet anglisht me një theks londinez paralajmëron se një tjetër amerikan është në duart e tyre dhe do të ekzekutohet.
Bëhet fjalë për korrespondentin e revistës “Time” Steven Joel, i zhdukur në gusht të 2013-ës në Libi. Gjithçka sipas tij, varet nga vendimet e ardhëshme të presidentit amerikan Barak Obama.
Për këtë video reagoi nga Uashingtoni, zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Amerikane Caitlin Hayden. Ajo e konsideroi tmerruese videon dhe tha se shërbimet inteligjente po punojnë për të verifikuar nëse ajo është autentike.
Ndërsa familjarët e reporterit amerikan përmes një mesazhi të shpërndarë për mediat , u bëbë thirrje pengmarrësve, të kursejnë jetët e robërve të tjerë, ndërsa shprehën krenarinë për punën e djalit të tyre në Siri.
James Foley, reporter lufte, që më parë kishte mbuluar ngjarjet në Afganistan e Libi, për media të ndryshme amerikane, u zu rob më 22 nëntor 2012 në verilindje të Sirisë, teksa realizonte reportazhe, për konfliktin mes forcave qeveritare siriane dhe atyre anti-Asad.
Më herët, Shteti Islamik kishte paralajmëruar se do të hakmerrej ndaj Shteteve të Bashkuara për sulmet ajrore, kundër objektivave të tyre në veri të Irakut, që ndihmuan në avancimin e militantëve kurdë dhe forcave qeveritare të Bagdadit drejt Mosulit.